E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tatimet dhe doganat 5.6 miliardë lekë humbje në 2004

03/03/2005  Dëmi ekonomik ka ardhur si pasojë e evazionit fiskal dhe abuzivitetit të administratës

Disa nga punonjësit e kësaj administrate kanë shkelur qëllimisht legjislacionin, kanë vepruar në mënyrë subjektive dhe abuzive, duke mbajtur qëndrime diferencuese ndaj subjekteve tatim-paguese

Pas punës së gjatë investiguese në sektorët që prodhojnë më shumë para në buxhet, KLSH-ja ka arritur në përfundimin se, dogana–tatimet kanë shkaktuar dhe shumë humbje, përveç të ardhurave. “Me gjithë rritjen e realizimit të të ardhurave nga kontrolli në 2004-ën, kanë rezultuar një sërë fenomenesh negative dhe shkelje e disiplinës financiare me dëm ekonomik, prej 552.6 milionë lekë, nga të cilat 3.2 miliardë në tatime dhe 2.2 miliardë në dogana”, ka bërë të ditur në Raportin e vet, të dorëzuar ditët e fundit në Parlament, KLSH-ja. Fatura e dëmit që tatim-taksat kanë lënë në derën e buxhetit është 3.4 miliardë lekë të vjetra. Por sektori i financave duhet të japë llogari dhe për një tjetër faturë që ka ardhur nga doganat dhe që vlerësohet të jetë jo pak, por 2.2 miliardë lekë të vjetra. Shkelje të konstatuar nga KLSH-ja kanë qenë në të shumtën e rasteve, shmangie të subjekteve nga detyrimi për të paguar tatimet, çka përbën dhe rastin më të pastër të evazionit fiskal dhe paaftësisë së administratës së sistemit tatimor për të ndaluar fenomenin. KLSH-ja, madje në gjykimet e saj nuk ka ngurruar të precizojë se humbjet kanë ardhur pikërisht si pasojë e paaftësisë së administratës. “Disa nga punonjësit e kësaj administrate kanë shkelur qëllimisht legjislacionin, kanë vepruar në mënyrë subjektive dhe abuzive, duke mbajtur qëndrime diferencuese ndaj subjekteve tatim-paguese”, ka bërë të ditur KLSH-ja në Raportin e vet. KLSH–ja e mbështetur në problemet dhe fenomenet negative të evidentuara në organet e sistemit fiskal, ka bërë përcaktimin e fushave prioritare dhe me risk të lartë, duke përpunuar një sistem të dhënash. “Për këtë qëllim, ne kemi bërë publikimet e nevojshme në buletinet periodike, duke evidentuar të gjithë subjektet fituese të tenderave të ndërtimeve, shërbimeve dhe blerjeve, si dhe vlerat e prokuruara”, ka bërë të ditur KLSH-ja në raportin vjetor.

Tatimet

Bilancet financiare me humbje është tema e hidhur që vazhdon të përmendet në raportet e KLSH-së dhe shigjeton ashpër Drejtorinë e Tatimeve. Nga kontrolli në 2004-ën, rezulton se tatimorët kanë pranuar 494 bilance me humbje. Ajo që e bën më të hidhur këtë histori, është fakti se degët e tatimeve në rrethe, ku janë evidentuar këto bilance, i kanë kaluar pa asnjë kontroll dhe nuk kanë marrë mundimin të bëjnë klasifikimin e tyre, sipas riskut dhe evazionit fiskal. “Në mjaft raste komisionet e shqyrtimit të bilanceve në mënyrë subjektive dhe të paargumentuar kanë synuar mbylljen e pozicioneve kreditore, uljen e humbjeve apo tatim-fitimin deri në nivelin e parapagimit”, bën të ditur raporti i KLSH–së. Ndërkaq, TVSH-ja duket se është një nga taksat më problematike, ku në rreth të kuq nuk janë vetëm subjektet private, por dhe institucione shtetërore. Kështu nga kontrollet e bëra, ka rezultuar se Ministria e Arsimit, ajo e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, kanë bërë blerje me vlerë 5.9 miliardë lekë dhe me faturë TVSH–je, 1 miliardë lekë. Por nga 4480 fatura të kontrolluara në disa rrethe, rezulton se dëmi financiar i ardhur vetëm nga këto tre institucione për mosarkëtim të TVSH–së, është 236 milionë lekë.

Doganat, gabime me referencat dhe legjislacionin

Dogana ka patur pjesën e vet të konsiderueshme të humbjes në sektorin financiar. Duke filluar nga regjime në magazinat doganore e deri në mosarkëtimin e tarifave të shërbimit, doganat kanë numëruar një humbje prej 2.2 miliardë lekësh. Kështu, duket se vetëm nga moszbatimi i regjimit në magazinat doganore, dëmi që i ka ardhur arkës së shtetit është 71.5 milionë lekë. Rreth 2 milionë lekë janë humbjet nga mosarkëtimet e shërbimeve. Ndërkaq dega e doganës së Tiranës nga mospërdorimi i kartës teknologjike, ka sjellë një humbje prej 7.8 milionë lekësh. Në pjesën e errët të gabimeve, KLSH-ja ka kujtuar në adresë të doganave edhe çështjen e çmimit të referencave. “Nuk janë administruar në mënyrë të vazhdueshme të dhënat e dërguara nga misioni i asistencës doganore ‘Cam–Albania’ dhe nuk janë grumbulluar në asnjë rast informacione në lidhje me çmimet në tregun shqiptar”, ka bërë të ditur KLSH-ja. Në listën e mangësive, KLSH-ja ka përmendur dhe përdorimin pa kriter të tarifave preferenciale si dhe plotësimin e praktikave të zhdoganimit pa dokumentacionin e nevojshëm.

Humbjet nga tatimet 341.211.000

Mosdeklarimi i faturave tatimore nga shoqëritë anonime

Mospagimi nga subjektet e tatim-fitimit dhe TVSH–së

Mosdeklarim i faturave të TVSH-së

Shkelje financiare e subjekteve të financuara nga PMU–ja

Mosndalimi i tatimit mbi të ardhurat personale

Llogaritje e gabuar e tatimit mbi të ardhurat personale

Mosmbajtjes së tatimit në burim

Mosvjelja e taksave në ndërtimet e reja

Mosarkëtimi i 5 përqindëshit të taksës së pullës

Humbjet nga dogana 226.300.000 lekë

Ndryshimi i padrejtë i sistemit tarifor të mallrave nga DPD

Mosrespektimi i kartave teknologjike në regjimin e përpunimit aktiv

Mosllogaritja e kamatvonesave dhe TVSH–së nga mospërfshirja në vlerën e mallrave për qëllime doganore të shpenzimeve

Shkelje të konstatuara në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave

Humbje nga tatimet

3.4 miliardë lekë

Humbje nga doganat

2.2 miliardë lekë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›