E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sprovë për një biografi intelektuale të Tiranës autoktone

Plot 90 vjet më parë, Tirana pati fatin e bardhë që të zgjidhet kryeqytet i Shqipërisë në mes gjithë simotrave të saj. Dhe kjo nuk është një rastësi. Sepse nuk qe vetëm pozicioni gjeografik, relievi dhe peizazhi i saj i hijshëm, e pra klima e saj fizike, por edhe klima shpirtërore e komunitetit dhe historia e trevës që i dhanë kurorën e kryezonjës së vendit. Prej kësaj kohe, Tirana mori peshën që i takonte dhe fitoi përmasa kombëtare në drejtimin e atdheut tonë të përbashkët.

Shoqata atdhetare “Tirana”, në kuadrin e veprimtarisë që zhvillon për zbulimin dhe evidentimin e vlerave intelektuale të trevës së saj, ka marrë nismën dhe ka përgatitur e botuar kolanën e librave “Personalitete”. Deri më tani kanë dalë tri vëllime, i pari kushtuar intelektualëve të hershëm tiranas, i dyti personaliteteve tiranase të shkencës dhe i treti figurave të shquara tiranase të sportit. Janë në përgatitje e sipër dhe dy vëllime të tjera, njëri vëllim kushtuar emrave të njohur të letrave dhe arteve dhe tjetri atyre të arsimit. Të gjitha këto së bashku tentojnë të bëjnë një sprovë për një biografi intelektuale të Tiranës autoktone. Një punë kjo e çmuar dhe tepër e dobishme që e kanë marrë përsipër dhe po e kryejnë me sukses prof. Ismail Demneri, prof. as. Shyqyri Reli dhe Arben Tafaj. Kështu, Tirana po jep shembullin e parë të një vepre të tillë, aq të nevojshme për njohjen e vlerave vendore, të paraqitura në trajtë të një leksikoni, mbi njerëzit e kulturës që ajo ka nxjerrë nga gjiri i saj.

S’ka dyshim se Tirana autoktone ka vendin e saj në mozaikun e kulturës sonë kombëtare. E shtrirë në një nga trevat më të hijshme e më të pasura të vendit, me një pozicion gjeografik të privilegjuar, me shtresime historike e me konture urbane të hershme, me kryqëzime qytetërimesh dhe nga ana tjetër, me një kulturë të pasur shpirtërore e materiale, një jetë zakonore e psikologjike të veçantë, ajo krijoi një individualitet me identitet të vetin, të dallueshëm nga krahinat e tjera. Të gjitha këto rrethana e faktorë do ta bënin Tiranën një vatër kulture, ku zë fill dhe biografia e saj intelektuale. Dhe kjo, në radhë të parë, se në këtë trevë do të jetonte e punonte një popullsi vitale, atdhetare e përparimdashëse, plot virtyte e vlera etnokulturore. Ndaj nuk qe e rastit që, në kohët e reja, Rilindja jonë kombëtare në Tiranë do të kishte një nga djepet e veta, nga lindi një lëvizje politike me frymëzim patriotik dhe prirje emancipuese. Do të qe ajo që i hapi rrugën dijes dhe nxiti e ndihmoi për formimin e intelektualëve të saj të parë. Dhe këta do të ishin brezi i hershëm i inteligjencës tiranase, ajo çetë njerëzish të ditur që mori stafetën e kulturës në këto vise. Sigurisht, intelektualët e parë do të dilnin nga fiset dhe familjet e njohura të Tiranës, për t’u zgjeruar më vonë nga të tjerë.

Në kushtet e asaj kohe, kur vendi ishte nën sundimin osman, brezi i parë i intelektualëve tiranas fillimisht do të studionte nëpër universitetet e akademitë orientale, kryesisht nga ato të Turqisë dhe të Egjiptit, ku përparësi do të kishte Stambolli. Prej tyre do të dilnin mjekë, juristë, ushtarakë, teologë etj. Dhe vetëm më pas do të zgjerohej gjeografia e studimeve, ku do të përfshiheshin qendra universitare, si Athina, Vjena dhe degë të reja të shkencës. Por është tepër interesant fakti që intelektuali i parë me arsim të lartë tiranas, Said Seremedin Toptani, u diplomua në Universitetin e Sorbonës në Paris për Filologji. Sado që ky është një përjashtim nga praktika e zakonshme e kohës, dëshmon për një prirje të hershme të tiranasve nga Perëndimi. Nga plejada e parë e inteligjencës së Tiranës që u arsimuan në universitetet dhe akademitë e Lindjes, do të përmendim ushtarakun H. Bimbashi, teologët H. Mema dhe I. Dalliu, mjekun T. Mara, juristin M. Llagami, statistin A. Toptani, poetin M. Toptani etj. Këta qenë kryesisht intelektualë që i përkisnin komunitetit mysliman, por shpejt atyre do t’u bashkoheshin dhe intelektualë të komunitetit ortodoks, siç qenë vëllezërit Jakov dhe Nikolla Hobdari, A. Shundi, N. Koja etj., që do të vinin nga universitetet jashtë Turqisë. është e rëndësishme të përmendim që po nga ky komunitet do të dilte e para intelektuale tiranase, Marie Zoraqi, e diplomuar në një kolegj amerikan të Stambollit. Brezit të hershëm duhet t’i njohim meritën që ata jo vetëm u kthyen në atdhe dhe i shërbyen popullit të tyre, por u aktivizuan në lëvizjen patriotike.

