Në prill, Shqipëria në NATO dhe hyja në fuqi e MSA-së
Muaji prill 2009 merr një rëndësi të dyfishtë për shqiptarët pasi përveç anëtarësimit në NATO, hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë pikërisht në periudhën e samitit të Strasburgut. Nisur nga kjo, Shqipëria do të dorëzojë kërkesën për statusin e vendit kandidat si anëtare e Bashkimit Evropian brenda presidencës çeke, pasi nuk ndihet e rrezikuar nga kriza globale, përkundrazi, ka rritje ekonomike. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, njoftoi dje deputetët e PD-së se më 26 shkurt 2009, Greqia ka dorëzuar në Bruksel Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit Shqipëri-BE të ratifikuar dhe notifikuar. Sipas tij, në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian, Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë pritet të hyjë në fuqi pikërisht në periudhën e samitit të Strasburgut në fillim të prillit kur Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s me të drejta të plota. “Muaji prill 2009 do të shënohet në historinë e kombit dhe të vendit si muaji më historik, pas muajit nëntor. Gjatë presidencës çeke të BE-së, për shkak të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE-në, krijohet dhe mblidhet Këshilli i Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë, i cili do të patronojë respektimin dhe konsolidimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje për vendin tonë dhe do të ketë degëza në të gjitha institucionet e vendit”, - theksoi z. Berisha. Ndaj, përmbushja me sukses e reformave integruese nga qeveria shqiptare duket se do të heqë dhe ngurrimin e BE-së për shtyrjen e zgjerimit të saj me vende të tjera anëtare për shkak të krizës globale ekonomike. Para deputetëve të PD-së, Kryeministri Sali Berisha pohoi dje: “Nuk do presë sa të thahet uji në shtëpinë e BE” që Shqipëria të dorëzojë kërkesën për statusin e kandidatit si vend anëtar të BE”. Ai vuri në dukje se vendi ka hyrë në një stad të ri kontraktual dhe politik me Bashkimin Evropian, ndërsa kujtoi se qeverisja socialiste shënoi vetëm kthim prapa në procesin e MSA-së. Kryeministri shprehu besimin se presidenca çeke do të krijojë këshillin që brenda kësaj presidence Shqipëria të paraqesë kërkesën për vend kandidat. Ndaj, duke iu referuar shprehjes së një prej komisionerëve evropianë që në takim më ministrin e Jashtëm Lulzim Basha paraqiti si të pamundur dorëzimin e kërkesës së Shqipërisë në këto kohë që siç u theksua “për shkak të ujit që ka përmbytur shtëpinë tonë, duke nënkuptuar krizën ekonomike”, Berisha komentoi: “Ky afat mund të shtyhet pak, sa të thahet uji. Normale, ne miqtë i kuptojmë, por nuk do presim më shumë. Brenda presidencës çeke do e paraqesim kërkesën”. Në takimin me grupin e deputetëve, kreu i qeverisë është përgjigjur edhe pse indirekt kërkesës së LSI-së për mocion me debat për krizën ekonomike në vend, duke deklaruar se vendi ynë përveçse nuk është prekur nga kriza, do njohë rritje ekonomike të jashtëzakonshme. Berisha vlerësoi faktin se Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit u ratifikua nga 27 vende, duke vlerësuar në këtë prizëm edhe rolin e opozitës në Shqipëri. Sipas tij, qeveria luftoi krimin e korrupsionin, por dhe gjetja e konsensusit me opozitën ndikoi pozitivisht në këtë proces madhor. Kreu i qeverisë ndali edhe në ngjarjen më të afërt të pritshme për Shqipërinë, samitin e Strasburgut, ku pritet që vendi ynë të marrë përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO. Duke u shprehur optimist për këtë eveniment, Kryeministri pohoi: “Samiti i Strasburgut është ngjarja më e madhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.