8 orët që shkërmoqën ngrehinën e Ramës si kryeministër i plotfuqishëm
Dekretimi i kryeministrit të ri të vendit u shoqërua me shfaqjen e Gramoz Ruçit në këmbë të Edi Ramës, duke i deklaruar opozitës se s’e kanë thirrur në parlament për ta pyetur. Duke mos e pyetur atë, Ruçi deklaroi se kryetari i tij i plotfuqishëm kish planifikuar që paraqitjen e programit të do bënte brenda 24 orëve nga ai moment e shfaqi shpresën se ndoshta vetëm një orë më vonë, edhe do të merrej votëbesimi, pasi Edvini s’kish shumë kohë për parlamentin, sepse e kishte axhendën shumë të ngjeshur. Ai enumeracion arrogant regjistron edhe modelin që i vjen parlamentit nga drejtoria e tij e komunikimit, e cila në fakt s’ka shumë faj pasi veç një metodë pune njeh, atë të autokratizmit të ojq-ve.
Pas ultimatumit, opozita deklaroi se po i nëpërkëmbeshin të drejtat e saj kushtetuese, për ta studiuar programin e qeverisë, por së pari për ta poseduar atë. Atëhere, ojq-ja që ka marrë pushtetin, u kujtua se në fakt kurrfarë programi s’u ish dorëzuar deputetëve, prandaj për të fituar kohë shpalli se ua kishte nisur të gjithëve, bashkë me një letër shoqëruese, duke besuar se ndërkaq diçka do të improvizohej. Nga ora 12 kur u mbajt mbledhja e Byrosë së Kuvendit e deri në orën 16, iu qendrua këtij improvizimi, por kur kaloi afati zyrtar dhe drejtuesit e Kuvendit njoftuan zyrtarisht se kjo prerogativë kushtetuese s’po përmbushej, zyra ojq-iste e Edvinit, për të ndihmuar kryetarin, i cili po shkumonte ndaj një opozite që s’paskësh ndërmend t’i nënshtrohej diktatit të tij, shpiku një sakrilegj tjetër, atë të publikimit të njëfarë dokumenti online, duke e quajtur të mbyllur procedurën. Por në ora 18, opozita shpalli formalisht se ishte në unison për të mos iu nënshtruar arrogancës së të majtës e për të patur kohën e saj që të përgatitet për debatin parlamentar. Kryeministrit të dekretuar veç 6 orë i ranë pendët, kur deputetët e vjetër të partisë i kujtuan se s’ishte e nevojshme të shfaqej arroganca ditën e parë të parlamentit e se ato që kërkonte opozita e re ishte mot’a’mot ajo që ata kishin kërkuar e marrë, qoftë në 2005-n e qoftë në 2009. Edvini s’mund të lejonte të zbythej që ditën e parë të hyrjes në parlament, prandaj i la edhe ca orë kohë, zyrës së tij të komunikimit, me shpresë se mos gjendej në wikipedia ndonjë mënyrë e re për t’ia hedhur Kuvendit të Shqipërisë e për të mos iu nënshtruar rregullave të lojës, të cilat po na i kërkokësh “opozita e Lulit”.
Por në ora 20, në selinë e PS-së ia behu kryeparlamentari Ilir Meta, i cili prej 1992 e ka idenë se në hierarkinë e një politikani e burri shteti në fillim është axhenda e institucioneve, pastaj axhenda politike e në fund axhenda e hajgareve dhe ekseseve. I paraqituri si “kryeministër i plotfuqishëm” u bind se ai duhej t’i bindej parlamentit, të mos i shmanget ballafaqimit publik me opozitën, sado fobi e tmerr të ketë nga kundërshtarët politikë. Klithjet e Edi Ramës “po kam takim të premten me Hashimin, o burr...”, “po më pret Brukseli në fillim të javës, o burr...”. E në fakt tek numërimi ai kish të drejtë. Se ç’mesazh do përcillte tek faktori politik shqiptar në Prishtinë, kur të deklaronte se s’e lashë opozitën as të ma lexonte programin, secili e merr me mend. Por edhe më ulëritës do të ish mesazhi për Brukselin, i cili të hënën do merrte vesh se dialogu mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri s’qenka çështje e madhësisë së numrave, por çështje e vendimmarrjes së një mazhorance arrogante për të mos instaluar kurrfarë dialogu me opozitën.
E si gjithmonë, kur Edi Rama u futet punëve të huaja, atyre që s’ua ka haberin, por ia taksin elitat e nomenklaturës, vjen një moment kur ai ul kryet mes duarve e mërmërit frazën “po tani o burr....me ndihmo o burr...”. Merret vesh se këshilla për kësi punësh puro shqiptare, Edi Ramës s’mund t’i vijë nga miku i blerë me para Alaster Kembëll, se ai boll halle ka këto kohë me alkoolin e rigjetur pas zbulimit të rakisë në Tiranë. A posteriori merret vesh, se himeni i plotfuqishmërisë së Edi Ramës u ça brenda 8 orëshit, nga fraza e Ruçit e deri tek përfundimi i takimit me Ilir Metën, kur zyra e PS njoftoi Kuvendin se seanca e (vetëm)leximit të programit do të mbahej jo në 11, por në orën 18, ndërkohë që debati për programin, do të mbahej të shtunën, pra plot 72 orë më vonë sesa parashikimi. Vendimi i lavdërueshëm ka qenë fryt i një koshience institucionale dhe ka shërbyer jo veç për të regjistruar fitoren e parë zëmadhe të një opozite të tkurrur në numra, por të vendosur për të luajtur sipas rregullave, por edhe për të ndalur legalizimin e një fasade kryeministrore, legalizimin e fasadës së Edi Ramës së plotfuqishëm. Këndej e tutje, Edi Rama do mendohet dy herë para se të nëpërkëmbë të drejtat e opozitës e para se ta shndërrojë parlamentin në një shtojcë të axhendës së tij personale. Ai duhet të marrë vesh se është i detyruar të njoftojë jo veç kur niset netëve jashtë shtetit për hajgare, por edhe kur shkon për terapi intensive e gjithashtu kur vendos që t’i shtojë banesës ku jeton edhe një hapësirë tjetër pa leje. Ai është dekretuar si kryeministër, por ajo që ka fituar me siguri, është një kontroll më i rreptë nga institucionet. Dashtë Zoti se ky “big brodher” publik do ta shndërrojë atë në një njeri më të mirë!