Eliminimi i bandës së Dritan Dajtit, një ngushëllim për jetën e humbur të katër oficerëve të policisë
Kryeministri Sali Berisha ndan momentet e dhimbjes dhe të ngushëllimit me familjet e 4 oficerëve të rënë në krye të detyrës. “Mes të qenurit gjallë dhe zbatimit të ligjit, ata zgjodhën ligjin, sepse ata janë heronj, u tha kryeministri familjarëve të të rënëve, sepse Ata faktuan se ky është morali dhe shpirti i policisë. Kjo humbje është një dhimbje e madhe për të gjithë, por heroizmi i tyre është frymëzues për çdo shqiptar”.
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje familjet e katër oficerëve të Policisë së Shtetit, që ranë në krye të detyrës një javë më parë në Durrës, gjatë një operacioni special, për kapjen e kriminelit të shumë kërkuar nga drejtësia shqiptare, Dritan Dajti.
Kreu i qeverisë, Berisha, ndau për disa momente, pikëllimin e thellë, me familjarë, fëmijë dhe të afërm të drejtuesit Fatos Xhani, kryeinspektorëve Saimir Duçkallari, Katriot Feskaj dhe Altin Dizdari. Berisha u shprehu familjarëve ngushëllimet më të thella të tij dhe të qeverisë që ai drejton për humbjen e jetës së njerëzve të dashur të tyre, duke vlerësuar se kjo humbje është një dhimbje e madhe për të gjithë, por heroizmi i tyre është frymëzues për çdo shqiptar.
Duke e cilësuar aktin e tyre heroik, shefi i ekzekutivit Berisha, u shpreh se kjo është një dhimbje që, po aq sa familjarët, e kanë ndjerë të gjithë shqiptarët.
“Të katër ranë vetëm e vetëm se donin të zbatonin ligjin. Ata dhanë jetën, për atë që është më e shtrenjtë për gjithë shqiptarët, për sigurinë, qetësinë, rendin dhe ligjin. Dhimbja është e madhe, por banda u eliminua dhe kjo është ngushëllim për jetën e tyre”, deklaroi kryeministri.
Sipas kreut të qeverisë, beteja kundër krimit, është një betejë jetike për shqiptarët dhe sakrifica e efektivëve të policisë ka qenë, është dhe do të jetë përcaktuese për të ardhmen e vendit tonë.
“Ata ishin më të mirët e më të mirëve, kishin një karrierë të shkëlqyer dhe ranë vetëm sepse donin të zbatonin ligjin. Ata nuk donin të qëllonin, por të zbatonin ligjin. Mes të qenurit gjallë dhe zbatimit të ligjit, ata zgjodhën ligjin, sepse ata janë heronj dhe faktuan se ky është morali dhe shpirti i policisë. Ata ranë për t’u sjellë si shërbëtorë të një vendi të lirë”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë, u shpreh se krimineli dhe banda e tij, do të marrë ndëshkimin e merituar. “Ai meriton dënimin më të madh që mund të marrë dhe unë kam besim që mund ta marrë. I vrau bisha e tërbuar sepse nuk e vranë, mund ta vrisnin 100 herë, por iu përmbajtën ligjit”, vijoi Berisha.
Berisha siguroi se lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar është dhe do jetë në qendër të përpjekjeve të qeverisë dhe të të gjitha strukturave të rendit në vend.
“Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne, se lufta kundër krimit të organizuar dhe ky ishte një rast që na nxit të rishikojmë çështjen e ligjeve të luftës ndaj krimit”, shtoi kryeministri.
Duke shprehur jo vetëm dhimbjen e thellë, por edhe solidaritetin me fëmijët, bashkëshortet dhe familjarët, Berisha i siguroi se qeveria do të qëndrojë në mbështetje të plotë të tyre dhe do të ndërmarrë vendime të tjera që rishikojnë statusin e të rëniet në krye të detyrës.
“Të jeni të sigurt, përveç të dashurit të tuaj, asgjë nuk do t’u mungojë fëmijëve dhe familjarëve të të rënëve, pasi sakrifica e tyre meriton çdo mbështetje ndaj jush”, garantoi kreu i qeverisë Berisha.
