80 vitet e Clint
Më 31 maj, legjenda e kinemasë amerikane do të mbushë 80 vjeç. Në një moshë kur bashkëmoshatarët e tij përgjithësisht kanë dalë në pension, Clint Eastwood, me dhjetë nominime “Oskar” si aktor, regjisor dhe producent, nuk ka ndërmend të ecë në gjurmët e tyre. Regjisori, që ka çuar në shtëpi dy statuja të argjendta, një si regjisor me “Unforgiven” dhe tjetrin me “Million dollar baby”, drejton ende një film në vit. Në vjeshtën e shkuar doli në kinema “Invictus”, ndërsa “Herafter”, një triller supernatyral me Matt Damon, do të dalë për Krishtlindje. Po ashtu është në fazat e para prodhimi i “Hoover”, biografia e drejtorit të FBI-së. Vetëm në dhjetë vitet e fundit Eastwood ka drejtuar nëntë filma, nga të cilët “Mystic river”, “Million dollar babay”, “Flags of our fathers” dhe “Gran Torino”.
Do ta festosh ditëlindjen më 31 maj?
Kur mbush 70 vjeç ndodhin shumë gjëra në jetën e njeriut dhe njëra prej tyre është se nuk i feston më ditëlindjet. Ia kam ndaluar gruas sime, duke iu drejtuar me këto fjalë: “Të lutem nuk dua ta festojmë”. Nuk dua të hap pako dhe të mendoj se ishte pikërisht kjo që doja. Nuk dua asgjë, maksimumi një gotë verë.
Karriera juaj mbush 55 vjet si aktor, ndërsa si regjisor 60. Cili është sekreti?
Ndonjëherë regjisorët nuk ndalen para asgjëje për t’u rritur profesionalisht. Sekreti i jetëgjatësisë është vetëm një: të ndryshosh vazhdimisht dhe të kërkosh vetëm gjëra të reja, për të cilat të mbahesh mend. Deri sa të jem i kthjellët do t’i ofroj publikut atë që kam mundësi, që është shumë më shumë se ajo që kam ofruar si regjisor në moshën 40, 50, 60 apo 70 vjeç. Tani ndihem mirë në këtë rol.
Ke frikë nga vdekja?
Nuk besoj. Kam mësuar nga ime më që kur diçka nuk të argëton, ka ardhur momenti të kalosh te një tjetër gjë dhe të heqësh dorë.
Përse doje të drejtoje “Hereafter”?
Skenari ishte shumë i bukur. Bëhet fjalë për një triller supernatyral të shkruar nga Peter Morgan, që ka shkruar edhe “The Queen” dhe “Frost/Nixon”. Subjekti është shumë i rëndësishëm. Pastaj duhen edhe aktorë të mirë: unë gjithmonë i jap shumë rëndësi kastit të aktorëve. Nëse ke një skenar të mirë dhe një kast të mirë, atëherë mund t’ia arrish qëllimit.
Filmi juaj i ardhshëm është një biografi për J. Edgar Hoover?
Jam në atë fazë të jetës që nuk kam më dëshirë t’i përsëris gjërat. Nëse do të isha më i ri, ndoshta do të kënaqesha. Por nuk jam i fiksuar vetëm pas një lloj zhanri ashtu siç isha 40 vjet më parë.
Punon shumë shpejt?
E urrej të bëj shumë prova dhe përsëritje. I drejtoj filmat ashtu siç më kanë drejtuar mua, që do të thotë ashtu si do doja unë të interpretohej në skenë. Nëse atyre nuk u pëlqen kjo gjë, i lë të flasin dhe të merren vesh. Megjithatë asnjëherë nuk jam i mërzitshëm dhe nuk i detyroj aktorët të bëjnë gjëra që nuk duan.
Gjithmonë ke drejtuar kështu?
