76 subjekte polike në garë për zgjedhjet e Kosovës
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë përmbylli procesin e çertifikimit të subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Nga 76 subjekte politike sa kanë aplikuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, vetëm dy nuk janë çertifikuar. Një iniciativë qytetare serbe në rajonin e Gjilanit është tërhequr nga gara, ndërsa një kandidat i pavarur në komunën e Skënderajt nuk është certifikuar pasi nuk plotësonte kriteret e caktuara nga KQZ. Ndërkohë, partitë e mëdha politike në Kosovë kanë filluar fushatën parazgjedhore edhe para shpalljes zyrtare të saj. Në Prishtinë janë vendosur posterat e disa kandidatëve që synojnë ta marrin udhëheqjen e kryeqytetit të Kosovës, në të cilat u bëhet thirrje qytetarëve që t’i votojnë, ndërsa kryetarët e partive kryesore kanë filluar takimet me elektoratin e tyre.
Presidenti dhe kryeministri ditëve të fundit ndërkaq kanë marrë pjesë në përurimin e disa projekteve në komunat e Kosovës. Zëdhënësi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Fehmi Ajvazi nuk deshi të thotë nëse disa nga partitë po bëjnë shkelje ligjore duke filluar fushatën para kohës, por ai theksoi se koha e ligjshme për të bërë fushatë është 1 muaj para zgjedhjeve.
2 Tetor 2009