Takim në Shtëpinë e Bardhë për strategjinë e luftës në Afganistan
Presidenti Barak Obama mblodhi këshilltarët e tij më të lartë ushtarakë dhe politikë në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar për strategjinë mbi luftën në Afganistan. Komandanti më i lartë amerikan në Afganistan, gjenerali Stenli Mekristal, mori pjesë përmes një lidhjeje satelitore me video. Edhe kreu i Komandës Qendrore amerikane, gjenerali Dejvid Petreas mori pjesë në takim. Administrata po shqyrton gjithashtu kërkesën e gjeneralit Mekristal për më shumë trupa. Presidenti Obama dhe 18 anëtarë të ekipit të tij të sigurisë kombëtare u takuan për rreth tre orë në Shtëpinë e Bardhë duke vlerësuar politikën e Afganistanit. Hollësitë e diskutimit nuk u bënë të ditura. Sekretari i Shtypit i Presidentit, Robert Gibs thotë se ky është i dyti prej pesë takimesh të tilla që do të mbahen brenda disa javësh për të përcaktuar se si do të vazhdohet me strategjinë e Afganistanit.
“Na duhet të dalim me një strategji të plotë, ta diskutojmë dhe të sigurohemi që kemi bërë atë që duhet dhe më pas të zbatojmë taktika për të realizuar atë strategji dhe pjesë e këtyre taktikave është edhe gjetja e burimeve”.
Gjenevë, fuqitë botërore takohen me Iranin
Irani zhvilloi takime me përfaqësuesit e gjashtë fuqive botërore, të cilat kërkojnë që ky vend të ndalë aktivitetet e ndjeshme atomike. Në takimin e Gjenevë të Zvicrës ishin të pranishëm përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë. Para takimit, Irani ka thënë se nuk ka për qëllim që me gjashtë fuqitë botërore të diskutojë për programin e tij bërthamor, përfshirë edhe pasurimin e uraniumit, pasi konsideron se e drejta e Iranit për fuqi atomike paqësore nuk është e hapur për debat. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë tërhequr vërejtjen se Irani mund të ballfaqohet me raundin e katërt të sanksioneve të OKB-së, nëse dështon të angazhohet në disktime konstruktive dhe të pajtohet me masat për të dëshmuar se programi i tij bërthamor është vetëm për nevoja paqësore e jo për prodhimin e bombës atomike.
2 Tetor 2009