Fidel Kastro mbush 83 vjeç, ekspozitë me 83 profile
Fidel Kastro ka mbushur 83 vjeç dhe Kuba i dedikon një ekspozitë fotografike, në të cilën shfaqet edhe një foto e fundit e tij e realizuar nga i biri, Alex, fotograf profesionist. Në imazhin e fundit, Kastro shfaqet më në formë se fotografitë e tij të publikuara rrallë pas operacionit kirurgjikal që ai iu nënshtrua tre vite më parë. Ekspozita titullohet “83 Motivos”, përfshin 80 foto dhe tre portrete të pikturuara të Fidel Kastros. Edhe pse foto e fundit e tregon atë në formë të shkëlqyer dhe duket si një njeri plotësisht i shëndetshëm, që mund të shëtisë në rrugët e Havanës i qetë, ish-lideri kubanez nuk ka dalë në publik që në vitin 2006, kur u shtrua me urgjencë në spital për të kryer një operacion kompleks kirurgjikal që i shpëtoi jetën. Në rezidencën e tij nuk mund të depërtojë asnjë fotograf apo gazetar. Askush nuk e di saktë se ku jeton dhe mbi daljet e tij në ambiente publike ka vetëm zëra të pakonfirmuara. Vendin e tij në pushtet, që pas sëmundjes, e ka zënë i vëllai, Raul Kastro, 78-vjeç. Presidenti i ri i Kubës konsultohet shpesh me të vëllanë për çdo argument me rëndësi. Megjithatë Fideli nuk ka qëndruar duarkryq. Sapo u shërua dhe doli nga spitali ai ka mbledhur rreth vetes, në vendin e tij sekret për shumë takime, njerëz të rëndësishëm të politikës, shkrimtarë, krerë shtetesh e simpatizues të Kubës duke marrë një rol në arenën ndërkombëtare, falë të cilit vazhdon të shfaqet në mediat e të gjithë botës. Ai ka shkruar 250 kolona me “Refleksione”, ku flet për shumë argumente kryesisht raportet mes SHBA-së dhe Amerikës Latine. Kastro e ka favorizuar ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të Barak Obamës.