8 Marsi, Dita e Gruas përcillet me mesazhin për më shumë të drejta
Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas zyrtarë të lartë të shtetit kanë përcjellë njëzëri mesazhin për më shumë të drejta ndaj kësaj kategorie. Me rastin e 8 Marsit, Ministria e Punës, në bashkëpunim me Delegacionin Europian në Tiranë dhe Ambasadën Spanjolle kanë organizuar një sërë aktivitetesh. Në takimin e organizuar me rastin e kësaj dite, Ministria e Punës, ka prezantuar dhe politikat e qeverisë, për këtë kategori në fushat sociale. Lidhur më ketë çështje, ministri i Punës, Spiro Ksera u shpreh: “Ligji ‘Për Barazinë Gjinore në Shoqëri’, si dhe ‘Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje’ përcaktojnë masa të qarta dhe sanksione konkrete për përmirësimin e statusit të gruas: nxitjen e aksesit në punësim dhe trajnim, përmirësimin e kushteve të punës, të edukimit dhe shërbimeve sociale, ekonomike e shëndetësore, konsolidimit të familjes, jetës profesionale dhe karrierës”. Por megjithë ekzistencën e këtyre dokumenteve ligjore në mbrojtje të grave, sërish një pjesë e madhe e tyre hasin mjaft vështirësi në jetën e përditshme, e sidomos porsa i përket çështjes së punësimit. Vitet e fundit numri i grave të papuna është rritur ndjeshëm dhe një prej shkaqeve është privimi i tyre në tregun e punës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, është rritur shkalla e vështirësisë tek gratë për të gjetur një vend pune, në raport me meshkujt. Për këtë arsye, prioritet i Ministrisë së Punës mbetet nxitja e punësimit të grave. Sipas ministrit të Punës, Spiro Ksera, qeveria do të zbatojë të gjitha sanksionet që parashikon ligji “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”, si dhe “Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore”, për shfaqje të diskriminimit në tregun e punës, ndaj mungesës së respektimit të të drejtave të grave në jetën politike, ekonomike e sociale.
Dita Ndërkombëtare e Grave, 102 vjet nga protesta simbol
Dita Ndërkombëtare e Grave, 8 Marsi i sivjetshëm, ka përkuar me 102-vjetorin e ditës që u bë simbol i saj, marshimit të 15 mijë grave në Nju Jork, të cilat dolën në shesh për të protestuar mbi të drejtat e munguara të tyre. Në më shumë se një dekadë, 8 Marsi mbetet në këtë mënyrë simboli i ditës kur gratë ngrenë zërin për më shumë të drejta dhe barazi me meshkujt në shoqëri. Sot, gruaja ka një rol të rëndësishëm në zhvillimet dhe ndryshimet kulturore, politikë në shoqëri, edhe në Shqipëri, ku nga viti në vit forcohet zëri i saj në rrugën e tyre. Por ende ka shumë për të bërë dhe për këtë arsye, shoqata të ndryshme të lëvizjes tender në Shqipëri, si ajo “Në dobi të gruas” kanë organizuar dje manifestime të ndryshme përmes të cilave synojnë sensibilizimin e opinionit shqiptar për krijimin e më shumë hapësirave dhe të drejtash për gratë në shoqërinë tonë. Ndërkaq, aktivitete të shumta kanë programuar edhe nga institucionet kryesore në vend. Gjithsesi, më shumë se një ditë proteste apo reagimi qytetar nga gratë për të drejtat, 8 Marsi për shumë prej tyre konceptohet si një ditë feste dhe argëtimi.
9 Mars 2010