Brezi i dytë i intelektualëve tiranas do të arsimohej në fillimet e shekullit XX dhe do të dallonte nga i pari, ngaqë ishte më i madh në numër dhe do të përgatitej jo vetëm në Lindje, por edhe në Perëndim si në Austri, Itali, Francë e deri në Angli. Këtij brezi i takojnë: H. Shehi, O, Myderizi, J. Tafaj. R. Jella. M. Hobdari, M. Kona apo pinjollët e fisit Voilla.

Në periudhën e Pavarësisë, gjatë viteve ‘20-‘30, ndodh shkëputja gati totale nga universitetet e Lindjes dhe arsimimi i intelektualëve të rinj bëhet kryesisht në shkollat e larta të Perëndimit. Ata do të diplomohen në qendra universitare europiane si: Roma, Parisi, Vjena, Berlini, Brukseli etj., nga do të dalin specialistë të lartë të fushave të shkencave të sakta dhe atyre shoqërore, disa nga të cilët do të bëjnë emër në kulturën shqiptare. Prej tyre mund të përmendim figura si: Sh. Ndroqi, J. Jorgoni, K. Kerçiku, S. Kaceli, Sh, Basha, Q. Turdiu, Dh. Beduli, F. Llagami, T. Heba, M. Gërblleshi etj. Tregues i emancipimit të gruas tiranase janë emrat e intelektualëve të kësaj kohe si: Bedrie Karapici, Evanthi Zoraqi, Meleqe Preza etj. Si bij të denjë të Tiranës, këta intelektualë me aftësitë dhe përkushtimin e tyre, do të jepnin kontribute të çmuara në fusha të ndryshme të jetës shqiptare. Shumë intelektualë nga ky brez do të marrin pjesë në Luftën Antifashiste dhe do të punojnë për ndërtimin e Shqipërisë së çliruar, pavarësisht se disa prej tyre edhe do ta pësojnë padrejtësisht. Të ndershëm e punëtorë, të përkushtuar dhe me integritet të lartë moral e profesional, ata do të fitojnë besimin dhe respektin e popullit, duke u shquar në punën e tyre e duke drejtuar sektorë e fusha të ekonomisë, të shkencës, teknikës e kulturës. Falë vlerave intelektuale, ata do të meritonin tituj dhe grada shkencore, me të cilat do t’i bënin nder vendlindjes.

Brezi i tretë i intelektualëve autoktonë të Tiranës është ai që u përgatit dhe u formua gjatë periudhës së socializmit. Ky brez, që përfaqëson një armatë të tërë, dallohet për nga masivizimi i kuadrove të lartë dhe niveli cilësor. Në rrethanat e pasluftës, kur lidhjet me Perëndimin u ndërprenë, kontingjenti i intelektualëve tiranas shkollohet jo më në vendet e Europës Perëndimore, por në ato të Lindjes, si në Bashkimin Sovjetik, çekosllovaki, Rumani, Hungari, Bullgari, Gjermani e deri në Kinën e largët. Por ajo që përbën një ngjarje kombëtare në historinë e arsimit e të kulturës sonë është hapja e Universitetit të parë shqiptar (1957), pikërisht në Tiranë, si vazhdues e kurorëzues i instituteve të larta pararendëse, prej të cilit do të dilte numri më i madh i të diplomuarve që do të njihte kjo trevë. është në nderin e Tiranës që një pjesë e pedagogëve të universitetit, me në krye rektorin e parë Zija Këlliçi, do të qenë tiranas autoktonë. Disa nga ata u bënë figura akademike dhe universitare me staturë kombëtare. Për hir të së vërtetës, duhet të themi se kjo është një periudhë shpërthimi dhe afirmimi i kësaj inteligjence që i tejkaloi të gjithë kufijtë e brezave të mëparshëm. Në këtë brez erdhën intelektualë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, sidomos bij e bija nga familje të thjeshta tiranase, që ngjitën me sukses shkallët e dijes dhe u realizuan si intelektualë të denjë. Prej vlerave të këtij brezi, duhet veçuar ardhja dhe integrimi në arsimin e lartë i vajzave dhe grave tiranase.

është fakt i pamohueshëm që nga gjiri i këtij brezi intelektualësh dolën akademikë e profesorë, docentë e doktorë shkencash, u afirmuan si emra të nderuar në shkencën dhe kulturën tonë kombëtare. Kuptohet se sa e vështirë është të përzgjedhësh e të përmendësh emra nga rrethi i gjerë i intelektualëve autoktonë tiranas, të përfshirë në një periudhë historike mbi gjysmë shekulli. Dhe prapë guxojmë të radhisim disa prej tyre si: B. Preza, B. Daja, B. Bardhoshi, S. Begeja, Sh. Ballvora, S. Koja, A. Shundi, S. Demneri, M. Petrela, M. Jorgoni, S. Mancaku, B. Topi, A. Tafaj, D. Shehu etj., pa anashkaluar intelektualet tiranase si: Albana Petrela, Sonila Beliu, Martina Heba, Anila Hobdari, Liri Xhepa etj.

