76 vota për 76% aksione të OSSH
Në mungesë të opozitës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 76 vota pro kontratën e shitjes së 76% të aksioneve të OSSH-së te CEZ. Procesi nuk pati debate për vet faktin se deputetët e majtë nuk ishin në sallë. Kalimi i kontratës nga Kuvendi i hap, rrugë dekretimit nga Presidenti i Republikës, kurse Autoriteti i Konkurrencës është duke shqyrtuar marrëveshjen, për të dhënë miratimin e futjes në treg të CEZ-it. Procesi i privatizimit të OSSH-së kaloi në disa vështirësi dhe negociata delikate, nisur nga fakti se kompania shtetërore e menaxhimit të energjisë elektrike nuk paraqiste performancë të mirë financiare. Çekët ishin të vetëm në garën finale, duke ofruar 102 milionë euro për 76 për qind të aksioneve, me zotimin se do të investojnë rreth 200 milionë euro brenda tre vitesh.