E Diel, 1 Nëntor 2026

8 shtatori, afati i fundit për dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti



Eljona Ballhysa
Tetë shtatori është data e fundit për Presidentin e Republikës, Bamir Topi, për të dekretuar zgjedhjet e ardhshme për drejtuesit e pushtetit vendor. Por çdo ditë që kalon, aq më shumë i shton pikëpyetjet për zhvillimin ose jo të këtyre zgjedhjeve. Kjo për faktin se politikanët nuk kanë nisur punën për realizimin e reformës zgjedhore, si dhe për faktin se ende nuk ka ndonjë deklaratë për dekretimin e këtyre zgjedhjeve. Vetë Presidenti i Republikës, i pyetur për këtë çështje pak kohë më parë, është shprehur se zgjedhjet vendore do të mbahen pranverën e ardhshme. Në bazë të Kodit Zgjedhor, Presidenti i Republikës duhet ta dekretojë datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit për të zgjedhurit vendorë. Sipas ekspertëve, data e fundit për dekretimin e zgjedhjeve është 8 shtatori. Pritet që në ditët e para të shtatorit, që përkojnë edhe më nisjen e legjislaturës së re parlamentare, kreu i shtetit të dekretojë datën e zgjedhjeve për pushtetin vendor. Megjithëse zgjedhjet vendore janë zgjedhje administrative, për shkak të klimës të ndezur politike zakonisht këto zgjedhje marrin natyrë thellësisht politike. Ndaj, debati për këto zgjedhje ka nisur shumë kohë përpara mbajtjes së tyre.
Kodi
Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë parashikon në nenin 8 të tij periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Në bazë të këtij kodi, zgjedhjet mund të mbahen në pranverë ose në vjeshtë. “Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”, - parashikohet në Kod. Më tej, në nenin 9, parashikohet caktimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti për zgjedhjen e përfaqësuesve në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa në nenin 10 parashikohet caktimi i datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor. Por, në të dyja rastet parashikohet që “data e zgjedhjeve caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij kodi dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit. Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, ose para mbarimit të mandatit të të zgjedhurve vendorë”, - parashikohet në Kod. Më tej në Kod parashikohet që mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
“Në rast të ndërprerjes së mandatit për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar, zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e drejtë nuk është ushtruar, ose data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se është ankuar në këtë gjykatë brenda afatit të nenit 115 pika 2 të Kushtetutës. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit”, - shkruhet në Kodin Zgjedhor.

Ish-kreu i KQZ-së, Kume: “Topi e partitë të mos humbin kohë për zgjedhjet vendore”

Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, shprehet i shqetësuar për afrimin e afateve maksimale ligjore, ndërsa ende nuk është ndërmarrë asnjë hap për reformën zgjedhore.
Ndryshimi i kuadrit ligjor zgjedhor kërkohet me ngulm edhe nga ndërkombëtarët për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Kume thotë se shqetësimit për afrimin e ekstremeve të afateve të përcaktuara me ligj i shtohet dhe situata e papërshtatshme politike për të zhvilluar procesin e ardhshëm zgjedhor, i cili, domosdo, kërkon të përfshijë brenda radhës reformën politike. “Po ecet me shpejtësi drejt afateve maksimale të parashikuara në ligj”, - nënvizon Kume. Ish- kryetari i KQZ-së bën apel për reflektim, për të mos realizuar punët në ekstreme ligjore. “As presidenti nuk ka pse të presë datën e fundit që përcakton ligji për të shpallur datën e zgjedhjeve, as klasa politike të mos presin datën e fundit për t’u angazhuar për të përgatitur kuadrin e ardhshëm ligjor”, - është shprehur Kume. Duke interpretuar Kodin Zgjedhor Kume thotë se Presidenti i Republikës Bamir Topi duhet të dekretojë shpalljen e datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore brenda 8 shtatorit. Sipas tij, 8 shtatori është afati maksimal që ligji i jep Presidentit.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›