80 vjet të Kampionatit Shqiptar të Atletikës së Lehtë: 1929-2009 (II)Nga Besnik DizdariBritania e Madhe është vendi, i cili i pari ka kodifikuar atletikën moderne. Më 1827 në Skoci është zhvilluar edicioni i parë i asaj që njihet si Border Games, në
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
80 vjet të Kampionatit Shqiptar të Atletikës së Lehtë: 1929-2009 (II)Nga Besnik DizdariBritania e Madhe është vendi, i cili i pari ka kodifikuar atletikën moderne. Më 1827 në Skoci është zhvilluar edicioni i parë i asaj që njihet si Border Games, në një kohë që në SHBA veprimtaria e parë e atletikës moderne mbërrin vetëm mbas 11 vjetëve, më 1838 në Hoboken të Nju Xhersit. Më mbas, më 1866, historia e njerëzimit regjistron manifestimin e parë atletik të atletëve më të mirë të një kombi. Ngjarja ka vend në Londër dhe organizohet prej Amateur Athletic Club.
Në Shqipëri natyrisht do të vononte ende nja 60 a 70 vjet për të mbërritur te një Kampionat i parë Shqiptar: viti 1929. Ju duket vonë? E pra, Kampionati i parë i SHBA është zhvilluar vetëm më 1876. Kësisoji, na duhet ta quajmë normale që do të ishim 53 vjet mbrapa SHBA. Mbas garës së parë të vrapimit të Shkodrës, më 1920, është krejt normale - ndoshta dhe e parakohshme – që zhvillimi i një Kampionati Kombëtar në Shqipëri të ndodhte më 2 shtator 1929, kur dihej se ky vend kishte vetëm 16 vjet pavarësi dhe vetëm nja 5 a 6 vjet qëndrueshmëri shtetërore. Kësisoji një Kampionat Kombëtar Shqiptar i Atletikës ishte një largpamësi e jashtëzakonshme.
E bëmë këte hyrje vetëm për të nxitur një kuptim historik me mend në krye, të asaj çka ky tregim sportiv bart.
1.
Kampionati do të kishte një pikë amerikane takimi. Drejtori i Shkollës Teknike të Tiranës, Harry Fultz i SHBA është një ndër tetë organizatorët e Kampionatit - anëtar i atij që quhej Komiteti Organizues i Kampionatit:
Rexhep Jella, prefekt i Tiranës; Rasim Kalakula, kryetar i Bashkisë; italiani Kolonel Bellocchio, Komandanti i Grupit të Tiranës; Hasan Lame, sekretari i Prefekturës; italiani G.de Marchis – drejtues i Degës së Tiranës të Entit Kombëtar Djelmnia Shqiptare, organizatori i parë i huaj i sporteve shqiptare në tanësi; kapiteni Kol Zadrima, - komandant i Xhandarmërisë; S.Pejani, drejtor i konviktitt “Naim Frashëri”, si dhe i sipërpërmenduri Harry Fultz.
Një Kampionat i mbështetur fort te dituritë e kësaj tetësheje, prej së cilës del rregullorja e rreptë që lejon pjesëmarrjen e çdo atleti të një përfaqësimi sportiv, i cili detyrimisht duhej të ishte shtetas shqiptar dhe jo më pak se 18 vjeç. Dhe pagesa 2 franga ar për pjesëmarrjen në garë. Mandej çmimet: medalja e artë për Kampionin, argjendi për Nënkampionin dhe ajo e bronztë për vendin e Tretë.
Kam pasë shkruar qysh në kohën e Partisë një herë një shkrim duke propozuar dhënien e tri medaljeve: ari, argjendi, bronzi për çdo Kampionat Kombëtar. Sikur të mos e kisha shkruar. Sot e kësaj dite asgjë. Në Shqipëri, përjashto deri diku futbollin (ndonëse nuk besoj se medalja e tij është e artë) rënia e vlerës dhe rëndësisë së Kampionit Kombëtar është shembullore. Ata nuk i njeh më kush, pak kush i portretizon, nuk zënë vendin që iu takon as në shtyp, TV apo radio a në jetën publike. Kështu ngjet vetëm në Shqipëri!...
I kthehemi vitit 1929 pa u zgjatur më tej me atë rregullore të shkëlqyeshme të këtij kampionati të parë të sporteve shqiptare dhe le të përpiqemi tash të hyjmë në mbrendësinë e tij.
