Plagoset me çifte aksidentalisht nga fqinji
03/03/2005 FIER - Rreth orës 17.30 të ditës së hënë, një 46-vjeçar dyshohet se është plagosur aksidentalisht nga ndonjë fqinj i tij, akoma i paidentifikuar. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Fierit mësohet se shtetasi Lutfi Idrizi, i cili ndodhej brenda në banesë, ka dëgjuar pasditen e së hënës disa të shtëna çifteje dhe nga kurioziteti ka dalë në oborrin e shtëpisë. Teksa po shikonte se nga vinte zhurma e çiftës dhe në ç’drejtim po qëllohej, një prej saçmeve të saj, fatkeqësisht, e ka goditur pas shpine Lutfi Idrizin, duke e rrëzuar përdhe. Menjëherë të afërmit e familjes e kanë marrë dhe e kanë çuar në spitalin e Fierit, nga ku mësohet se 46-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën. Pas ngjarjes së ndodhur është vënë në dijeni dhe policia e këtij qyteti. Uniformat blu të Fierit nuk kanë vonuar që të shkojnë në vendin e ngjarjes dhe të fillojnë hetimin për gjithçka ka ndodhur. Pasi kanë bërë këqyerjen e vendit të ngjarjes dhe kanë marrë në pyetje disa dëshmitarë, policia po punon për gjetjen e personit, i cili po gjuante me çifte. Blutë kanë marrë në pyetje disa banorë të atij blloku ku jetonte Lutfi Idrizi, por akoma nuk kanë arritur të identifikojnë autorin.