E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikat ku është shkelur Kushtetuta

Projektligji

Pikat 3 dhe 4 të nenit 33 të projektligjit bien ndesh me parimin e një të drejte të fituar, atë të sigurisë juridike dhe procesin e rregullit ligjor të parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6/1 i Konventës Europiane të të drejtave të njeriut. Ato diskriminojnë studentët që kanë përfunduar studimet, ata që po studiojnë aktualisht, si dhe ata që deri në momentin e përshtatjes së programeve të studimit, diploma universitare ju ekuivalentohet me një diplomë master. Diploma master sipas këtij projekti është një diplomë ndërmjet asaj të nivelit të parë dhe të nivelit të dytë, të emërtuara përkatësisht “Bachelor” dhe master shkencor. Në përfundim të studimeve të plota 3+2, sipas projektit diploma që merret nuk do të jetë më DND, por “Master Shkencor” me rregullimin që propozohet në projekt diplomat e mëparshme dhe atyre që do të lëshohen deri në përshtatjen e programeve do të kenë një vlerë akademike më të ulët se ato që janë lëshuar dhe lëshohen aktualisht, duke prekur rëndë kështu interesat e dhjetëra mijëra personave, të cilët kanë mbaruar apo vazhdojnë universitetet. Praktikisht në tregun e punës me këtë rregullim do të krijohet një pabarazi për shkak të vlerësimit të ndryshëm të diplomave në fuqi prapavepruese duke vendosur në pozita diskriminuese një shtresë të tërë të diplomuarish të mëparshëm në raport me vlerësimin e ri të diplomave, gjë që bie ndesh me nenin 18 të Kushtetutës.

Neni 10 i projektligjit bie ndesh me parimin e rëndësishëm mbi të cilin ndërtohet dhe funksionon arsimi i lartë, atë të autonomisë institucionale parashikuar nga neni 5/7 i Kushtetutës, të cilën ligji duhet ta garantojë. Ligji në fuqi ka përcaktuar në mënyrë të saktë se të gjitha organet dhe autoritetet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, zgjidhen nga personeli akademik jo akademik dhe studentët. Ky rregullim garanton autonomi institucionale dhe nuk bën përjashtim për asnjë autoritet drejtues. Ajo që parashikohet në nenin 10 lidhur me drejtorin e qendrës ndëruniversitare si i vetmi drejtues që nuk i nënshtrohet kësaj procedure, por emërohet nga jashtë universitetit, vlerësojmë se nuk është vetëm një standard i ndryshëm, por vjen haptazi nesh me autonominë e institucioneve të IAL.

Në kundërshtim me nenin 92 të Kushtetutës dhe dispozita të tjera saqë rregullojnë kompetencat e Presidentit të Republikës me këtë projektligj në nenin 10 parashikohet kompetenca që Presidenti të emërojë me propozim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës drejtorin e qendrës ndëruniversitare. Për sa u përket emërimeve në kompetencat e Presidentit të Republikës, lidhur me arsimin e lartë, në mënyrë ezauruese ai ka kompetencën të emërojë vetëm rektorët e universiteteve dhe jo autoritete të tjera drejtuese të tyre. Ligji nuk është i autorizuar që Presidenti i Republikës ti përcakton kompetenca të tjera, kur ato janë të shprehura nga vetë Kushtetuta.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›