E Hënë, 2 Nëntor 2026

8 vjet burg tutorit të dhunshëm të minorenes

03/03/2005  FIER - Gjykata e rrethit Fier ka dënuar dje me 8 vjet burg të pandehurin Skëndër Rexhepi (Johanu) për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese. Gjatë shqyrtimit të procesit gjyqësor doli e vërtetuar se i pandehuri është hetuar në lidhje më këtë akuzë pas kallëzimit të shtetases R.Z., me banim në një fshat të Tiranës. Ashtu siç ka dalë gjatë seancave gjyqësore, ngjarja ka ndodhur në vitin 1998 dhe ka vazhduar deri në 1999, kohë kjo 10-mujore, kur i pandehuri Skënder Rexhepi e ka shfrytëzuar shtetasen e mësipërme si prostitutë në Itali, në qytetin e Bolonjës.

Shfrytëzimi

Vajza, nga fshatrat e Tiranës, është njohur me të pandehurin në një nga rrugët e qytetit të Bolonjës, gjatë kohës kur ajo punonte si prostitutë. Skënder Rexhepi, sipas asaj që është thënë në seancën e gjykimit të tij, shkon tek ajo fillimisht si çdo klient i zakonshëm, por më pas vazhdon më tej lidhjet e tij dashurore me të. Pas tre muajsh, ai i ka premtuar se do ta largonte atë nga profesioni i prostitutës, propozim të cilin vajza R.Z., e ka pranuar menjëherë. Të dy së bashku, ata janë vendosur në një apartament në qytetin e Bolonjës, ku ndodheshin edhe dy prostituta të tjera. Pas dy muajsh, Rexhepi e ka nxjerrë atë në rrugë, duke e detyruar të ushtrojë përsëri prostitucion. Rreth 7 muaj më vonë, pasi ka filluar këtë punë në kushtet e presionit dhe keqtrajtimit, R.Z., vendos të largohet, por qëllimi i saj kuptohet nga tutori Rexhepi, i cili e çon atë në një vend tjetër, në periferi të Bolonjës. Atje tutori e keqtrajton fizikisht, e rreh dhe e godet me një mjet të mprehtë në ijen e djathtë, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup, mjekimin e të cilave ajo e bënte në shtëpi. Pas përmirësimit, ajo vazhdon të prostituojë edhe për 10 muaj të tjera, deri në momentin që kapet nga policia italiane.

Denoncimi

Për shkak të moshës së vogël minorene (atëherë R.Z., ishte vetëm 16 vjeçe) policia e vendos atë në një institucion murgeshash, në qytetin e Romës, ku qëndron një vit e gjysmë dhe pas këtij intervali ajo largohet në Belgjikë. Atje, ish-prostituta

qëndron tre vjet, deri në 2003, kur ajo kapet nga policia gjermane gjatë tentativës së kalimit nga Belgjika për në Suedi, dhe përcillet për në Shqipëri. Para oficerëve të policisë gjyqësore të Drejtorisë së Tiranës, ajo ka kallëzuar gjithë ngjarjen, ku ka përmendur edhe emrin e fierakut si tutor të saj Në lidhje me këtë akuzë të ngritur prej R.Z., i pandehuri nuk ka pranuar asgjë, duke mohuar madje dhe njohjen me të, duke u shprehur se "nuk e njoh dhe nuk e kam takuar gjatë kësaj kohe që ajo më akuzon. Në këtë kohë, unë kam qenë me gruan time në një qytet të Italisë".

Vendimi

Nga seancat gjyqësore, të drejtuara nga gjyqtarja Adelina Zarka, e gjithë kjo është cilësuar një alibi, pasi nuk është provuar me asnjë dokumentacion apo prova shkresore të tjera të marra në rrugë ligjore. Në këto kushte Gjykata e rrethit gjyqësor Fier e ka deklaruar të pandehurin Skënder Rexhepi fajtor, me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese, duke e dënuar me 8 vjet burg, aq sa ka kërkuar edhe prokurori Erion Çela.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›