Kampionati ka ndërkaq, edhe një udhëheqës shpirtëror, nëse do të mund ta quanim kështu: Princesha Myzejen, “patronesha e Kampionatit”, e shkruar madje edhe në një emërtim origjinal të gjuhës shqipe: “Nën shikesën e Naltë të Naltësisë së saj, Princeshës Myzejen”. Nga ana tjetër, një tufë shéjash trofe: kupa të rralla dhe elegante për fituesit vetjakë dhe ekiporë, që zbukurojnë edhe publicitetin e shtypit, teksa tregohen para fillimit të Kampionatit. Të denja edhe për sot, Shekullin XXI.
Dhe fillimi i Kampionatit. Në Shallvaren e Tiranës. Ceremoni e shkëlqyer për kohën. Rreshtim. Parakalim. Hymn Kombëtar. Prani e Princeshës Myzejen. Fjala emocionuese e prefektit Rexhep Jella. Ky ishte 2 shtatori 1929, që themeloi jo thjesht Kampionatin e Parë të Atletikës së Lehtë, por vetë atë që kemi thënë qysh në krye të kësaj historie: themelimin e Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë për gjithë sportet. Eshtë ndoshta data më historike themeluese në krejt jetën sportive në Shqipëri.
2.
Kampioni i parë i Kampionatit si dhe rekordi i parë kombëtar në historinë e Shqipërisë shfaqet apo zyrtarizohet në garën e kërcimit së larti nga Peter Andoni i Elbasanit me 1.68 metra. Nuk besoj se e njeh kush sot në Shqipëri, ndonëse për te Prof. Dr. Uran Asllani ka shkruar në studimin e tij për studentët shqiptarë të Robert College të Stambollit. Në këte 1929 Peter Andoni është 24 vjeç, mësues i edukatës fizike të Normales së Elbasanit, bir i Nikollë Andonit, tregtar i mirënjohur elbasanas. Peter Andoni është vëlla i të famshmit eksponent të mëpastajmë të Ballit Kombëtar, Vasil Andoni. Ky kampion dhe rekordmen i parë i historisë së Shqipërisë, në fund të fundit një sportist i gjithanshën qysh në Robert College të Stambollit, do të thotë që në thelb, është një krijim atletik i shkollës anglosaksone të Stambollit. (Interesant vërtet, dy sportistë të parë themelues të sportit tonë vijnë nga Stambolli, Dr. Samimi dhe Peter Andoni!).
Andoni ynë është njeriu, i cili sundon Kampionatin e parë të Shqipërisë. Kampion në kërcimin së larti, në kërcimin së gjati (5.97), por dhe në pesëgarësh dhe dhjetëgarësh. Eshtë i vetmi që rrëmben katër medalje të arta të Kampionit të Shqipërisë! I parival, Andoni do të ketë një vazhdimësi spektakolare: ai do të jetë pjesëmarrës i katër kampionateve me rradhë, duke fituar në tanësi 11 tituj të kampionit në këto katër gara, shto këtu dhe trehapëshin. Ai hyn në histori si themeluesi rekordmen i garave të kërcimeve: së gjati, së larti, trehapësh. Në së larti kampion në katër kampionate rresht: 1929, 1930, 1931, 1932; tri herë në kërcimin së gjati duke mbërritur te 6.16, dy herë në trehapësh, kur përfaqëson Shkodrën më 1931 dhe 1932, me sa duket teksa është transferuar atje, me shifrat e larta për kohën 12.64. Rekordmenët e radhës që do të vinin mbas tij: Selman Stërmasi (së gjati e së larti), Sefedin Biçaku (trehapësh), Sandër Kraja (dhjetëgarësh) do ta kishin pikë referimi këte atlet të madh për Shqipërinë e kohës, i cili kishte bartë prej Stambollit për Tiranën stilet e kërcimeve si dhe universalizmin atletik, teksa do të mundoheshin tejet për t’ia rrëmbyer rekordet.