Sindikata e Policisë mbështet vendimin e fundit të qeverisë
Status të ri për oficerët e rënë në krye të detyrës
TIRANE –Vetëm dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, u miratua vendimi, për statusin e ri për oficerët e rënë në krye të detyrës. Kryeministri Sali Berisha udhëzoi Ministrin e Brendshëm të nisin procedurat për ndryshimin e statusit të policëve të rënë në krye të detyrës. Kryeministri propozoi që me statusin e ri, fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës të përfitojnë pagën e plotë deri në moshën 18 vjeç dhe pas kësaj periudhe bashkëshortet të marrin pensionin e tyre.
Ndërkaq, sindikata e punonjësve të policisë së shtetit, duke përshëndetur iniciativën e qeverisë, kërkoi edhe përmirësimin e kushteve të punës dhe atyre logjistike si dhe të trajtimit të forcave të rendit.
Duke iu referuar vendimit të qeverisë për rishikimin e statusit të policëve, kryetari i sindikatës Sadedin Fishta deklaroi se duhet bërë më shumë në këtë drejtim, duke i dhënë përparësi që punonjësit e policisë të punojnë me kontrata sigurimi jete.
Kreu i Prezencës së OSBE në Tiranë, Robert Bosch, telegram ngushëllimi kryeministrit Berisha, për katër oficerët e rënë
OSBE inkurajon veprimet e qeverisë ndaj të gjitha formave të krimit
TIRANE - Prezenca e OSBE-së në Tiranë, i shprehu dje qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të thella, për humbjen e jetës së katër oficerëve të policisë, në krye të detyrës.
Në një telegram drejtuar kryeministrit Berisha, Ambasadori i Pranisë së OSBE-së në Tiranë Robert Bosch, shprehet i pikëlluar për ngjarjen e rëndë, për humbjen e jetës së katër oficerëve të Policisë së Shtetit, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari, në një operacion policor ditën e premte në Durrës dhe vë në dispozicion të qeverisë, të gjithë mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, në luftën kundër krimit të organizuar.
“Prania e OSBE-së në Tiranë shpreh mbështetjen e fortë për veprimet e vendosura dhe decisive të ndërmarra ndaj të gjitha formave të krimit të organizuar, nga qeveria shqiptare. Ne vlerësojmë lart rezultatet e arritura falë besnikërisë, zotësisë dhe përkushtimin të grave dhe burrave trima të policisë”, u shpreh ambasadori Bosch.
Delegacioni i KE-së ngushëllon ministrin Nishani, për rënien në detyrë të katër oficerëve të policisë
“Burrat e rënë dhanë jetën në shërbim të vendit të tyre, duke luftuar krimin e organizuar”
TIRANE – Delegacioni i Komisionit Evropian në vendin tonë, i përcolli dje një mesazh ngushëllimi Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, për vdekjen tragjike të katër efektivëve të policisë së shtetit, një javë më parë në Durrës, gjatë tentativës për prangosjen e një të shumë kërkuari.
Në mesazhin e Delegacionit të Komisionit Evropian, shprehen ngushëllimet e sinqerta për vdekjen tragjike të katër punonjësve të policisë, ndërsa vlerësohet puna e strukturave të policisë për luftën e pandalshme ndaj krimit të organizuar.
“Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për vdekjen tragjike të katër punonjësve të policisë që morën pjesë në operacionin policor në Durrës, të Premten, më 7 gusht”, thuhet në telegramin e KE.
Gjithashtu, delegacioni i Komisionit Evropian, u shpreh ngushëllime edhe familjeve të të rënëve të krye të detyrës. “Delegacioni i Komisionit Evropian u përcjell ngushëllimet më të thella familjeve të të rënëve për humbjen e këtyre burrave të zotë që dhanë jetën në shërbim të vendit të tyre”, shpreh delegacioni i KE-së në telegramin ngushëllues.
“Delegacioni i Komisionit Evropian përfiton nga rasti që t’i shprehë edhe një herë konsideratën më të lartë Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, përfundon mesazhi ngushëllues i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë.