E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Ndërtuesve: Distancohemi nga mafia e ndërtimit



Qindra ndërtues në vend, të grupuar pranë Shoqatës së Ndërtuesve, kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me mafien e ndërtimit dhe se janë pro luftës pa kompromis ndaj mafies, korrupsionit dhe veprimeve të paligjshme në këtë sektor. Pak ditë më parë, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, denoncoi atë që ai e quajti “mafia e ndërtimit”, ku bëri publike dosjet e klientëve të Ramës, ku shumë syresh zotërojnë me mijëra metra katrorë në kryeqytet. Akuzat e bëra nga kreu i qeverisë kanë nxitur Shoqatën e Ndërtuesve të reagojnë lidhur me ekzistencën e “mafies” në ndërtim. Ndërtuesit janë distancuar, duke u deklaruar se s’kanë asnjë lidhje me atë që kreu i qeverisë e ka quajtur “mafia e ndërtimit”, dhe se shoqata është një bashkim vullnetar i ndërtuesve, i papolitizuar dhe është themeluar mbi konceptin e respektimit të ligjeve. “Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, duke mos pasur asnjë lidhje me mafien në ndërtim, është pro luftës pa kompromis ndaj mafies, korrupsionit dhe çdo veprimi tjetër të paligjshëm”, - thuhet në deklaratën e ndërtuesve. Ata janë shprehur se janë kundër çdo spekulimi, me qëllim përfitimi politik të çdo krahu me punën e ndershme të ndërtuesve. E vetmja gjë e rëndësishme për ta është të punojnë konform rregullave dhe ligjit, duke mos u penguar në dhënien e lejeve të ndërtimit. “Pozicionohemi në mbrojtje të lejeve të ndërtimit, si i vetmi dokument i patjetërsueshëm që duhet të ketë ndërtuesi, për të legjitimuar ndërtimin e tij. Ne jemi të bindur se institucionet e drejtësisë së këtij vendi janë në gjendje të penalizojnë çdo veprim të paligjshëm”, - thonë ndërtuesit. Ata kërkojnë që të mos pengohet ecuria e veprimtarisë së ndërtimit, por të jepen leje nga KRRT-ja e Tiranës dhe mbi të gjitha të miratohet qendra e Tiranës. Kanë qenë katër kërkesat e tyre, që i kanë bërë dje publike. Së pari, të miratohet plani rregullues i Tiranës, së dyti ndërtuesit kërkojnë të fillojnë urgjentisht mbledhjet e KRRT-së së Bashkisë Tiranë dhe të jepen leje ndërtimi, pasi një pjesë e mirë e firmave kanë më shumë se një vit që nuk kanë bërë asnjë xhiro. Nga ana tjetër, ndërtuesit kanë kërkuar të vazhdojë me të njëjtin ritëm të lartë investimet në infrastrukturë dhe ata të jenë pjesëmarrës në këto projekte dhe ndërkohë kanë kërkuar të zgjidhet problemi i financimit të shoqërive që kanë situacione të palikuiduara. Ndërtuesit shprehen se nisur nga situata e dy viteve të fundit dhe nga efektet e rënduara të krizës ekonomik, presin nga qeveria masa mbështetëse për zbutjen qoftë dhe morale të pasojave të krizës, që ka vlera jo vetëm për ta, por për gjithë ekonominë. “Përfitojmë nga rasti të ritheksojmë se në total gjendja e biznesit të ndërtimit është me të vërtetë problematike, ku firmat dhe jo vetëm ato të infrastrukturës, janë në krizë të plotë likuiditeti financiar. Ato sot janë të ndjeshme jo vetëm ndaj masave të përgjithshme denigruese, por edhe ndaj masave më të vogla të padrejta, që mund të merren nga administrata e pushtetit, qoftë ky lokal, ose qendror”, - thonë ndërtuesit. Në fillim të muajit dhjetor, Kryeministri Sali Berisha bëri publike për gjithë shqiptarët faktet dhe dokumentet e abuzimit të 750 milionë eurove me pronat e kryeqytetit nga klani “Rama”. Sipas kreut të qeverisë, të gjitha dosjet e publikuara janë të firmosura nga kryetari i bashkisë, njëherësh dhe kryetar i PS-së, z. Edi Rama. Disa nga emrat e bërë publike nga kreu i qeverisë, janë deputetë të zgjedhur të PS-së. Kryeministri akuzoi Ramën se iu ka dhënë leje ndërtimi klientëve të tij në 2-3 vjetët e fundit me një sipërfaqe 500 mijë metër katrorë, me vlerën 750 milionë euro. Kryeministri ka deklaruar se këtyre dosjeve do t’u shkohet deri në fund, duke zbardhur gjithë abuzimet me lejet e ndërtimit dhe trojet e zëna duke shkelur ligjin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›