Kjo është historia e panjohur, doemos ende e pashtérrun deri më sot, e kampionit të parë shqiptar Peter Andoni. Kur pushtohet Shqipëria prej Italisë fashiste, në shéj revolte ky atdhetar braktis Atdheun dhe rivendoset në Stamboll. Ishte i domosdoshëm edhe atje. Menjëherë emërohet mësues i edukatës fizike po në Robert College të Stambollit. Do të punojë deri më 1964 kur del në pension, duke mbetur gjithnjë një shqiptar i shquar, një veprimtar i palodhshëm në jetën politike shoqërore, krijues i shoqatës “Besa” të shqiptarëve të Stambollit. Ndahet nga jeta më 1983, në moshën 79 vjeçare, duke mbetur për ne rekordmeni dhe kampioni universal themelues i garave të mësipërme të atletikës së lehtë. Shembull kuptimplotë i asaj që, siç shkruan ”Gazeta e Korçës” më 5 shtator 1929, është “inaugurimi e fillimit të një periudhe më të lumtur në Atletizmën Shqiptare”.
Personazhe të tillë do të sundonin Kampionatin e 1-rë Kombëtar të Atletikës së Lehtë në Shallvaren e Tiranës 1929.
Vijmë kështu te 100 metrat - simboli i atletikës. Për çudinë e kohës është një garë që ka më shumë se një bateri, kësisoji do të kalohet nga gjysmëfundoret në fundoret (finalet). Në grupin e parë fiton Ragip Lohja i Shkodrës, më vonë gjithashtu i larguar nga Shqipëria – rekordmen ndër më të mëdhejtë e Shqipërisë në stafetat dhe sidomos në 1500 metrat. Vladimir Shuteriqi, Llazar Miha, Kapllan Dervishi, Azbi Tepelena të Elbasanit, Tiranës e Fierit janë garuesit e tjerë historikë të kësaj gare. Në grupin e dytë fiton Naim Vreto i Elbasanit, ai që do të njihet si është Dr. Naim Vreto (1905-1990), veterineri i famshëm shqiptar, koleg i Dr. Samimit.
Shihet qartë se Kampionati i 1-rë Shqiptar i Atletikës së Lehtë është i gjithi një vepër mirëfilli intelektualësh apo e inteligjencës së re shqiptare me gjithë këta kampionë profesorë e doktorë! Dr. Vreto fiton fundoren (finalen) e 100 metrave me 12.4, e kështu, ky është dhe rekordi i parë i 100 metrave në historinë e Shqipërisë.
Siç kam shkruar edhe njëherë për këte personazh, mbas titujve dhe garave themeluese të Peter Andonit, Elbasani është qyteti që i ka blatuar Shqipërisë 100 metrat e parë. Përsa i përket të sotmes, të mbas 80 vjetëve, sot Elbasani nuk ka as pistë të vërtetë atletike, po ashtu siç nuk kanë të gjithë qytetet e sotme shqiptare, por Elbasani nuk ka as atletikë të lehtë përsëmbari!
Dr. Naim Vreto më mbas qytetar nobël i Tiranës, figurë e madhe e veterenarisë shqiptare, është kështu Rekordmeni ynë i Parë Kombëtar i 100 metrave me 12” 4 - një rezultat jo aq modest për kohën “antike” kur u arrit. Ashtu si Dr. Samimi, Prof. Andoni e të tjerë, edhe ai studjoi qysh kur qe krejt i ri jashtë vendit, u diplomua në Vjenë dhe erdhi në Shqipëri për t’i shërbyer veterinarisë së Atdheut të tij si dhe për t’i blatuar edhe Rekordin e parë Kombëtar të 100 metrave, kulturën e së cilës ta do mendja ta ketë përftuar në mjedisin sportiv vjenez. I papërkujtueshëm edhe ky prej administratave sportive shqiptare tash gati 70 vjet, thjesht sepse edhe historia e sportit shqiptar vazhdon të sundohet nga sëmundja “gjithçka pas vitit 1944”. E, ndërkaq, Dr. Vreto sportin ua mëkoi vajzave të tij, Dr. Greta Vretos, bashkëshortes së pedagogut dhe aktorit tonë të shquar Mario Ashiku, një volejbolliste studente, por sidomos vajzës tjetër, Silvi Vretos, basketbolliste e shquar e SK Tiranës - Kampione Kombëtare si dhe i jati, por tash në një largësi kohore gati 30 vjeçare (vitet ’60).
