Kodheli: “Berisha i jep tenderë kompanisë së bashkëshortit të deputetes Vokshi”
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste ka vijuar të denoncojë skandalet korruptive të qeverisë “Berisha”. Pas denoncimit të skandalit të ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, dje, përmes deputetes Mimi Kodhelim është denoncuar fakti se deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka marrë në mënyrë korruptive dy tenderë për hidrocentrale. Deputetja socialiste Kodheli ka treguar me dokumente të Këshillit të Ministrave favoret që i janë bërë deputetes Vokshi që në legjislaturën e kaluar, kur ka qenë këshilltare ekonomike e kryeministrit Sali Berisha.
Denoncimi
Sipas deputetes Kodheli, kryeministri Berisha, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka krijuar bonus kompanisë “Albaenergiaplus” të bashkëshortit të deputetes Vokshi në dhënien e dy tenderëve për ndërtim hidrocentralesh. Kështu, kryeministri Berisha ka shmangur konkurrencën e ndershme mes kompanive që kanë shfaqur interes për ndërtimin e hidrocentraleve. “Nëse do t’i referoheshim deklarimit të pasurisë së znj. Albana Vokshi, do të shihnim se kjo zonjë rezulton një nga deputetet me më pak të ardhura të Parlamentit shqiptar”, - u shpreh Kodheli, duke sqaruar: “Kompania ‘Albaenergiaplus’, e themeluar në vitin 2006 nga Arian Tartari, bashkëshorti i zonjës Vokshi, ka përfituar plot dy koncesione hidrocentralesh: Hidrocentralin Suha2 dhe një tjetër mbi lumin Kardhiq. Ajo çka të bën përshtypje është se në të dyja rastet, kompanisë së bashkëshortit të zonjës Vokshi i është dashur bonusi i dhënë nga Ministria e Ekonomisë për të dalë firmë fituese në tender. Thënë më thjesht, subjekti ‘Albaenergiaplus’, me aksioner të vetëm Arian Tartarin, ka përfituar dy koncesione për ndërtime hidrocentralesh në dy tenderë të korruptuar. Subjektit ‘Albaenergiaplus’ i Albana Vokshit, në atë kohë këshilltare për ekonominë e Berishës, i është dhënë me vendim të vetë kryeministrit, bonus prej 1% të pikëve në tenderin për hidrocentralin mbi lumin Kardhiq”. Deputetja Kodheli deklaroi se në datën 11 korrik 2007, po me vendim të kryeministrit Berisha, kompanisë së këshilltares për ekonominë Albana Vokshi i është dhënë një tjetër bonus në tender, këtë herë plot 10%, për të përfituar sërish një koncesion hidrocentrali, Suha 2.
Abuzimi
Deputetja Kodheli akuzon deputeten demokrate se ka abuzuar me detyrën duke ushtruar konflikt të hapur interesi për të përfituar vetë, përmes kompanisë së bashkëshortit, dy koncesione hidrocentralesh. Sipas saj, në të dyja rastet, koncesionet nuk i janë dhënë kompanisë së Albana Vokshit përmes ndonjë procedure të hapur konkurruese, por përmes bonuseve të dhëna në mënyrë të drejtpërdrejtë kompanisë në fjalë, me urdhër të kryeministrit Berisha, të këshilluar nga vetë Albana Vokshi.
“Ky është korrupsioni i qeverisë së Berishës. Ndërkohë që shqiptarët mbeten pa punë, pa pensione dhe zhyten çdo ditë e më shumë në varfëri, një grup shumë i ngushtë shërbëtorësh të Sali Berishës, pasurohen çdo ditë, në mënyrë abuzive dhe në konflikt të hapur interesi. Fatkeqësisht, bëmat e korrupsionit nuk mbarojnë me kaq. Në ditët në vijim do të keni mundësi të njiheni me të tjera raste korrupsioni, edhe më të rënda se këto”, - u shpreh Kodheli.
Paditë
Partia Socialiste ka depozituar pranë Prokurorisë jo pak, por nëntë padi ndaj ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e padive përmban akuzën e shpifjes ndaj deputetëve demokratë, ndërsa ministri i Ekonomisë, Prifti, akuzohet për korrupsion. Sipas PS-së, kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kreun e PS-së, Edi Rama, të paditurit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Pernaska, Erla Mëhilli dhe Dritan Prifti. Përsa u përket akuzave ndaj ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, PS-ja ka kërkuar që Prokuroria të vihet në lëvizje për të hetuar pasuritë e tij të padeklaruara. PS-ja i ka kërkuar Priftit të japë llogari për pasurimin e tij brenda një viti me 2 miliardë e gjysmë lekë. Ndërkaq, PS-ja është ndalur edhe në aferat korrupive të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ku nuk mbetet i paimplikuar sërish edhe ministri Prifti. Ka qenë deputeti socialist Eduard Shalsi që deklaroi se të dy ministrat kanë nxjerrë në proces privatizimi Fushën e Aviacionit. Ndërkohë që, nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës elektorale pati premtuar se do ta shndërronte atë në park publik.
6 Gusht 2010