E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eksploziv në shtëpinë e kreut të KESH

03/03/2005  400 gramë tritol kanë plasur në dritaren e banesës së Luan Hysit, fatmirësisht pa viktima

Burrel – Eksploziv në shtëpinë e përgjegjësit të nënstacionit të Korporatës Energjetike në Burrel. Një shpërthim i fuqishëm, pak pas mesnatës së djeshme, ka ndodhur në banesën e shtetasit Luan Hysi, por, për fat, pa shkaktuar viktima. Lënda plasëse është vënë nga persona ende të paidentifikuar nga policia, e cila po merret me zbardhjen e kësaj çështjeje. Deri më tani, blutë kanë bërë të ditur se po hetojnë në disa pista, të cilat kanë të bëjnë me profesionin e Hysit, ndërsa pistat e tjera janë ato të ndonjë hakmarrjeje të mundshme, pas ndonjë konflikti të atij vetë apo të të afërmve të tij.

Ngjarja

Shpërthimi i eksplozivit ka ndodhur një orë pas mesit të natës, së të hënës, në Lagjen e Re, në Burrel. Përsona ende të paidentifiukuar kanë mundur që të vendosin në dritaren e dhomës së pritjes së Hysit një sasi rreth 400 gramë lëndë plasëse, që dyshohet të këtë qenë tritol. Ndërsa e tërë familja prej gjashtë përsonash, ka qenë në gjumë në momentin e shpërthimit. Sipas burimeve policore dhe atyre mjekësore nga Burreli, mësohet se, fatmirësisht, nga shpërthimi i fuqishëm ka patur vetëm dëme materiale dhe se asnjë nga pjesëtarët e familjes Hysi nuk ka pësuar asnjë plagë, përveç tronditjes psikologjike. Po të njëjtat burime nga ana e policisë Burrel bëjnë të ditur se eksplozivi ka qenë vendosur në parmakun e dritares, i pa mbuluar. Kjo ka ndikuar që shtëpia e Luan Hysit të mos shkatërrohej plotësisht, por vetëm një pjesë e saj. Megjithëse banesa e familjes Hysa ka qenë pothuajse komplet e rrethuar nga shtëpi të tjera, personat që kanë vendosur tritolin dy net më parë kanë mundur të arrijnë qëllimin e tyre me lehtësi pa u vënë re. Po kështu shtëpia e Luan Hysës ishte njëkatëshe dhe me një rrethim me avlli, pothuajse të shkatërruar.

Hetimi

Menjëherë pas shpërthimit, uniformat blu të policisë së Burrelit kanë mbërritur në vëndin e ngjarjes. Ata u kanë dhënë ndihmën e parë familjarëve, ndërsa kanë filluar rrethimin komplet të rrugëkalimeve, që lidhnin qytetin e Burrelit me rrethet e tjera. Po kështu edhe policia e Qarkut të Dibrës është mobilizuar e tëra, por deri tani nuk është zbuluar asnjë person, që mund të ketë marrë pjesë në vendosjen e eksplozivit. Burime zyrtare të policisë së Burrelit bëjnë të ditur se deri tani kanë kanalizuar hetimet në tre pista kryesore. Sipas burimeve të policisë, pistat, në të cilat vazhdojnë kërkimet për të indentifikuar autorët, janë kryesisht ato të hakmarrjes. Hetimet, bëhet e ditur se, janë përqëndruar në ndonjë hakmarrje të mundshme, pas ndonjë konflikti që mund të ketë patur Luan Hysa me ndonjë bashkëqytetarë, apo edhe brenda familjes. Një pistë e dytë, në të cilën po hetohet është edhe detyra që shtetasi Luan Hysa mban në Burrel, pasi ai është përgjegjës i nënstacionit të KESH-it të këtij qyteti dhe pista e tretë, ku po hetohet është ndonjë “përzierje” e të afërmve të tij, të cilët mund të kenë patur konflikte për afera a tendera, pasi një nga vëllezërit e Luan Hysit është pronar i një firme private.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›