Greqia të dielën voton. Karamanlis përballë Papandreut
Të dielën, grekët votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të vendit me shpresën e vetme, përmirësimin e situatës ekonomike në vend. Është pikërisht ekonomia, ajo që e ka shqetësuar së tepërmi popullin fqinj, pa përmendur edhe problemet me skandalet politike, korrupsionin, apo protestat që kanë nisur që në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe ende nuk janë shuar plotësisht. Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, i partisë konservatore Demokracia e re, është përballur me kritika të ashpra lidhur me korrupsionin dhe ngadalësimin e reformave ekonomike të cilat e kanë cuar Greqinë në një situatë aspak të mirë. Karamanlis, thirri zgjedhjet e parakoheshme dy vjet përpara kohe, duke kërkuar një mandat tjetër me premtimin se do të zgjidhë krizën ekonomike dhe financiare, por anketat e opinionit publik e nxjerrin partinë e tij në disavantazh prej 6 pikësh përballë socialistëve të Papandreut. Grekët janë të irrituar për shkallën e lartë të papunësisë, rrogat e vogla, reformat e pamjaftueshme në sistemin arsimor, shëndetësi, si dhe përfshirjen e politikanëve në një seri skandalësh, kryesisht rryshfetesh. Qe pas zgjedhjes së tij në vitin 2004, dy mandatet e partisë Demokracia e re, janë vënë në hije edhe nga zjarret që përfshinë Greqinë, ku u shkrumbuan shumë ndërtesa, ndërsa nuk mund të harrohen protestat e dhunshme në Athinë dhe qytete të tjera pas vrasjes së një adoleshenti grek nga policia. Edhe pse Greqia ka vuajtur më pak se vendet e tjera efektet e krizës ekonomike globale, mijëra vende pune janë shkurtuar ndërsa punëtoret janë detyruar të reduktojne orarin e punës për shkak të pagave të pamjaftueshme. Greqia gjithashtu po përballet me një borxh publik mjaft të lartë, një prej borxheve më të mëdha në vendet e zonës euro si dhe një deficit në buxhet që duket se ka dale totalisht jashtë kontrollit dhe është vlerësuar këtë vit në mbi 6 përqind.
2 Tetor 2009