E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikonin dhe shpërndanin euro false, në pranga 3 shokët



Forcat e policisë kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të tre personave, të cilët akuzohen për konsumimin e veprës penale të “Falsifikimit të monedhave”. Sipas të dhënave policore, të ndaluarit janë personat F.K. 17 vjeç, Besim Deda 18 vjeç dhe S.H. 14-vjeç, që të tre lindur dhe banues në Manëz të Durrësit. Forcat policore bëjnë me dijeni se i pari është kapur në flagrancë duke këmbyer një sasi kartëmonedhash të prerjes 20 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara në një pike Uestern Union në Manëz. Për këtë ngjarje është marrë kallëzimi nga A.D, administrator i kësaj pike, sipas të cilit F.K. ka shkuar dy herë pranë saj me qëllimin e këmbimit të kartëmonedhave false. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se atij kartëmonedhat e prerjes 20 euro ia ka dhënë Besim Deda, ndërsa këtij S.H, i cili në deklaratën e tij pohon se i ka gjetur në rrugë. Të tre personat ishin në dijeni se kartëmonedhat qenë të falsifikuara dhe me vetëdije kanë vendosur t’i këmbejnë ato. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 kartëmonedha të prerjes 20 euro me numra serie 6 copë me numër V00247820335, 1 copë me numër v55650030341 dhe 1 me numër S44244920418, si edhe dy kaseta video me filmime të zyrës së Uestern Union të dorëzuar administratori i saj. Materialet i kaluan prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Aksioni
Pas zbulimit nga denoncimi rastësor i këtij grupi falsifikatorësh policia deri më tani ka mundur të arrijë deri te furnizuesi i dy adoleshentëve që paraqiteshin në pikat e shkëmbimit të lekëve por uniformat blu kanë dyshimet e tyre mbi ekzistencën e një baze që mundëson prodhimin e këtyre kartmonedhave false. Pikërisht për këtë arsye hetuesit janë në pritje të dëshmisë së personit që furnizonte adoleshentët për të mundësiau “tjerrjen” e informacionit dhe për të arritur në vendin e origjinës ku janë prodhuar edhe këti kartmonedha. Në Shqipëri nuk ndodh shpesh që policia të arrestojë shtetas në lidhje me këtë vepër penale.
Precedenti
Në vitin 2006, strukturat e policisë zbuluan një laborator që shërbente për prodhimin e kartmonedhave të falsifikuara. Gjatë këtij operacioni u arrestua shtetasi Aleksandër Nikollë Lleshanaku vjeç 27, lindur në Elbasan e Banues në qytetin e Pogradecit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi që shërbente si laboratator falsifikimi u zbuluan e sekuestruan me cilësinë e provës materiale : 9 mijë e 600 USD të prerjes 100 USD; 151.mijë lekë shqiptare të prerjes 1 mijë lekëshe;371 mijë lekë shqiptare të falsifikuara vetëm nga njëra anë. 60 USD me prerje 20-she; 2 kartmonedha maqedonase me prerje 50 dhe 100 dinare; si dhe kartmonedha të tjera dhe monedha metalike shqiptare. Po ashtu u sekuestruan edhe paisjet që shërbenin për falsifikimin e kartmonedhave, si:1 aparaturë e tipit “HP Office Jet 6210” që shërbente për prodhimin e lekëve fallso ;6 pllaka metalike që shërbenin për stampimin e parave fallso, dollarëve amerikanë dhe lekëve shqiptarë; 3 morseta, presa dhe bojra të ndryshme, që shërbenin për falsifikimin e monedhave; 4 shufra kallaji dhe 15 lima hekuri të imëta.

Makina aksidenton për vdekje këmbësorin

Aksidentohet për vdekje një këmbësor pranë mbikalimit të Kamzës. Viktima, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është i moshuar rreth 60 vjeç. Mësohet se një automjet përplasi për vdekje këmbësorin dhe u largua menjëherë nga vendgjarja pa pritur mbërritjen e policisë. Kjo e fundit është vënë në kërkim të drejtuesit të automjetit që shkaktoi aksidentin. Burime nga vendngjarja bënë të ditur se makina u largua në drejtim të Vorës.

Policia ri-gjobit shoferët që shmangin gjobat

Rreth 510 masa administrative me gjobë dhe 80 makina të bllokuara, këto janë statistikat e një dite të operacioneve të komisariatit të qarkullimit rrugor të Tiranës. Përmes një deklarate për mediat, komisar Artan Osmani ka shprehur vullnetin e komisariatit për të detyruar të gjithë kundravajtësit të shlyejnë detyrimet ndaj shtetit dhe të lëvizin me automjete pa xhama të errët. “Nga kontrolli i ushtruar në datën 30/09/09, janë tërhequr gjithsej 510 leje qarkullimi që rezultojnë debitorë në qarkullimin rrugor dhe janë bllokuar 80 mjete të cilat nuk kanë shlyer gjobat e vendosura nga shërbime të policisë rrugore" u shpreh komisari. Osmani ka deklaruar se nga masat nuk përjashtohen punonjësit e policisë që janë në kundravajtje. Ndërsa fton edhe një herë të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me korrektësi legjislacionin rrugor dhe të shlyejnë detyrimet, po vazhdojnë kontrollet në drejtim të respektimit të Kodit Rrugor si vendosja e rripit të sigurimit, kaska mbrojtëse, kontrolli i shpejtësisë, përdorimi i pijeve alkoolike nga drejtuesit e mjeteve, etj.

Vlorë, parakalon gabimisht një makinë, vdes shoferi

Sërish aksident i rëndë në aksin kombëtar Fier-Vlorë. Ngjarja ka ndodhur në orën 6.30 të mëngjesit të djeshëm në afërsi të fshtatit Ferras. Parakalimi i gabuar ka çuar në humbjen e jetës drejtuesin e mjetit tip golf me targa të Vlorës, VL 7501 A. Drejtuesi i Golfit 57 vjecari Haki Zeka ka dashur të parakalojë me shpejtësi një furgon me targa VL 5798 C, që udhëtonte para tij, por nuk ka mundur të manovrojë në momentin e fundit, kur përpara furgonit ka dalë një karrocë me kuaj. 57-vjeçari ishte një nga punëtorët e rrugës Levan-Tepelenë. Ai ka dashur të ruajë karrocën e kuajve që i ka dalë përpara, por nuk ka mundur të shpëtojë pas përplasjes së fortë me furgonin. Policia e cila ka shkuar në vendngjarje, thotë se shkak i aksidentit është bërë parakalimi me shpejtësi të madhe, ndërsa në vendngjarje është gjetur karroca e braktisur.

2 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›