E teksa arkivi ynë nuk rresht, emrat e rekordmenëve tonë midis dy shekujve të 100 metrave janë emocionues për ne, pavarësisht nga shifrat që ata kanë mbërritur ndër vite: Naim Vreto, Sandër Kraja, Luigj Shala, Sabit Çoku, Skender Begeja, Zef Frania, Telemak Theodhosi, Hivzi Kotrri, Rasim Kraja, Tomi Stefanllari, Çlirim Balluku, Bashkim Paçrami, Kistofor Çavo, Dhimitraq Ilia, Koço Mulla, Rifat Deliu, Oltion Luli, Sokol Shepeteja, Arben Maka… Pak kohë më parë jam ulur e kam pi një kafe me Çlirim Ballukun - një nga rekordmenët më të mëdhej të 100 e 200 metrave të Shqipërisë, atleti që vuri gurin e parë në themelimin e 100 metërshit modern. Nuk biseduam vetëm për sportin, por për shumëçka, siç e përdorin bukur këte bashkombasit tonë shqiptarë në Kosovë. Shqipëria qe bërë i vetmi vend në botë i cili i pat hequr rekordin kombëtar këtij atleti të mrekullueshëm që qe Çlirim Balluku, ngaqë babai i tij, ministri i mbrojtjes Beqir Balluku, u pushkatua padrejtësisht si armik i pushtetit popullor dhe i partisë. Nuk ndalon këtu. Partia shkoi edhe më tej, te një tjetër absurditet: për të zhdukur mundësisht çdo gjurmë përmendjeje publike të fisit Balluku, detyroi ndërrimin e mbiemrit, edhe të një atleti tjetër të mrekullueshëm shqiptar, rekordmenit Skender Balluku i cili u shndërrua në Skender Rexhepi!
3.
Dhe prap te viti 1929. Teksa kalojmë te personazhe të tjerë.
Llazar Miha – kampion në 200 e 400 metra. Unikal edhe ky. 25.8 sekonda në 200 metra dhe 59.0 sekonda 400 metra. Në duel me te shfaqen prap emra të mëdhej të kohës. Miha mposht Ragip Lohjen e Sabit Çokun në 200 metra dhe Irfan Gjinalin, Ferid Beshirin e Vladimir Shuteriqin në 400 metra. Duke u thelluar jo pak rivaliteti Shkodër-Tiranë-Elbasan.
Edhe këtu vendosje rekordesh kombëtar. Kampioni Miha duket e “zhduket” si një meteor në atletikën shqiptare: ai do të bëhet dy herë Kampion i Shqipërisë në futboll me Sportklub Tiranën më 1930 dhe 1931, kohë kur ai ishte njeri prej “katër av-begët e zott Sabati-Miha-Gurashi-Jolldashi”, siç i përcaktonte shtypi i kohës. Dhe prap nuk ndalon. Ka për të qenë një ndër tre gjyqtarët e parë ndërkombëtarë në historinë e Shqipërisë të njohur prej FIFA-s, duke u bërë gjithashtu personazh i një jete sportive të rrallë. Ka qenë 8 korrik 1938, kur FIFA njoftonte Federatën Shqiptare të Futbollit se “Luigj Shala, Eqrem Stërmasi dhe Llazar Miha hyjnë në listën e arbitrave ndërkombëtarë”.
Kur më 26 prill 1938 në Tiranë vjen Bari për t’u ndeshur në Shallvare me Sporklub Tiranën, Llazar Miha është gjyqtari autoritar i kësaj ndeshjeje epokale për historinë e re të sportit shqiptar, sepse luhej me një prej 10 skuadrave më të mira të Italisë – Kampione e Botës në fuqi. Dhe po aq sa çfarë i habisin Riza Lushta, Naim Kryeziu, Qamil Teliti e Haki Korça, drejtuesit italianë të Barit me në krye trajnerin Cargnelli, po aq i habit edhe gjyqtari i ndeshjes Llazar Miha! Do t’iu jape tonin gjykimeve të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë edhe në vitet e para të Mbasluftës.
Nuk ndalin këtu personazhet e tjerë të tregimit tonë. Do të vazhdojmë t’i shpalosim në pjesën e tretë dhe të fundit, të martën e ardhshme. Gjithnjë jo thjesht vetëm me synimin për të përkujtuar këte 80-vjetor, por edhe për të nxitur sado pak kulturën atletike në Shqipëri. E cila vërtet sot ka humbur?...
--------------------------
SHENIM: Shih pjesën e parë të këtij Dossier në “TemA” të 29 shtatorit 2009