E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gripi, pacientët rresht në spitale

03/03/2005  Ndryshon virusi, shqiptarët pa imunitet. Mjekët: Me temperaturë të lartë, mos rrini më në shtëpi

Urgjencat e spitaleve plot me pacientë. Prek çdo moshë, kujdes të sëmurët me zemër

Gripi është në pikun e tij. Urgjenca e Spitalit Pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare është plot, po ashtu dhe urgjenca e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, në gatishmëri për gripin është vendosur dhe urgjenca e Spitalit Ushtarak. Në urgjencën e Pediatrisë, këto ditë, janë shënuar deri në 100 pacientë të vegjël, që kanë kërkuar ndihmën e shpejt. Deri 70-80 pacientë në 24 orë janë paraqitur në dy të tjerat, në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme dhe në atë Ushtarak. Mjekët u bëjnë apel të gjithëve që të mos neglizhojnë me mbajtjen e fëmijëve për disa ditë rresht në shtëpi me temperaturë të lartë dhe trajtimin e tyre vetëm me paracetamol.

Urgjenca

Një natë më parë, urgjenca e Spitalit Ushtarak ishte plot me të sëmurë me grip dhe jo vetëm fëmijë, por të të gjitha moshave. Duke qenë se krevatet ishin të zënë me ata që kishin dhe komplikacione, apo temperaturë, më “të shëndoshëve” ju bëhej serumi në kushte jo komode. Një e re, rreth 25 vjeçe, e merrte serumin, ndërsa qëndronte ulur në karrige, ndërsa dy fëmijë, njëri i shtrirë nga koka e tjetri nga këmbët merrnin serum, duke qëndruar në një krevat. Nuk është shtama e gripit që gjendej në tri vitet e fundit në Shqipëri, këto muaj është shfaqur një tjetër shtam California A 7, i cili është shfaqur me temperaturë të lartë, deri 40 gradë dhe me komplikacione, të ftohtë deri në bronkopneumoni. Në këto raste, mjekët janë të detyruar që t’u japin pacientëve receta me antibiotik dhe kompleks vitaminash.

Sa e vështirë për të pranuar epideminë

Virusi i identifikuar këtë vit në qarkullim është Kalifornia A 7, sipas ISHP-së. Fillimisht, Instituti i Shëndetit Publik nuk u shqetësua shumë, megjithë rastet e publikuara në media, duke thënë se nuk ka epidemi dhe se qarkullonte i njëjti shtam me vitin e kaluar. Dy javë më parë pohuan se përhapja po merr një tjetër hov, me të ftohtin e këtyre ditëve. Ndërkohë, para një jave, u veçua Tirana dhe Korça, për numrin më të madh të të sëmurëve, ndërsa këto ditë janë përfshirë të gjitha rrethet.

Komplikacionet

Specialistë të Institutit të Shëndetit Publik bëjnë të ditur se në vend është i pranishëm gripi California A 7, i predispozuar të prekë më shumë moshat e treta dhe fëmijët. Megjithëse deri në këto momente nuk janë identifikuar raste komplikacionesh, mjekët tërheqin vëmendjen se të prirur për të tilla janë të moshuarit, që kanë probleme me zemrën. Ndërkohë, kur pacienti kalon në bronkopneumoni, por nuk kurohet në kohë dhe ka temperaturë të lartë kalon në milingjit, infeksion të cipës së trurit. Mjekët nuk pohojnë ndonjë rast të tillë komplikacioni. Ndërkohë që para disa ditësh në reaminacionin e spitalit infektiv ishte një fëmijë në moshën 11 vjeç, në gjendje koma.

Bashkë me gripin, ndryshon

dhe formula e vaksinës

Sa herë që shfaqet epidemia e gripit, virusi ka përmbajtje të ndryshme nga ajo e një viti më parë dhe merr emrin nga zona ku shfaqet për herë të parë. Kjo bënë që formula e vaksinës të ndryshojë nga viti në vit. Nuk duhet harruar që vaksina e gripit prodhon antitrupa vetëm për një periudhë 6-mujore, motiv për të cilin, në fakt, vaksina duhet bërë dy herë gjatë sezonit të ftohtë: herën e parë në tetor-nëntor dhe herën e dytë në fillim të pranverës, kur shfaqen të tjera lloje virusesh gripale. Në atë periudhë del edhe vaksina që i përshtatet virusit të ri. Vaksnimi, a është i detyrueshëm për fëmijët, të moshuarit dhe për personat që vuajnë nga sëmundje kronike, si ato kardiovaskulare (zemre), veshka, diabet, anemi të rënda, sëmundje imunitare (SIDA).

Shenjat:

Dhimbje e muskujve

Fotofobia (nuk e duron dritën)

Tështimat dhe hunda

Temperaturë

Komplikacionet:

Temperaturë e lartë

Bronkopneumoni

Milingjiti

Trajtimi:

Paracetamol

Lëngje

Për komplikacione

Antibiotik dhe

kompleks vitaminash

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›