Imelda Marcos
Mbi varrin e saj dëshiron që të shkruhet “Here lies love”, (“këtu qëndron dashuria”), por në moshën 80-vjeçare Imelda Marcos, e veja e ish-diktatorit filipinas Ferdinand Marcos, duket se është ende larg atij momenti kur dikush duhet t’i gdhendë mbi varrin e saj atë epitaf. E veshur bukur e me shumë kujdes si zakonisht, me faqet e lyera me rozë, ndërsa në këmbë ka veshur një palë këpucë, të cilat i ka kombinuar me kostumin dhe çantën, po udhëton për në provincën Ilocos Norte, në veri të Filipineve, ku kandidon për një post në Kongres. “Gjithmonë më ka pëlqyer e bukura dhe jam munduar t’ia transmetoj edhe popullit, i cili ka nevojë të ëndërrojë dhe të kërkojë një model për t‘u frymëzuar. Edhe sot, para se të nisesha, kalova dy orë duke u trukuar, duke zgjedhur fustanin dhe këpucët e duhura. E gjitha është çështje respekti, nuk mendoni edhe ju kështu?” - thotë ajo. Të hënën, më 10 maj, në Filipine u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Ashtu si gjithmonë Imelda është shumë luftarake, jo vetëm në të kaluarën kur mbretëronte me të shoqin, por edhe pas rënies së perandorisë Marcos në vitin 1986. “Nuk e bëj as për para dhe as për pushtet, por për vullnetin e më të mirit ndër liderët”, thotë ajo duke ngritur sytë nga qielli.
Imelda rebelohet edhe sot kur kujton ngjarjet e 23 viteve më parë, kur ajo dhe i shoqi u dëbuan nga pallati mbretëror i Manilës. “Më morën gjithçka kisha dhe më pas i shitën. Tani duan të sheshin edhe bizhuteritë”. Bëhet fjalë për 50 valixhet e mbushura me xhevahire, që familja Markos nuk arriti t’i merrte me vete, edhe pse Imelda u përpoq të fshihte ndonjë diamant në pelenat e nipërve.
Që kur është kthyer nga mërgimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku i shoqi ndërroi jetë në vitin 1991, Imelda është përballur me sfida të tjera elektorale dhe 900 procese për korrupsion. Komisioni hetimor, që është ngritur për të hetuar mbi fondet e fshehura të çiftit Marcos, ka arritur të zbulojë shumën prej një miliard dollarësh: “Më akuzojnë për lakmi, por unë po ju rrëfej për fajësinë time: jam e ‘çmendur’ pas së vërtetës, mirësisë dhe bukurisë”, thotë ajo që ka qenë mbretëresha e paturpshme e një populli të mjerueshëm, e cila u arratis duke braktisur 1060 palë këpucë, 888 çanta, 508 fustane mbrëmje dhe 65 ombrella, që tani i përkasin një muzeu.
Dashuria legjendare për luksin e bëri një personazh të famshëm. Ish-zonja e parë e Filipineve nuk njihet vetëm për koleksionin e këpucëve. Një tjetër pasion i saj janë edhe bizhuteritë. I pëlqente të dizajnonte bizhu me gurë të çmuar. Megjithatë në jetën e “Fluturës prej çeliku”, siç e quanin atëherë gazetat perëndimore, nuk ishin vetëm bizhuteritë, koleksioni i famshëm i tre mijë palë këpucëve dhe veshjet: para se të njihte Ferdinand Marcos, Imelda kishte punuar në një dyqan disqesh muzikore, madje kishte marrë edhe mësime këndimi. Në fund të viteve ’70, tashmë shumë e famshme në të gjithë botën për veshjet e saj të çuditshme dhe shpenzimet e pafundme, ishte bërë një frekuentuese e rregullt e “Studio 54”. Në diskotekën më të famshme të Nju Jorkut, Imelda i kalonte netët në shoqërinë e Andy Warhol dhe VIP-ave të tjerë.
Në kohët e sotme, Imelda, pas konfiskimit të stolive të vjedhura, e zbukuron veten me bizhuteritë që i krijon vetë me materiale të thjeshta, madje shumë prej tyre edhe i shet, duke u thënë klientëve: “Bëhuni dhe ju pakëz Imeldë. çlirojeni bukurinë tuaj!”.
Falë zotësisë, në moshën 18-vjeçare Imelda fitoi një konkurs, “Imelda Remedios Visitacion Trinidad Romualdez”, i cili shënoi edhe fillimin e ngritjes së saj. Një epope që David Byrne, themelues i “Talking Heads”, dhe DJ anglez Fatboy Slim, vendosën ta përjetësonin në një CD të dyfishtë. Vepra rok mban një titull ndoshta jo shumë të mbarë për Imeldën, “Here lies love”, por që gjithsesi ajo e përdor për t’i bërë vetes reklamë.
Gjithsesi qëllimi nuk është ky, por një tjetër. Njëzetë e dy këngët e CD-së tregojnë fëmijërinë e Imeldës, takimin me senatorin Ferdinand Marcos dhe mërgimin: “E kam pyetur veten nëse përmes muzikës mund të hetohet mentaliteti i një Kleopatre që përvetësoi paratë e vendit të saj dhe guxon të thotë se nuk ka bërë asgjë”, ka shpjeguar Byrne. Të shkruash një muzikal për Imelda Marcos është një ide e pazakontë, duke pasur parasysh famën që ka shoqëruar jetën dhe sidomos veprat e vejushës së ish-diktatorit të Filipineve. “Për të fituar vendin e lënë të lirë nga i biri Ferdinand ‘Bongbong’, i cili ka si qëllim të bëhet senator, Imelda ka nevojë për pothuajse 100-150 mijë vota”, thotë një analist nga Manila. “Por mund t’ia dalë. Në Ilocos Norte, ku ka lindur edhe bashkëshorti i saj Ferdinand, ndikimi i çiftit Marcos është ende shumë i fortë”, komenton ai.
Vajza e madhe e ish-mbretëreshës, Maria Imelda Josefa, kandidon për postin e guvernatorit të provincës. Disa persona pohojnë se janë shqetësuar nga rikthimi në skenë i një prej pjesëtarëve të familjes Marcos, apo i Joseph Estrada, ish-aktor dhe ish-president, i dënuar për përfitime të paligjshme (më vonë i falur), që paraqiten në zgjedhjet presidenciale. Gjithsesi banorët e arkipelagut kanë në zemër tema të tjera që, sipas tyre, janë më të rëndësishme: korrupsioni dhe në veçanti varfëria. Një e treta e filipinasve jetojnë në varfëri të plotë dhe ka pak gjasa që zonja Imelda t’i nxjerrë nga kjo gjendje, sado që të përpiqet.
#