75-vjeçari i harruar nga shtëpia, vdes në Sanatorium
11/04/2005 TIRANË- Gjendet në Sanatorium, kufoma e një 75-vjeçari nga Kruja. Burime policore thanë dje për gazetën se, rreth orës 20.00 të ditës së djeshme, është gjetur trupi i pajetë i Bajram Sinajt, 75-vjeç, lindur në Krujë e banues në ambientet e brendshme të spitalit të Sanatoriumit. Burimet nga Morgu i Tiranës thanë dje se pas egzaminimeve të para, ka rezultuar se Sinaj kishte ndërruar jetë pas sëmundjes së gjatë të mushkërive, e cila e kishte zënë prej vitesh. Madje, sëmundja ka qenë shkaku i vetëm i braktisjes së tij, pasi familja e la të vetëm kur mori vesh nga mjekët se gjendja e tij shëndetësore, nuk do të përmirësohej, pasi mushkëria ishte dëmtuar së tepërmi. Kësisoj, i ndodhur në vetminë e tij, 75-vjeçari nga Kruja i kishte bërë një kërkesë spitalit, ku kërkonte një vend strehim, pasi nuk kishte ku të shkonte. Të prekur nga historia e të moshuarit, aurotitetet e spitalit i kishin lëshuar atij dhomën e sterilizimit. Mjekët eksperto-ligjorë bëjnë të ditur se mund të ketë qenë edhe infektimi, shkaku i vdekjes së tij por gjithësesi, sot ai do të egzaminohet.