“Radhë të gjata” për krime të luftës në Kosovë
Misioni EULEX në Kosovë ka raportuar hetime për më shumë se 1200 raste të krimeve të luftës, të kryera në fund të viteve ‘90. Çështjet ende të pazgjidhura, EULEX i ka trashëguar nga UNMIK, i cili prej disa muajsh e ka përfunduar rolin e tij në fushën e policisë dhe drejtësisë në Kosovë. Por në shumë raste, edhe pse informacionet dhe bindjet janë të plota, mungesa e provave dhe e dëshmitarëve për EULEX-in do të bëjë që shumë çështje të pezullohen. Një zëdhënëse e EULEX, Kriistina Herodes, tha se “Ne duhet të heqim dorë nga disa raste, sepse nuk ka prova dhe dëshmitarë të mjaftueshëm apo ato nuk janë krime lufte”, pasi dhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, mbledhja e dëshmive për krimet e kryera gjatë viteve 1998-’99, që morën jetën e rreth 12 mijë njerëzve, duket të jetë një punë shumë e vështirë. Të martën mbrëma në rrethin e Prizrenit, policia e Kosovës arrestoi një qytetar serb, ndaj të cilit po zhvillohen hetime për përfshirjen e mundshme në krime lufte. Por është e parakohshme të thuhet nëse i arrestuari, Goran Vuçkoviq, 33 vjeç, ka kryer krime lufte. Herodes tha se hetimet për të identifikuar kryerësit e krimeve të luftës po bëhen jo vetëm ndaj serbëve, por edhe ndaj shqiptarëve. “Ne po merremi me të gjitha komunitetet, puna jonë është që të punojmë në të gjitha rastet, pavarësisht përkatësisë etnike”, theksoi ajo.