E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 marsi, Berisha: Sfidë, barazia gjinore. Rama fokus te kriza ekonomike

Ndonëse e ka quajtur një sfidë për Shqipërinë barazinë gjinore, në këtë 8 mars kryeministri nuk ka humbur rastin për të folur për politikën e ditës. Ai i ka garantuar grave të partisë së tij përvecse më tepër vëmendje dhe akses në politikë, fitore në lokalet e 2011-s.

"Ne ia dolëm që në 28 qershor të realizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë ju ftoj ju të vazhdojmë betejën tonë, të ecim të sigurtë drejt zgjedhjeve lokale, të sigurtë për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, për një fitore të merituar", tha kryeministri Berisha.

Pak minuta më herët në takimin e tij me gratë socialiste, lideri i selisë rozë Rama u fokusua tek kriza ekonomike e cila ka bazën sipas tij tek kutitë e 28 qershorit.

"Këto kuti lidhen drejtpërdrejtë qoftë me ato të drejta të munguara, qoftë në ato gëzime të mohuara për të cilat flitet në tetë mars, dhe qoftë me atë krizë ekonomike që vazhdon. është e lidhur drejtpërdrejtë ajo që gjendet në ato kuti me atë që sot jetojnë qytetarët. Dhe pa ndryshuar fatin e kutisë së votimit nuk mund të ndryshojmë cilësinë e qeverisjes", tha Edi Rama, kreu i PS.

Liderët partiakë, Berisha dhe Rama, përvec urimit për festën e gruas e kanë quajtur këtë një ditë nderimi për figurën femërore. Kreu i socialistëve premtoi ndryshime në programin e partisë për të theksuar në të rolin e grave.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›