E Shtunë, 31 Tetor 2026

80% e vlerës së objektit mund të paguhen me letra me vlerë

09/07/2009  Këshilli i Ministrave miraton privatizimin përmes bonove të privatizimit

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme projektligjin sipas të cilit 80 për qind e vlerës së legalizimeve të ndërtimeve pa leje do të bëhet përmes letrave me vlerë. Në këtë draft ligjor thuhet se mënyra e pagesës për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet në lekë në vlerë të plotë monetare të pasurisë ose me bono privatizimi (letrat me vlerë). Sipas projektligjit, bonot e privatizimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit që janë në proces legalizimi. Ndërkohë, sipas projektligjit taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë. Projektligji i miratuar në mbledhjen e djeshme të Këshilli të Ministrave thuhet se sipërfaqet jashtëligjore, që ligji e parashikon me vlerë tregu, mund të privatizohen deri në masën 50 për qind me letra me vlerë. Projektligji saktëson se të ardhurat e arkëtuara nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje transferohen në buxhetin e shtetit për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond kompensimi financiar. Ndërkohë në pjesën e fundit të këtij drafti ligjor, që lidhet me dispozitat kalimtare, thuhet se personat që i kanë kryer pagesat për legalizimin e ndërtimeve përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitojnë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit personat duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - thuhet në projektligjin e miratuar nga ekzekutivi.

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se këto ndërhyrje në ligjin “Për legalizimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” bëhen në përputhje me premtimin elektoral për të lejuar përdorimin e letrave me vlerë, në pagesën e ndërtimeve që do të legalizohen. “Pas një analize shumë serioze të juristëve, ata mendojnë se duhet të ndërhyhet patjetër në ligjin e legalizimeve, pasi ka të përcaktuar se pagesa bëhet në lekë. Kështu që duhet të ndërhyjmë në ligj në përputhje me premtimin e bërë. 80 për qind të vlerës së të gjithë sipërfaqes që i takon në përputhje me ligjin do ta paguajnë me letra me vlerë”, - theksoi shefi i ekzekutivit. Duke folur para trupës ministrore, kryeministri Berisha sqaroi se për sipërfaqet jashtëligjore, që ligji e parashikon me vlerë tregu, 50 për qind e tyre do të paguhen me letra me vlerë. Sipas tij, në qoftë se një personi i takon të legalizojë banesën dhe 300 metra katrorë në përputhje me ligjin, ai do t’i ketë 80 për qind ashtu siç janë përcaktimet ligjore. “Sipërfaqja ekstra, që është jashtë parashikimit ligjor të procesit të legalizimit dhe që është parashikuar të paguhet me vlerën e tregut, do të jetë 50 me 50”, - tha ai. Kreu i qeverisë ka deklaruar se qeveria ul në masën 0.5 për qind të vlerës së banesës për legalizim taksën e infrastrukturës. Sipas tij, është bërë dhe një ndërhyrje jashtëzakonisht e domosdoshme për procesin e legalizimit: është ulur taksa e infrastrukturës. “Duke qenë se ky është një proces masiv, është vendosur që kjo taksë të jetë 0.5 për qind e vlerës së banesës për legalizim”, - theksoi ai. Projektligji i miratuar nga qeveria do t’i kalojë Parlamentit të ri, i cili do të mblidhet në muajin shtator për miratim.

Privatizimet për ish-të përndjekurit

Në ndryshimet e bëra në mbledhjen e qeverisë në ligjin “Për legalizimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” thuhet se edhe ish-të përndjekurit përfitojnë për legalizimin e ndërtimeve pa leje, duke përdorur letrat me vlerë. “Bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit”, - thuhet në ligjin e mbështetur nga Këshilli i Ministrave. Përfshirja e ish-të përndjekurve në legalizimin me 80% të vlerës së objektit me letra me vlerë vjen pas një vendimi tjetër të qeverisë, miratuar në mbledhjen e datës 18 qershor, sipas të cilit ambientet në të cilat jetojnë prej kohesh familje të shtresës së ish-të përndjekurve politikë kalojë për privatizim dhe do të shndërrohen në pronë të familjeve të ish-të përndjekurve. Flitet për ish-Kombinatin e Tekstileve në Tiranë, të ndërmarrjes mekanike “Tekstili”, Tiranë, ish-Shkollës së Partisë në Tiranë.

Ulet mosha e pensionit për minatorët

Qeveria ka miratuar projektligjin për uljen me 5 vjet të moshës së pensionit për minatorët. Vetë kreu i qeverisë e konsideroi vendimin si përmbushje e një premtimi elektoral të qeverisë për këtë kategori. “Minatorëve iu premtua ulja e moshës së pensionit me pesë vjet. Edhe ky ligj shkon në Parlament. Minatorët në Shqipëri nuk do të dalin 65 vjeç në pension, por 60”, - deklaroi Berisha. Ai bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Financave do të paraqesë edhe skemën për rritjen e pensionit për minatorët. “Ministria e Financave ka marrë porosi dhe udhëzimin që të paraqesë skemën e rritjes së pensioneve të tyre, që minatorëve u është premtuar së bashku me uljen me 5 vjet të moshës së pensionit. Ne duhet të jemi realistë. Ata kanë qenë njerëzit që kanë kontribuar në të ardhurat kombëtare më shumë dhe që kanë marrë më pak”, - u shpreh kryeministri Berisha. Ai theksoi se tani është koha që pensionet e tyre të rivlerësohen, në mënyrë që edhe ata të ndiejnë qëndrim të ri ndaj tyre.

