E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajduti i 400 mijë eurove në prangat e policisë

11/04/2005  Policia e akuzon për pjesmarrje në grabitjen e argjendarisë "Pirro" në 2002-shin

TIRANË- Një nga të dyshuarit kyesorë për grabitjen e argjendari "Pirros", është arrestuar nga uniformat blu të komisariatit numër 2. Burimet policore thanë dje për gazetën se Adriatik Myftari, është prangosur para dy ditësh, si i dyshuar për bashkëpunim në grabitjen e argjendarisë, ngjarje kjo që i përket vitit 2002, ku u vodhën 28 kg flori dhe për lidhje me bandën e pengmarrësve të Fation Demirlikës.

Akuza

Arrestimi i Myftarit është mundësuar nga një grup special i sektorit të kriminalistikës dhe të prokurorisë, të cilët ndjekin çështjen prej 3 vjetësh. Fillimisht Myftari u arrestua dy ditë më parë, si i dyshuar për pjesmarrje në pengmarrjen e Demirlikës, ndërsa marrja e tij në pyetje dhe verifikimi i fakteve e hodhi poshtë këtë version. I arrestuari deklaroi se ishte në Itali në momentin e pengmarrjes, gjë e cila u provua. Tashmë ai akuzohet si një nga personat më të afërt të Gjergj Cukalit, Ledio Litos, Ilir Kodumit dhe Eduart Skukës, me të cilët, sipas policisë, grabiti nën kërcënimin e armëve tre vjet më parë tek Tirana e Re, dyqanin e floririt.

Grabitja

Argjendari "Pirro" ishte një ndër dyqanet më prestigjioze të kryeqytetit. Fakti që vitrinat e tij ishin më të mbushura me mall se të askujt tjetër syresh, i shtyu me të drejtë banditët ta vinin në shënjestër. Mjaftoi një plan shumë i thjeshtë që ideja të gjente realizim të shpejtë dhe pa asnjë problem. Edhe pse në një zonë tejet të frekuentuar të Tiranës, argjendaria nuk kishte pranë ndonjë komisariat policie, e aq më pak uniforma private që ta ruanin nga sulmet e grabitësve. Të hipur në një motorr modest, me maska në kokë e armë në duar, dy djem të rinj hynë pa shumë bujë brenda në dyqan. Me shumë finesë, njëri prej tyre mbylli derën për të mos lejuar të vinte ndonjë klinet. Pa i lënë asnjë mundësi shitëses të shtypte sinjalin e alarmit, njëri nga grabitësit, i vuri tytën e revoles në kokë, duke e kërcënuar se do ta shkrepte nëse bënte zë. Sakaq, tjetri kishte zbrazur dhe futur në një qese prej cope të gjithë mallin që reklamohej në vitrina. Pak çaste më pas, argjendari "Pirro"-s, vetëm emri i mbetej i tillë. Veç rafteve bosh dhe shitëses të shokuar nga spektakli që përjetoi, policia nuk gjeti asgjë tjetër. Shuma prej 400 mijë eurosh që u fitua nga banditët pas shitjes së arit, sipas policisë, shërbeu si suport për nisjen e trafikut të narkotikëve në Gjermani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›