Kandidati për ambasador i SHBA-ve, Arvizu: “Politikanët shqiptarë mendojnë për interesat e tyre”
Kandidati i propozuar nga presidenti Obama për ambasador të SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, është shprehur dje gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan se politikanët shqiptarë mendojnë më së shumti për interesat e tyre, sesa për interesat e popullit shqiptar. Gjatë fjalës së tij në Senat, Arvizu ka vlerësuar kontributin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në Afganistan e në vende të tjera. Ai gjithashtu ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit duke nxitur marrëdhënie miqësore mes të gjitha vendeve. Po kështu, Arvizu është shprehur se SHBA-të kanë shumë ndikim në Tiranë dhe se, nëse ai do të zgjidhet ambasador në Shqipëri, do të dijë ta përdorë me mençuri këtë ndikim. “Vitet e fundit sollën ndryshime të rëndësishme në Shqipëri, që bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Shqipëria ka dhënë kontribut të çmuar me praninë e saj në misionet paqeruajtëse në Kandahar, në Afganistan, duke çuar gjithsej në 300 trupa ushtarake shqiptare në këto misione. Shqipëria gjithashtu ka dhënë kontributin e saj duke pranuar integrimin e personave nga Guantanamo. Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit dhe përkrah politikën e SHBA-ve për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, - është shprehur Arvizu gjatë fjalës së tij në Senatin amerikan. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se gjatë vitit 2009 Shqipëria ishte një nga të paktat vende me rritje ekonomike, gjë që pritet të përsëritet edhe për këtë vit. Ndërkaq, gjatë fjalës së tij, Arvizu e ka vënë theksin në domosdoshmërinë që vendi t’u përmbahet parimeve të NATO-s për sa i përket respektimit të institucioneve të pavarura. Ai gjithashtu ka deklaruar se korrupsioni vazhdon të mbetet i lartë dhe një plagë e pashëruar për Shqipërinë. Në fjalën e tij, ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve, që pritet të zëvendësojë Withers-in, ka kritikuar politikanët shqiptarë, të cilët, sipas tij, mendojnë më shumë për interesat e tyre, sesa për ato të kombit shqiptar. “Shqipëria mbetet e mbërthyer në trashëgiminë e politikës që ka një mungesë të madhe besimi mes maxhorancës dhe opozitës”, - është shprehur Arvizu. Ai e ka mbyllur fjalën e tij duke bërë të ditur se SHBA-të kanë një ndikim të madh në Shqipëri dhe se ai, në rast se votohet për të qenë ambasador në Shqipëri, do të dijë ta shfrytëzojë me mençuri këtë ndikim.
Presidenti i SHBA-ve, Obama, mesazh falënderimi Topit e Berishës
Kryeministri Berisha dhe presidenti Topi morën dje një mesazh të njëjtë falënderimi nga Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, ku u shpreh mirënjohjen për mesazhin e dërguar për Festën e Pavarësisë. Në mesazhin e presidentit Obama drejtuar krerëve të shtetit shqiptar shkruhet se idealet me të cilat Amerika ndërtoi demokracinë dhe lirinë mbeten po aq të rëndësishme sot, aq sa kanë qenë në kohën kur SHBA-të shpallën pavarësinë. Ai uron që këto ideale të përqafohen nga të gjithë popujt e botës në të ardhmen. “Dëshiroj t’Ju falënderoj për mesazhin e ngrohtë dhe urimet e përzemërta në këtë moment kur populli amerikan feston përvjetorin e 234-t të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Idealet mbi të cilat Amerika ndërtoi demokracinë, lirinë dhe dinjitetin mbeten po aq të rëndësishme sot, sa ç’ishin edhe në vitin 1776. Është në besimin tim që këto ideale do të përqafohen një ditë nga popujt e të gjithë botës”, - ka shkruar në mesazhin e tij drejtuar Berishës e Topit, Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama.
6 Gusht 2010