Berisha kërkon projektbuxhetin e vitit 2010

Kryeministri Sali Berisha ka urdhëruar të gjithë ministrat që deri në fund të muajit korrik të finalizohet projektbuxheti i vitit 2010. Gjatë mbledhjes së qeverisë shefi i ekzekutivit kërkoi që ky buxhet të jetë buxheti i antifragmentarizmit. Kryeministri theksoi se është mjaft e rëndësishme dhe duhet të jetë e prerë që në këtë buxhet të ketë përqendrim në projektet më të mëdha dhe qenësore, në mënyrë që të mos shkohet në fragmentim. Kreu i qeverisë ka nënvizuar gjithashtu se fragmentimi është një dukuri që e avullon buxhetin dhe e bën atë të pandjeshëm. Kryeministri Berisha kërkoi nga ministrat e kabinetit të tij shkurtim të shpenzimeve operative në masën 10 për qind, në një kohë kur ekonomia botërore po kalon një krizë financiare. Gjithashtu ai u shpreh se në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2010 ministritë do të asistohen në çdo hap dhe në mënyrë permanente nga Ministria e Financave.

Lojërat e fatit

Qeveria rrit taksat për kompanitë e bixhozit

Të gjithë bizneset e lojërave të fatit duhet të derdhin më shumë para në arkën e shtetit. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është miratuar projektligji për rritjen e taksave për lojërat e fatit. Në draftin ligjor, që bën ndryshime në ligjin e miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, “Për lojërat e fatit”, saktësohen nivelet e rritjes së taksave për lojërat e fatit. Projektligji sjell ndryshime pikërisht në ato nene që flasin për detyrimet që kompanitë e lojërave të fatit, kryesisht ato të bixhozit, duhet t’i paguajnë shtetit. Nisma ligjore, e propozuar nga Ministra e Financave dhe gjeti mbështetjen e të gjithë trupës ministrore, flet për kategoritë e caktuara dhe i ndan ato në bazë të taksave që do të derdhin në arkën e shtetit. Kështu, për rrethet e kategorisë së parë taksa rritet në 400 mijë lekë të reja për çdo sallë dhe 100 mijë lekë të reja për çdo makinë elektronike, të tipit slot e videolotari. Ndërkohë për rrethet e kategorisë së dytë do të paguhen 200 mijë lekë të reja për çdo sallë dhe 60 mijë lekë të reja për çdo makinë elektronike të tipit lsot e videolotari. Ndërkohë për rrethet e kategorisë së tretë do të paguhen 100 mijë lekë të reja për çdo sallë dhe 40 mijë lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari. Në draftin ligjor saktësohet se për çdo makinë elektronike me më shumë se një pozicion (ruletë) organizatori paguan një kuotë fikse mujore prej 1 milion lekë dhe 300 mijë lekë në muaj për çdo pozicion loje, pavarësisht nga rrethi ku ushtron veprimtarinë. Po ashtu në këtë projektligj saktësohen edhe ndryshimet në shumat që do të paguhen për kategori të caktuara për çdo muaj si për tryezat me më shumë se një pozicion (ruletë) për çdo tryezë të lojërave (me letra ose/dhe me zare), si dhe për lojërat elektronike dhe makinat slot me fitim në çast dhe për videolotaritë, të vendosura në mjediset e kazinosë. Në projektligj thuhet se organi tatimor kryen rimbursimin e shumave të dëmshpërblimit për subjektet të cilave u është revokuar me ligj licenca për kategoritë e lojërave “Lotari çasti” dhe “Lotari me shorte”. Ndërkohë që kriteret, mënyra, masa dhe forma e dëmshpërblimit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

Detaje

Për rrethet e kategorisë së parë, 400 mijë lekë për çdo sallë dhe 100 mijë lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari.

Për rrethet e kategorisë së dytë, 200 mijë lekë për çdo sallë dhe 60 mijë lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari.

Për rrethet e kategorisë së tretë, 100 mijë lekë për çdo sallë dhe 40 mijë lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari.

Për çdo makinë elektronike me më shumë se një pozicion (ruletë) organizatori paguan një kuotë fikse mujore prej 1 milion lekësh dhe 300 mijë lekësh në muaj për çdo pozicion loje, pavarësisht nga rrethi ku ushtron veprimtarinë.

Për tryezat me më shumë se një pozicion (ruletë), një taksë mujore në masën 300 mijë lekë në muaj për çdo pozicion.

Për çdo tryezë të lojërave (me letra ose/dhe me zare), taksë mujore prej 1.5 milion lekë.

Për lojërat elektronike dhe makinat slot me fitim në çast dhe për videolotarinë, të vendosura në mjediset e kazinosë, një taksë mujore në masën 120 mijë lekë për çdo kompjuter elektronik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›