Fier, erozioni gjunjëzon institucionet vendore
Shkarjet masive të tokës në të gjithë territorin e Qarkut të Fierit kanë paralizuar dhe gjunjëzuar institucionet e qeverisjes vendore dhe qendrore. Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të shtabit të emergjencave civile në shkallë prefekture, njësitë e qeverisjes vendore, si komunat dhe bashkitë, janë ankuar se janë të pafuqishme ekonomikisht për të përballuar situatën e shkaktuar nga rrëshqitjet e dherave. Dje është raportuar se rreth 200 shtëpi në të gjithë Qarkun e Fierit kanë pësuar dëmtime të rënda nga shkarja e tokës, ndërkohë që dhjetëra të tjera janë prekur më lehtë prej kësaj dukurie natyrore. Me qindra hektarë tokë bujqësore e mbjellë janë dëmtuar plotësisht. Gjithashtu të dëmtuara dhe të pakalueshme janë bërë edhe disa akse rrugore rurale dhe kombëtare. Kryetari i Komunës Kurjan, Hamza Toro, ka deklaruar se 32 familje të zonës së tij janë pa strehë, pasi banesat janë shkatërruar prej rrëshqitjeve të tokës. Ai ka kërkuar ndihmën e qeverisë dhe përfaqësisë së kësaj të fundit në qark. Toro tha: “Ajo që po ndodh përditë në zonën time është një fatkeqësi, por ne nuk kemi kapitale dhe fuqi ekonomike për ta përballur. Ne si komunë mund t’u japim vetëm ndihmë morale familjeve të dëmtuara. Ndërsa raportoj 32 shtëpi të pabanueshme si shkak i rrëshqitjes së tokës, më njoftojnë se edhe tre shtëpi të tjera janë duke u shembur. Ndihemi të pafuqishëm përballë kësaj, ndaj duam ndihmën e shtetit”.
Në një linjë me Toron ka qenë edhe kreu i Komunës Qendër në Rrethin e Mallakastrës, Agron Kapllani, i cili tha se komuna e tij është zona më e prekur nga pasojat e rrëshqitjes së dherave. Ndërkohë dje janë raportuar dëme në të tre rrethet e qarkut. Pasoja të rënda kanë: Frakulla, Cakrani, Levani, Kurjani, Kumani, Hekali, Ngaçani, Aranitasi, Qendër, Hysgjokaj, Ballagat, Tërbuf, Grabian etj.
Përveç fondeve për të parandaluar rëndimin e situatës, krerët e komunave kanë kërkuar fillimisht çadra dhe kabina nga Ministria e Brendshme. “Të paktën t’i strehojmë ata që janë sot në qiell të hapur”, kanë kërkuar krerët e komunave nga prefekti i Fierit, Bujar Hasaj. Ky i fundit, duke pranuar se qindra banorë janë sot pa shtëpi, si dhe mjaft rrugë dhe toka bujqësore janë dëmtuar pothuaj totalisht, ka kërkuar që brenda ditës së premte të jenë në funksion të plotë si komisionet e verifikimit të dëmeve, ashtu dhe ato të vlerësimit të tyre. Hasaj ka thënë se po mban kontakt me shtabin e emergjencave civile në Ministrinë e Brendshme dhe se po kërkon që qeveria të ndërhyjë fillimisht me bazë materiale.
#