8 vjet pas marrëveshjes së Ohrit, ceremonia bojkotohet nga shqiptarë e maqedonas, duke konfirmuar problemin shtetformues të FYROM-it
Me rastin e tetë vjetorit të firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit, në Mavrovë Sekretariati për zbatimin e këtij dokumenti organizoi një pritje solemne, ku morën pjesë një numër i madh të ftuarish nga pushteti qendror dhe lokal, përfaqësues të partive politike si dhe përfaqsues të trupit diplomatik të akredituar në vend. Por në mesin e 600 të ftuarve, munguan Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Kryeministri Nikolla Gruevski dhe Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski. Ndërkohë nga nënshkruesit e këtij dokumenti historik, mori pjesë vetëm lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski. Në këtë pritje morën pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Filip Riker si dhe ai i Bashkimit Evropian Ervan Fuere. Tetë vjet më parë me firmosjen e Marrëveshjes së Ohrit, iu dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni. Marrëveshja synonte të ruante integritetin territorial të vendit, të përmbushte kërkesat e shqiptarëve për vetëqeverisje vendore, si dhe të kryente ndryshime kushtetuese dhe ligjore që përcaktonin qartë të drejtat e popujve që jetojnë në Maqedoni. Marrëveshja Kornizë për zgjidhjen e situatës politike dhe asaj të sigurisë, u firmos nga ish Presidenti Boris Trajkovski, ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe ish Kryeministri Lubço Georgievski, kryetari i LSDM-së Branko Cërvenkovski, kryetari i PPD-së Imer Imeri dhe ai i PDSH-së Arbën Xhaferi. Dokumenti u nënshkrua nga dëshmitarë zyrtarë si dhe nga përfaqsuesit e komunitetit ndërkombëtar, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.
Zyberi rrëfen Marrëveshjen e Ohrit
Tensione të skajshme që ndonjëherë janë kufizuar edhe me mundësi për ballafaqim fizik, presion i madh ndërkombëtarë dhe frika nga një luftë totale qytetare. Kjo ka qenë atmosfera në të cilën janë zhvilluar negociatat dyjavore mes palës shqiptare dhe maqedonase për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, të cilën në një intervistë mediatike e zbulon, ish-Sekretari i përgjithshëm i Partisë për Prosperitet Demokratik Naser Zyberi, një nga pjesëmarrësit më aktiv në negociatat për arritjen e marrëveshjes së Ohrit. Si pika më të nxehta në negociatat mes palës shqiptare dhe maqedonase Zyberi e përmendë çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe. Zyberi si gabim të madh e përmend edhe mospjesmarrjen e përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Negociata dhe mosnënshkrimin e këtij dokumenti nga ana e përfaqësuesve të UÇK-së. Ai thotë se marrëveshja përmban shumë mangësi dhenë vete nuk ka përfshirë shumë gjëra të rëndësishme për shqiptarët. Tetë vite më vonë, Zyberi thotë se kjo Marrëveshje nuk mundet t’i përmbushë të gjitha kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë, andaj vlerëson se duhet të kërkohen forma të reja për avancimin e kësaj marrëveshje.
...