E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata i jep 12 vjet burg mashtrueses

Gjykata e Tiranës ka dënuar dje me 12 vjet burg shtetasen Albana Laze, e akuzuar për mashtrime në emër të njerëzve të drejtësisë. Vendimi i mësipërm është dhënë pasi Laze ka mashtruar familjarët e Emiljano Shullazit dhe Genci Ferhatit, të dënuar për trafik droge nga Gjykata e Krimeve të Rënda, duke iu premtuar atyre lirimin nga burgu. Gjykata e ka dënuar Lazen edhe me një vit burg për shpifje ndaj zyrtarëve të drejtësisë. Përfundimisht, gjykata e dënoi Lazen me 12 vjet burg. Albana Laze është hetuar që prej vitit 2005, pas sinjalizimeve se ajo përdorte emra të drejtuesve të drejtësisë, për t‘u marrë paratë familjarëve të të burgosurve. Punonjës të SHISH-it e kanë ndjekur dhe vëzhguar atë, por në vitin 2006, hetimi është mbyllur pa ndonjë shkak të rëndësishëm. Por ky hetim nuk u ka dhënë fund mashtrimeve të Albana Lazes. Rasti që çoi në pranga Lazen ka qenë ai i Shullazit dhe Ferhatit. Sipas vendimit të gjykatës, 150 mijë eurot i janë dorëzuar Albana Lazes nga e fejuara e Emiljano Shullazit. Kjo e fundit ka shpjeguar në prokurori dhe më pas në gjykatë mënyrën e njohjes dhe takimet me 35-vjeçaren për lirimin nga qelia të dy të akuzuarve. Dëshmisë së të fejuarës së Shullazit i janë bashkangjitur edhe ato të dajës së tij dhe të babait të Ferhatit, të cilët kanë treguar takimet me Lazen dhe dorëzimin e lekëve me dy këste, njëherë nga 50 mijë euro dhe më pas nga 25 mijë të tjera. Në procesverbalin e dëshmisë së të fejuarës së Shullazit thuhet: "Ka qenë 15-ditëshi i dytë i muajit korrik 2005, kur po bëja pushime në Durrës dhe atje një mikeshë më pyeti për të fejuarin që ndodhej në burg. Ajo më propozoi shtetasen Albana Lazen si personin me shumë njohje dhe mundësitë që kishte për lirimin e Emiljanos. Gjatë bisedës ishte shumë e vendosur dhe bindëse, që kundrejt pagesës Emiljanon mund ta lironte. Biseduam për këtë edhe me Emiljanon, i cili nuk e besoi fillimisht, por që tha: mirë shiko e bëje. Albana na kërkoi fillimisht 50 mijë euro. Por gjërat rrodhën ndryshe. Pas mashtrimeve të shumta na e mbushi mendjen që edhe familjarët e të pandehurit Ferhati të paguanin shumën prej 50 mijë eurosh që të liroheshin të dy. Edhe kjo u mundësua. Kur i vumë kusht për kthimin e lekëve, ajo pohoi se nuk ia kishte dhënë kryetarit..., por drejtuesve të prokurorisë. Kjo gjë zbuloi edhe mashtrimin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›