E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ida, gruaja e fshehur e Musolinit

Për Musolinin, liderin e Italisë fashiste, ka shumë histori të njohura dhe më pak të njohura në lidhje me jetën e tij intime, marrëdhëniet me femrat. Së fundi, në një film që sapo ka përfunduar së realizuari, hidhet dritë mbi një vajzë që ka qenë shumë pak e njohur dhe që pati me Duçen një lidhje të veçantë

Musolini ka qenë një person me një karizëm të veçantë dhe me një gjuhë trupore shumë shprehëse. Mjafton që të shohësh filmat e arkivit apo fotot e fjalimeve të tij për të vënë re se me sa mjete shprehëse ishte pajisur ai njeri. Mjete që i vinte në përdorim për t’ua mbushur mendjen turmave të njerëzve, por edhe personave, kryesisht femra, që i interesonin. Musolini ishte një njeri që luante me imazhin e tij publik dhe e bënte këtë me shumë vetëdije dhe me një qëllim objektiv të qartë në të gjitha rastet. Figura e tij është trajtuar edhe në kinematografi, e së fundi ai është protagonist edhe i një filmi të ri me titullin “Vincere”. është një film i realizuar nga një shkrimtar veteran Marco Belocchio, i cili e sheh karrierën e Musolinit nga një prizëm shumë i veçantë: nga e dashura e tij, Ida Dasler, që i lindi Duçes një djalë. Musolini e joshi vajzën, e përdori, e injoroi duke e detyruar që të vetëdeklarohej si e çmendur dhe të pranonte kurën e një spitali psikiatrik. Por ndërkohë ajo nuk hoqi kurrë dorë nga misioni i saj për t’u njohur si gruaja e parë e Duçes dhe mamaja e fëmijës së tij. Musolini portretizohet si një socialist i ri, shumë i pasionuar, që me të parë Idën dashurohet pas saj dhe vendos ta bëjë të tijën. Për të realizuar këtë film janë përdorur shumë materiale dokumentarësh të Duçes. Pasi Musolini e braktisi vajzën, ai jo vetëm i shkëputi të gjitha lidhjet me të, por mbi të gjitha nuk i la asnjë lloj mundësie kontaktimi. Për Idën ai u shndërrua vetëm në një udhëheqës, të cilin mund ta shihte nga pozicioni i njeriut që merr pjesë në një tubim. është një film që e merr bazën nga të dhënat historike, por edhe nga trillimi apo thashethemet e mundshme që e rrëfejnë këtë lidhje. Filmi sjell edhe këndvështrimin e të birit të Musolinit, edhe ai i quajtur Benito, por nga periudha kur ai ishte tashmë një djalë i rritur. Për sa i përket të ëmës së tij, ajo ka qenë gjithmonë një personazh i mbuluar me mister, për të cilën ka pasur vazhdimisht shumë pak informacion dhe kjo falë vendimit të Benitos për të shkëputur me këtë grua çdo lidhje dhe çdo lloj marrëdhënieje. Por përmes këtij filmi të fundit dhe falë kërkimeve arkivore të bëra nga autori i skenarit, hidhet dritë jo vetëm mbi këtë grua të së shkuarës së hershme të Duçes, por mbi të gjitha mbi vetë një pjesë të jetës së tij. Ida është konsideruar gjithmonë si një figurë sekondare dhe është përmendur vetëm për faktin se i dha Musolinit një djalë. Por ajo çka autori ka dashur të tregojë realisht me këtë figurë, është paralelja mes sjelljes së Musolinit me Idën dhe trajtimit që ai i bëri popullit italian në një moment të caktuar historik. Për sa i përket figurës së Duçes në kinematografi, ajo është lëvruar jo pak dhe me aktorë të famshëm, por gjithmonë këta filma janë përqendruar në një moment shumë të përcaktuar historik, ndërkohë që filmi i fundit flet për një periudhë më gjithëpërfshirëse dhe për një marrëdhënie që rrëfen shumë për karakterin dhe cilësitë e vërteta të njeriut që pati në dorë fatin e Italisë. Për sa i përket autorit të filmit, ai vetë do të donte që njerëzit të debatonin mbi këtë figurë historike dhe cilësitë e tij, por ka shumë të ngjarë që italianët në fakt të duan që ta harrojnë Musolinin në vend që ta diskutojnë. Megjithatë ky film pritet të ketë një interes shumë të madh jashtë Italisë, ku njerëzit nuk janë aq të përfshirë dhe mbi të gjitha kanë kuriozitet më të madh për figura historike që në epoka të caktuara kanë qenë vendimtare për fatet e një, apo më shumë kombeve. E në fund është e pamundur që të mos bësh një krahasim mes liderit të fashizmit dhe atij aktual italian, të paktën për sa i përket zellit që kanë ndarë të dy për t’iu dhënë qejfeve dhe sidomos femrave. Jo më kot ata që e kanë parë filmin kanë vënë re përngjasime me të dyja figurat. Të dyja këto figura politike e kanë kuptuar më së miri rëndësinë e imazhit për të bërë për vete masat e popullit. Musolini ishte i pari lider në Europë që përdori në favor të tij median e kohës: filmin, radion, fotografinë dhe, nga ana tjetër, edhe Berluskoni bëri të njëjtën gjë, duke përdorur në të gjitha hapësirat pushtetin e televizionit duke manipuluar imazhin.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›