Një vëllim më vete i kolanës “Personalitete të Tiranës” u është kushtuar figurave të saj të shquara në fushën e sporteve. Ai përfshin rreth 300 emra, me vlera të spikatura në rang kombëtar e ndërkombëtar, duke nisur nga vitet ‘20 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona. Ata janë kampionët e medaljeve të arta, fituesit e garave të ndryshme sportive, mjeshtrit e merituar të sportit, por dhe profesorët e doktorët e shkencave të botës sportive shqiptare. Nga kjo pikëpamje, Tirana rezulton të zërë vendin e nderit dhe të jetë në radhët e para në rang republike, nga atletika dhe futbolli e deri te boksi e shahu. Sportistët tiranas, të njohur tanimë prej gjithë sportdashësve shqiptarë, i kanë bërë nder vendlindjes së tyre me arritjet e merituara. Jo pak nga ata, duke harmonizuar profilin sportiv me atë intelektual, janë si të thuash konkretizim i fjalës së urtë: “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”. Historia e sportit shqiptar nuk mund të kuptohet pa disa figura emblematike të sportit tiranas, duke nisuar nga: S. Stermasi, A. Zajmi, A. Karapici, S. Llambi, B. Agolli etj., duke ardhur deri te gjenerata më e re e fiseve tiranase, që vijojnë ta kalojnë stafetën e traditës nga një brez në tjetrin.

Kolana “Personalitete”, siç e dëshmojnë tri vëllimet e para, është një sprovë e suksesshme për t’i dhënë publikut një skicë të biografisë intelektuale të Tiranës autoktone. E hartuar me të dhënat bazë të jetës dhe të veprës së secilës figurë, ajo na jep një pasqyrë të qartë e të pasur të veprimtarisë intelektuale të kësaj treve për afro dy shekuj. Duke qenë një vepër pioniere në këtë fushë, autorëve u është dashur të përballojnë një punë të madhe kërkimore dhe vjelëse, sepse herë-herë në mungesë të literaturës, janë mbështetur në burime gojore. Ata janë munduar të realizojnë një vepër gjithëpërfshirëse, ngritur mbi kritere të drejta dhe gjykime objektive. Në përzgjedhjen dhe trajtimin e figurave, ata janë mbështetur në vlerat dhe meritat e tyre, duke u përpjekur të shmangin subjektivizmin dhe qëndrimet tendencioze. Edhe në radhitjen e zërave, autorët kanë ndjekur kriterin kronologjik, të shoqëruar me tregues alfabetik. Meritë e tyre është dhe zgjidhja e saktë dhe e drejtë e një problemi kyç të kolanës, siç paraqitet çështja komplekse e autoktonisë, pra e të qenët tiranas. Inteligjencia e trevës së Tiranës është populluar në radhë të parë nga figura autoktone, me rrënjë e lidhje të hershme, por kjo nuk përjashton në disa raste dhe figura të ardhurish, por të natyralizuar. Kjo ka bërë që leksikoni të mbajë vulën vendore, të sjellë ç’ka është origjinale, atë pasuri të veçantë që ky komunitet i ka dhënë thesarit kombëtar.

Pasi njihesh me lëndën e pasur të leksikonit, nuk mund të mos konstatosh me kënaqësi emëruesin e përbashkët që përfton ky komunitet, vështruar në sfondin e botës shqiptare. është fjala për tiparet e dalluara të tiranasve, si patriotizmi i tyre i urtë dhe natyra paqësore, bujaria dhe bashkëjetesa, toleranca dhe krenaria për vendlindjen, që janë reflektuar e mishëruar në profilin e intelektualëve të trevës së tyre.

Plot 90 vjet më parë, Tirana pati fatin e bardhë që të zgjidhet kryeqytet i Shqipërisë në mes gjithë simotrave të saj. Dhe kjo nuk është një rastësi. Sepse nuk qe vetëm pozicioni gjeografik, relievi dhe peizazhi i saj i hijshëm, e pra klima e saj fizike, por edhe klima shpirtërore e komunitetit dhe historia e trevës që i dhanë kurorën e kryezonjës së vendit. Prej kësaj kohe, Tirana mori peshën që i takonte dhe fitoi përmasa kombëtare në drejtimin e atdheut tonë të përbashkët. Ajo i takonte tani gjithë Shqipërisë, ndaj nuk vonoi nga një dhjetëvjeçar në tjetrin të rritet e të hijeshohet, të pasurohet e të mençurohet, ashtu siç i takon kryeqendrës së çdo vendi të lirë, të emancipuar e të përparuar. Tiranasit autoktonë padyshim kanë rolin dhe vendin e tyre në mëkëmbjen dhe lartësimin e kryeqytetit të Shqipërisë, por Tirana kryeqytet është tanimë vepër e gjithë shqiptarëve, që përbën kapitullin e saj madhor dhe që pret të shkruhet bashkërisht.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›