Jo, në të vërtetë kështu e kam nisur me “Unforvigen”’. I kërkova Gene Hackman të përsëriste një skenë, ndërsa rregulloja kamerën. Ai filloi, ndërsa unë isha aq i mrekulluar sa i thashë: “Ndalo. Le ta xhirojmë menjëherë”. Nuk doja që të shkonte dëm gjithë ajo freski dhe natyrshmëri.
Si është atmosfera në sheshet tuaja të xhirimit?
Më pëlqen që gjithmonë të mbretërojë qetësia. Të gjithë kanë punën e tyre dhe nuk e shqetësojnë njëri-tjetrin. Madje edhe unë vetë nuk e them kurrë fjalën magjike “Aksion!”. Them vetëm: “Sapo të jeni gati filloni”.
Jeni penduar që refuzuat rolin e James Bond-it kur Sean Connery ndaloi së interpretuari?
Jo. Mendoja se agjenti 007 duhej të ishte anglez. Jam me origjinë britanike, por nuk është e njëjta gjë. Pastaj nuk ishte ndonjë rol për të cilin kisha dobësi.
Sipas jush, si ka ndryshuar industria e kinemasë?
Të gjithë kanë vetëm një qëllim: fitimet që në javën e parë të daljes së filmit në kinema. Janë të fiksuar pas idesë që duhet të jenë ata që fitojnë më shumë. Po kush po e vret mendjen për këtë!
Pse juve nuk ju shqetëson kjo pjesë?
Aspak. Dua të xhiroj vetëm historitë që më pëlqejnë. Nëse do të pëlqehen nga publiku mirë. Por sigurisht që nuk shqetësohem: çdo njeri është i lirë të vlerësojë atë që do.
Mendon se je bërë më i përmbajtur me kalimin e kohës?
Jam më i duruar. Mendoj se kjo varet nga fakti se kam pasur shumë fëmijë. Por edhe pleqëria të bën më të përmbajtur. Gjërat e vogla nuk janë më aq të rëndësishme sa dikur.
Ju keni shtatë fëmijë nga pesë gra të ndryshme dhe nga i pari tek i fundit që sot është 13 vjeç ka 33 vjet diferencë. Si e ndien veten që je një baba i moshuar?
Të jesh baba në moshën time është një ndjesi e mrekullueshme. Mund të kem punuar shumë, por asnjëherë nuk i kam lënë pas dore fëmijët. Shkoj në çdo ndeshje futbolli të djalit tim dhe e di që bëhem pak qesharak kur shoh përreth baballarët se sa të rinj janë. Por është argëtuese. Në moshën time vlerësohen gjërat shumë më tepër.
Me se merresh kur nuk punon?
Më pëlqen t’i bëj gjërat me qetësi. Luaj golf thuajse çdo ditë dhe pi birra “Budweiser”. Por gjëja më e bukur është se më pëlqen akoma të punoj. Mendoj se pikërisht kjo më mban të ri: ta mbash gjithmonë trurin në punë.
Pas “Gran Torino”, ju thatë që nuk do të riktheheshit për të aktruar. E mendon akoma kështu?
Eh, nuk ka shumë skenarë që përfshijnë aktorë 80-vjeçarë. Pastaj jam shumë i zënë me rolin e regjisorit dhe nuk kam kohë të luaj edhe vetë ndonjë pjesë. Vendi im tani është pas kamerave. Nuk dua të jem si ata boksierët që vazhdojnë të qëndrojnë në ring edhe kur nuk luftojnë mirë.
Do ju pëlqente t’ju kujtonin?
Pjesa më e madhe e njerëzve, nëse do të më kujtojnë, do të më mendojnë si një hero i filmave aksion. Më pëlqen. Nuk ka asgjë të keqe në gjithë këtë. Por, do të ketë edhe nga ata që do më kujtojnë për filma të tjerë, aty ku desha të ndërmerrja disa sfida. Ose më mirë kështu më pëlqen ta mendoj.
#