Marrëveshja, Shqipëri-Kosovë, diploma të përbashkëta sipas standardeve të BE-së
Jonida Tashi
Shqipëria dhe Kosova do të kenë së shpejti diploma të përbashkëta, sipas standardeve të Bashkimit Europian. Kjo do të arrihet falë marrëveshjes së nënshkruar së fundi midis Ministrisë tonë të Arsimit dhe asaj të Kosovës. Më konkretisht bëhet fjalë për Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, që është nënshkruar dje nga ministri jonë i Arsimit, Myqerem Tafaj dhe ai i Kosovës, Enver Hoxhaj. Hartimi i diplomave të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës pritet të ketë një impakt pozitiv në punësimin e të rinjve nga të dyja vendet, pasi në këtë mënyrë diploma e një studenti që ka përfunduar studimet e larta në Shqipëri do të jetë e vlefshme për të gjetur punë edhe në Kosovë, si dhe anasjelltas.
Marrëveshja
Marrëveshja 5-vjeçare për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shkencës synon të intensifikojë dhe të garantojë bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve mbi bazën e realizimit të objektivave të përbashkëta për arritjet e standardeve në fushën e arsimit. Pikat kryesore në të cilat mbështet marrëveshja prekin bashkëpunimin në fushën e kurrikulave në sistemin parauniversitar dhe atë universitar për shkëmbimin e nxënësve, studentëve dhe profesorëve. Po ashtu në marrëveshje parashikohet bashkëpunim më i ngushtë i projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor dhe inovacionit në fushën e nëntokës, shkencave albanologjike, mjedisit etj. Kjo marrëveshje do të sigurojë mbështetje për universitetin e Prizrenit me staf akademik dhe hartimin e kurrikulave. Ndërkaq, një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes është edhe fakti se ajo parashikon hartimin e diplomave të përbashkëta sipas standardeve të Bashkimit Europian, si dhe mbështetje për studentët e doktoraturës duke shtuar numrin e kuotave për studentët nga Kosova. Intensifikimi i bashkëpunimit qeveritar, duke zhvilluar politika arsimore brenda kornizës europiane do t’i shërbejë objektivave të përbashkëta në fushën e arsimit dhe të shkencës.
Takimi
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka pritur në Tiranë delegacionin kosovar, të kryesuar nga homologu i tij kosovar, Enver Hoxhaj. Pas takimit, dy ministrat janë ndalur në atë çka parashikon marrëveshja e bashkëpunimit midis dy vendeve. Në këtë kontekst, Tafaj dhe Hoxhaj e kanë cilësuar marrëveshjen si një arritje, në të gjitha ciklet e arsimit, ndërkohë që kanë premtuar shkëmbime bilaterale në fushën e kërkimit shkencor, por edhe në atë të arsimit të lartë. Pasi marrëveshja lejon dhe hapësira për bashkëpunim në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, nëpërmjet trajnimeve midis stafeve pedagogjike të të dyja vendeve. ”Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës janë dy vende që aspirojnë të integrohen sa më shpejt në Bashkimin Europian. Të gjitha politikat tona arsimore janë dhe strategji, janë të ndërtuara mbi bazën e standardeve evropiane. Kësisoj marrëveshja jonë përmban elemente dhe objektiva që i shërbejnë vetëm e vetëm arritjes së këtyre standardeve dhe niveleve”,- tha Myqerem Tafaj. Ndërsa ministri i Arsimit të Kosovës, Enver Hoxhaj, u shpreh: “Marrëveshja që nënshkruam sot është marrëveshje dypalëshe, mes vendeve tona, vende që prezantojnë një hapësirë të përbashkët kulturore, vende që synojnë që të gjithë ne të arrijmë në BE, të kenë standarde europiane në arsim, dhe cilësia, cilësia dhe vetëm cilësia të jenë qëllimet tona të përbashkëta”. Më tej, ministri kosovar i Arsimit, u shpreh se në projektet e qeverisë së tij është dhe ngritja e universiteteve të tjera në vend, si ai i Prizrenit. Ky projekt, u mbështetet dhe nga homologu i tij, Myqerem Tafaj, por të dy ministrat përcollën dhe sërish mesazhin e cilësisë së diplomave që duhet të ofrojnë këto universitete.
9 Mars 2010