Përgjegjësit për tragjedinë
Motobarka e Afrim Dibrës ishte një mjet lundrues i palicencuar dhe kryente aktivitet të jashtëligjshëm. Përgjegjësitë e kontrolleve të pakryera nga disa ministri
TIRANË - Uniformat blu “toleruan” vdekjen e 16 personave. Mbase do të tolerojnë edhe të tjera tragjedi, nëse nuk ndërmarrin shumë shpejt aksionin e premtuar për të kontrolluar dhe sekuestruar të gjitha mjetet lundruese të paligjshme që deri më dje, e mbase ende edhe sot, lundruan në ujërat e liqeneve tona a rezervuarëve, duke vënë në rrezik edhe të tjera jetë qytetarësh. Në fakt, “gishti” i ligjit nuk i drejtohet direkt vetëm policisë... Nëse të gjitha hallkat e shtetit do të funksiononin siç duhet, binjakët Ejsi dhe Rei Osmani sot do të ishin 3 vjeç e dy ditë, Albani dhe Aurela do të kurorëzonin dashurinë e tyre në martesë, Arlindi 16-vjeçar pa diskutim do të përfundonte shkëlqyeshëm studimet dhe 11 viktimat e tjera sot do të ishin duke jetuar jetën e përditshme, me të mirat dhe të këqijat e saj. Por fati nuk e deshi që jeta e tyre të vazhdonte normalisht. Ndoshta jo vetëm fati, por të gjithë ata që kanë për detyrë të kontrollojnë mjetet që lundrojnë në ujërat e brendshme të territorit të Shqipërisë dhe të sigurohen që këto mjete lundruese që të përmbushin kushtet teknike, apo dhe t’i sekuestrojnë nëse ato janë të paligjshëm e jashtë standardeve. E në fakt, përgjegjësitë megjithëse nga asnjëra ministri nuk pranohen, “konvergojnë” mes dikastereve të Ministrisë së Turizmit, asaj të Shëndetësisë, Ministrisë së Transporteve, asaj të Mjedisit dhe Ministrisë së Brendshme. Shumëkush e dinte që restorant “Liqeni”,të ofronte një panoramë relaksuese, e për të ikur aty shkohej me një varkë, por askush asnjëherë nuk e çoi në mendje përgjatë 6 viteve që ai ka funksionuar, nëse mjeti lundrues ishte në rregull me ligjin dhe të kontrollohej. Padyshim që përgjegjësia nis nga hallkat bazë të zbatimit të ligjit dhe në rastin konkret, të policisë. Janë uniformat blu, ato që duhet të evidentojnë dhe të marrin masa për çdo aktivitet të paligjshëm, siç ishte dhe transporti i klientëve nga njëri breg i liqenit në tjetrin me një varkë të palicencuar. Përgjegjësia e uniformave blu në këtë rast është e dyfishtë, pasi ende në fuqi është moratoriumi i vendosur nga qeveria për mjetet lundruese. Në fund të këtij vendimi, ku parashikohen të gjitha kategoritë e mjeteve që lejohen të lundrojnë në ujërat e territorit të Republikës së Shqipërisë, thuhet se: “Ngarkohen Policia e Shtetit dhe Roja Bregdetare për zbatimin e këtij vendimi”. Ndërsa në pikën “d” të vendimit nr. 539, datë 9. 8. 2006, thuhet se “lejohen të qarkullojnë mjetet motorike lundruese, që shërbejnë për transport pasagjerësh, të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar për transport pasagjerësh dhe të licencuara për këtë veprimtari nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe e Telekomunikacionit”. Por në rastin konkret, varka e tragjedisë nuk është regjistruar as në Regjistrin Detar dhe nuk është licencuar nga Ministria e Transporteve. Një fakt i tillë konfirmohet zyrtarisht nga kapiteni i Përgjithshëm i Porteve, Vladimir Beja, i cili tha “se varka ishte një mjet ilegal dhe njëkohësisht kryente një transport ilegal. Të gjithë mjetet që lundrojnë në det, me apo pa motorë, si rregull duhet të regjistrohen, por varka fatale nuk ishte regjistruar as në Regjistrin Detar që ndodhet në Durrës, por as në kapitenerinë e këtij porti”. Në këto kushte, të parët që duhet të evidentonin këtë aktivitet të paligjshëm janë uniformat blu të komisariatit përkatës, të cilët kanë shkuar me dhjetëra herë në këtë restorant, jo për të ndërprerë aktivitetin e paligjshëm, por të sqarojnë problemin e pronësisë që ish-pronari i restorantit, Afrim Dibra, kishte prej vitit 2002 me pronarin e truallit, Habil Çollakun. Nën “ciklon” edhe Ministria e Turizmit Kapiteneria merr në shqyrtim vetëm dokumentacionin e mjeteve lundruese që hyjnë dhe dalin nga porti, të atyre që janë të rregullta, të licencuara dhe që për to Kapiteneria është e detyruar të shërbejë në kohë dhe në mënyrë të rregullt për të pasur eficencë dhe siguri në transportin legal të tyre, qofshin mallra apo udhëtarë. Në këtë mënyrë, përjashtohet rasti i tillë kur kemi të bëjmë me një mjet ilegal. Kapiteni i Përgjithshëm i Porteve, Vladimir Beja, shprehet se “ne garantojmë çdo mjet të regjistruar dhe të rregullt dhe jemi në gatishmëri të tij, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për një mjet të paregjistruar, kur nuk e dimë nga ka ardhur, ku është blerë, çfarë fuqie ka etj”. Si rregull, të gjithë mjetet duhet të regjistrohen, edhe ato që vijnë për qejf, edhe që përdoren për shëtitje dhe janë objekt i punës në Ministrinë e Turizmit, meqenëse kanë si qëllim pikërisht argëtimin në sezonin e verës. Si ajo varkë mund të ketë edhe shumë të tjera dhe fakti që “kujtohemi” për to vetëm ku ndodh një fatkeqësi, do të thotë se dikush nuk e ka bërë punën e tij.