Qindra të vdekur në Sumatra, tërmet i ri në Indonezi
Ishulli i Sumatrës në Indonezi është goditur nga një tërmet i dytë i fuqishëm më pak se 24 orë pasi një tërmet më i fuqishëm atje shkatoi dëme në shkallë të gjerë. Autoritetet druajnë, se nën gërmadha ndodhen më shumë se 1.000 vetë. Zyrtarisht numri i viktimave deri tani është 500 vetë. Megjithatë është e vështirë të llogariten përmasat e pasojave nga tërmeti i dytë. Ende pa ndodhur tërmeti i dytë, autoritetet druheshin, se numri i viktimave mund të ishte shumë më i madh. Ne duhet të llogarisim që përmasat e pasojave mund të jenë më të mëdha se ato të tërmetit në Xhakarta para tre vitesh, tha ministrja e Shëndetësisë, Sita Fadila Supari. Atëherë patën humbur jetën rreth 3.000 njerëz. Rreshjet e pandërprera të shiut dhe ndërprerja e rrymës po e vështirösojnë punën e ekipeve të shpëtimit në Padang. Nga rrëshqitjet e dheut janë bllokuar edhe disa rrugë, që shpien në kryeqytet. Furnizimi me energji dhe rrjeti telefonik nuk funksionojnë. Edhe aeroporti është mbyllur. Afër ishullit Sumatra e ka patur epiqendrën edhe tërmeti, i cili në ditën e kërshendellave në vitin 2004, pat shkaktuar cunamin në Oqeanin Indian. Atëherë patën humbur jetën më shumë se 230.000 njerëz, 160.000 vetëm në ishullin Sumatra. Dy tërmetet e fundit para bregut të Padangut nuk kanë shkaktuar ndonjë cunam. Ndryshe nga Paqësori Jugor, ku pas një tërmeti të rëndë afër Samoas, një cunam shkaktoi vdekjen e të paktën 113 njerëzve. Gjeologët nuk janë të një mendjeje, nëse tërmeti në Samoa ka ndonjë lidhje me tërmetin në Sumatra. Eksperti Simon Boxall tha në televizionin australian: “Natyrisht që mund të ketë qenë një rastësi që dy tërmetet ndodhen në të njëjtën ditë. Por është gjithashtu e mundur, që tërmeti në Paqësorin Jugor të ketë shkaktuar tërmetin në Sumatra. Por tërmeti në Padang kishte të ngjarë të ndodhte së shpejti. Gjeologët kanë paralajmëruar vazhdimisht, se Padangu, për shkak të pozitës së tij gjeografike në buzë të së ashtuquajturës “unaza e zjarrtë e Paqësorit”, mund të shkatërrohej nga tërmetet brenda një dite të vetme.
Deklaratat
Stuart Ueinstein, zëdhënës për Qendrën Paralajmëruese të Cunameve në Paqësor tha se tërmeti i dytë ishte më i vogël. “Fatmirësisht ai ishte më afër tokës dhe si rezultat nuk pres të kemi aktivitet të tipit të një cunami. Por ky tërmet nuk do ti bëjë më të lehta operacionet e ndihmës”,- tha Ueinstein. “Pas një tërmeti të madh, edhe ndërtesat që mbeten në këmbë ndonjëherë dobësohen dhe më dhe kur ndodh një tronditje pasuese e madhe si kjo, ato mund të rrëzohen”.
Rustam Pakaja, kreu i qendrës për Katastrofa në ministrinë e Shëndetësisë, tha se numri i të vdekurve nga tërmeti i së mërkurës mund të arrijë në mijëra.
Infrastruktura e dëmtuar
Ekipet e shpëtimit po rrëmojnë me duar për të gejtur të mbijetuar, sepse ende nuk kanë mbërritur mjetet e nevojshme për të ngritur pesha të rënda. Tërmeti rrëzoi shtyllat e energjisë elektrik dhe dëmtoi rrugë, duke e bërë të vështirë që ndihma të arrijë në zomat më të prekura. Ekipet e shpëtimit po përpiqen që të arrijnë deri tek numri i madh i atyre që kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Por rrugët dhe linjat e furnizimit me energji elektrike e ato telefonike janë ndërprerë.
2 Tetor 2009