Lidhen dy marrëveshje me Zvicrën
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ministri i Punës, Spiro Ksera, dhe ambasadorja e Konfederatës Zvicerane në Tiranë, Yvana Enzler, nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi: Marrëveshjen për fazën e dytë të projektit “Programi mbështetës për Arsimin dhe Formimin Profesional” (ALBVET) dhe marrëveshjen e projektit “Edukimi Alternativ dhe Trajnimi Profesional” (CEFA).
Marrëveshja me ALBVET, ka të bëjë drejtpërdrejt me Arsimin dhe Formimin Profesional të orientuar kryesisht në fushën e hidraulikës dhe të programeve të lidhura me të për arsimin dhe trajnimin profesional shqiptar. Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është mbështetja e arsimit dhe formimit profesional shqiptar për t’u përshtatur me kërkesat e tregut të punës.
“Pala zvicerane është një nga kontribuuesit kryesorë në mbështetjen e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri. Me këto dy marrëveshje ky bashkëpunim thellohet edhe më tej”, deklaroi ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Sipas tij, janë bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e situatës së shkollimit të fëmijëve romë. Sipas statistikave rreth 59% e tyre janë në shkolla, por ende kemi shumë punë për të bërë.
Marrëveshja do të shënojë një hap tjetër të rëndësishëm në rritjen e nivelit të shkollimit të fëmijëve romë.
#