Ministria e Bujqësisë jep alarmin: Moti do ta përkeqësojë situatën
Përmbytjet e fillimvitit rrezikojnë të përsëriten për të njëjtat arsye. Ministria e Bujqësisë raportoi dje situatën në disa zona të vendit, të dëmtuara për shkak të reshjeve të shumta dhe përkeqësimit të motit.
Për shkak të reshjeve intensive të ditëve të fundit, që kanë qenë në nivele të larta, 156 milimetra në Shkodër, 94 në Lezhë dhe 103 në Korçë dhe shkrirjes masive të dëborës gjatë javës së kaluar, nga ngritja e temperaturave deri në 23 gradë Celsius, pati një rritje të konsiderueshme të prurjeve të përrenjve dhe lumenjve në të gjithë pellgjet ujëmbledhës të vendit.
E kanë rënduar situatën edhe kushtet meteorologjike në det. Sipas burimeve nga Kapitaneria detare, që nga e premtja e javës së shkuar, kushtet e motit kanë qenë të tilla që e kanë penguar derdhjen në det të lumenjve në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Drejtimi i erës nga jugu, që sjell fryrje të Adriatikut drejt Veriut, pritet të zgjasë deri të enjten, ndërkohë që nesër pritet dhe një përkeqësim i situatës, duke qenë se deti parashikohet të ketë një dallgëzim 7 ballë nga 5–6 që ka qenë këto ditë, ndërsa era do vijojë të ketë shpejtësi 40–50 kilometra në orë.
“Për shkak të reshjeve të mëdha dhe nga rritja e shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, niveli i lumit Buna ka arritur në kuotën rreth 6.12 metra në Dajç. Ka filluar shkarkimi i Bunës edhe nga kanali i Shirgjit, i cili shkarkon në Vilun. Jemi në një situatë kritike, ku nëse niveli në Shirgj do të arrijë në kuotën 6.4 metra, atëherë fillon dhe përmbytja e tokave në fshatin Dajç”, tha dje, Iva Tiço, zëdhënësja e Ministrisë së Bujqësisë.
Aktualisht ministria po monitoron argjinaturat e lumit Buna, duke marrë masa për ndërhyrje eventuale në segmentet e rrezikuar. Deri tani nuk ka ngritje të nivelit të ujit në 1500 ha të fushës së çasit, për shkak edhe të funksionimit të hidrovorit. Kurse në Lezhë, prurjet e lumit Mat pësuan një rritje të madhe si rezultat i shkarkimeve të hidrocentralit të Shkopetit dhe prurjeve të tjera anësore. Vështirësia e shkarkimit të ujërave të lumit Mat në grykëderdhjen e tij, si rezultat edhe i baticës dhe dallgëzimit të lartë, bëri që të rritet shumë shpejt niveli i ujit në kënetën e Tales, duke u përsëritur në këtë mënyrë i njëjti fenomen si në përmbytjen në fillim të janarit 2010.
Situata në rajonet e tjeraNga prurjet e mëdha të lumit Devoll mbi nivelet kritike, në afërsi të fshatit Sheqeras, një segment i argjinaturës së këtij lumi është dëmtuar. Vërshimet e ujit kanë shkaktuar përmbytjen e rreth 3000 ha tokë bujqësore (një pjesë e së cilës është e përmbytur në mënyrë të vazhdueshme si zonë depresive). Gjithashtu gjatë 10-ditëshit të fundit janë evidentuar probleme të shumta në disa zona të vendit në digat e rezervuarëve: Kurjan në Fier, Paskuqan në Tiranë, Ballaban dhe Kajcë në Përmet, Prishtë në Skrapar, Memaj në Durrës etj. Gjithashtu, në lumin Drin në Shkodër, në zonën e Ashtës, fshati Lukaj, është dëmtuar një segment i tokës bujqësore dhe rrezikohen edhe 8 shtëpi banimi.
#