Thoma Miço themelon në PBDNJ lëvizjen “Dule ik”
Nënkryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Thoma Miço deklaroi sot se "Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë". Gjatë një prononcimi për mediat, Miço u shpreh se "Dule doli nga koalicioni me PD-në, për shkak të një marrëveshje të fshehtë që kishte bërë me Edi Ramën 7-8 muaj para zgjedhjeve, të cilën nuk e kishte publikuar asnjëherë në organet drejtuese të partisë". "Për të mbajtur fjalën që i kishte dhënë zotit Rama për të qenë në koalicion me të majtën, ai priti derisa Berisha të nënshkruante një marrëveshje me PDI-në që të aludonte se pikërisht përçarja ose divorci politik me Sali Berishën ka për shkak këtë marrëveshje", tha Miço. Sipas tij, "Dule është futur në tratativa edhe me krerët e PDI-së, duke u premtuar atyre se në një të ardhme të ndryshimeve politike në Greqi, ai do të negociojë për zgjidhjen e problemit të tyre për pronat". "Kjo është një çudi që nëse do të ishte e vërtetë, do të thotë se zoti Dule ka marrë një përgjegjësi shumë të madhe", tha më tej Miço. Partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, gjatë 8 viteve të kaluara ka qenë njëherë pjesë e koalicionit të majtë qeverisës dhe një herë i së djathtës, ndërsa për zgjedhjet e 28 qershorit, nënshkroi marrëveshjen elektorale me PS-në duke u bërë pjesë e koalicionit të majtë, paçka se vendimi ishte një arbitraritet i kryetarit në detyrë dhe jo një vendim politik i kryesisë së kësaj partie. Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, PBDNJ fitoi mandatin e 1 deputeti.
...