E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 maji nuk cenohet Zguri Mjafton vullneti politik

Vullneti i mirë politik i subjekteve garuese duket se do të jetë sfida e të gjitha zgjedhjeve në Shqipëri. Ndonëse me afate të ngushta dhe vështirësi të shkaktuara nga fletët dhe mungesa e disa prej anëtarëve, puna për 8 majin është vënë në shina sipas anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Por partitë dhe sjellja e tyre, janë të vetmet elementë të paparashikuar për institucioni e zgjedhjeve.

“Sfida e KZQ-së ka të bëjë kryesisht me vullnetin politik të partive që garojnë. Mos harrojmë që subjektet kanë një rol të rëndësishëm në proces, pasi janë ato që që administrojnë procesin dhe kanë parasysh se si ndërtohet administrata zgjedhore në të gjitha nivelet e saj, që nga qendra e votimit, tek numëruesit në komisionet e nivelit të dytë, ku përbërja është mikse. Në rast se nuk do të ketë vullnet politik në zgjedhje dhe në administrimin e tyre, besoj se do të ketë tension”- thotë anëtari i KQZ-së, Zguri.

Që prej 19 prillit, nisi me ngutje prodhimi i fletëve të 8 majit. Por sipas Zgurit, gabimet dhe papërgjegjshmëria e komisionerëve të KZAZ-ve, jo rrallë është reflektuar në shtypshkronjë në formën e vonesës.

“Kemi pasur raste kur s’janë prodhuar fletë si qarku i Lezhës dhe ne e kemi pasur të lehtë që gabimet e komisionit të nivelit të dytë t’i korrigjojmë dhe t’i vendosim. Kryesisht kanë qenë për kandidatë të pavarur në fletët e votimit. Në rast difektesh mundet të na vështirësohet puna, por jemi brenda kohës, pavarësisht se është në limitet  e saj”-tha Zguri.

Raste konkrete janë Lezha dhe Saranda, ku KZAZ-të nuk regjistruan kandidatët e pavarur. Pas vendimit të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor,  emrat e tyre figurojnë tashmë në fletët e votimit, të cilat në atë kohë nuk ishin prodhuar ende, gjë që shmangu koston shtetsë të prodhimit të fletëve të reja për tërë zonën. 

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›