E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjetime thellësisht mallëngjyese: Kujtime të një të internuari (II)Nga Mërgim Korça- Sipas kujtimeve të Gjon Markagjonit të Ri Vijon nga numri i kaluar Trysnía ndaj familjes së Gjomarkajve sa vinte e shtohej. Janar i vitit 1947. Të internuar

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Përjetime thellësisht mallëngjyese: Kujtime të një të internuari (II)Nga Mërgim Korça

- Sipas kujtimeve të Gjon Markagjonit të Ri

Vijon nga numri i kaluar

Trysnía ndaj familjes së Gjomarkajve sa vinte e shtohej. Janar i vitit 1947. Të internuar në Berat. Paraqitet një oficer me dy ushtarë e kërkojnë Marta Gjomarkajn, (hallën e Gjonit) e sapo paraqitet ajo, i recitojnë formulën se në emër të popullit e arrestonin. Ajo zgjati duart që ... ia prangosën pa vonesë. Ngrihet gjyshja e i hedh një pallto krahëve duke e porositur “... Mos u ligshtó, qindró e fortë, mos u përkul, ashtu si të ka hije ty e ashtu si na ka hije e na dishron zemra ne!”

Unë i lexoj ngjarjet dhe me syt’e mendjes e shoh Mrikën e Gjomarkajve tek ia hedh krahëve pallton së bijës, Martës, me duar të prangosura, ku ajo mirditore krenare më duket sikur është nëna spartane që ia zgjat të birit mburojën, para se të shkojë e t’i vritet në Termopile! Fantazí e shfrenuar, mund të mendojë ndokush. Nuk e shikoj të tillë, i përgjigjem unë. Evropianët e shekullit të XX pikërisht këtë qëndrim si trashëgimí e lashtësisë, tashmë të harruar në vendet e tyre, e gjenin të gjallë e veprues në malet e Shqipërisë. Ato virtyte të trashëguara te ne, që në themel kishin besën, si edhe fjalën e dhënë, ishin vlerat që na dallonin nga popujt e modernizuar, bashkëkohës tanë, por që përgjatë rrugës së modernizimit kishin ardhur duke i lënë pas dore e në vazhdim edhe harruar ato.

Iku skuadra partizane e mes tyre edhe Marta e Gjomarkajve. Nuk mjaftonin tre të parët që e arrestuan, por prisnin jashtë edhe gjashtë ushtarakë të tjerë! E ai arrestim qe fillimi i shtatë viteve burg që pësoi ajo e që iu bashkuan edhe 39 viteve internim!

E se mos djallëzía e komunistëve mos mbeti me kaq? Ata e kishin kuptuar se forca e karakterit, si edhe qëndresa personale e secilit prej Gjomarkajve, si edhe e gjithë të internuarve të tjerë lidhej me njësinë bazë, familjen. Pikërisht atë nyje qëndrese vazhduan dhe e zhbënë fillimisht, me arrestimin e Martës e pastaj me dërgimin në një kamp tjetër të motrës Martës, Bardhës, si edhe mbesës tyre Kristina. Stërgjyshja ndërroi jetë (e shpëtoi nga ai ferr komunist), kurse u dërguan në një tjetër kamp gjyshja, e ëma e Gjon Markagjonit të Ri e paralizuar, si edhe vetë vogëlushi krenar që si pinjoll i denjë i asaj familjeje patriotike na i solli kujtimet e tija deri në ditët tona.

Dua të vazhdoj më tutje ... por nuk mundem. Nuk mundem ta kapërcej momentin e asaj nate qershori, që na e përshkruan i pafajshmi i vogël me një përjetësim madhor, kur pushoi së lënguari stërgjyshja e tij. Pa u zgjatur, ja edhe skena tragjike e përjetuar nga tashmë 9-vjeçari e përmbledhur me disa momente kulmore, ku ai thotë: “... duke ndigjue këshillat e udhëzimet e nanës (e paralizuar) ia mbylla sytë, e vesha me rrobat ma të mira ... e pastaj nana na mori pranë vetes për t’u lutë ... ashtu në vetmí ... u lutëm që Zoti të na ndihmonte për t’u ba ballë tramvajeve (vuajtjeve - shënim M. K.) e mundimeve të jetës ... Nji zdrukthëtar me disa dërrasa i bani arkivolin ... Nji karrocier na dha karrocën e dorës për deri te vorrezat ... Nga familja vetëm unë, nji camërdhok (vogëlush - shënim M. K.) Mirdite ... Sa hall, sa mynxyrë, ku kishte vojtë puna e jonë ... motrën e hallën që ishin në kampin e Kuçovës, nuk i lejuen të vinin në varrim.”

I lexoj këto kujtime të atij camërdhoku mirditor e më dridhet zemra! E këto ngjisnin, teksa babai dhe shëmbëlltyra për t’u kopjuar e Partisë Komuniste shqiptare, Stalini, deklaronte me bujë se në shtetet e sistemit komunist njeriu ishte kapitali më i çmuar! Sa paradoksale dhe sarkastike në përmbajtje kjo propagandë komuniste! E të gjitha këto pozicionime, njerëzore në pamje, pasqyroheshin përgjatë gjithë periudhës diktatoriale edhe në Kushtetutat e vendit tonë socialist! Asgjë tjetër veçse ballinë propagandistike e asaj diktature përbindësh!

Ballafaqim me fakte që të bëjnë të mendohesh thellë ...

Kam patur dy shokë, njërin në klasat e para të gjimnazit të Tiranës e tjetrin në vitin e maturës në Shkodër. Që të dy i doja shumë. I pari ishte edhe nxënës i shkëlqyer, kurse i dyti, nxënës shumë mesatar, por shpirt njeriu. Të parin pata mësuar se e kishin arrestuar 17-vjeçar, kurse të dytin në mesin e vitit shkollor, pak mbi të 18-at. Kaluan vitet. Liroheshin të njohur të përbashkët nga burgu e herë për njërin e herë për tjetrin ... dëgjoja se ishin bërë informatorë të Sigurimit. Fillova t’i urreja me shpirt për atë mungesë karakteri. Me raste më kishte takuar të gjendesha në pranín’e tyre: u rrija ftohtë. Kaluan dhjetëra vjeçarë. Mirëpo, kur erdha në Amerikë dhe pata disa raste me njerëz që më tregonin nëpër çfarë torturash i kishin nënshtruar që të firmosnin atë të mallkuar dokument si informator, u lëkunda në bindjet e mia dhe u lëkunda seriozisht! Kur më tregoi njëri se si e ulnin të zhveshur në një karrige me një vrimë në mes dhe e detyronin të firmoste e tek ai nuk pranonte, ia lidhnin duart nga prapa dhe e godisnin me thuprën e pushkës në organet gjenitale, derisa i binte të fikët e rrëzohej me gjithë karrige përtokë ... E vetmja gjë që mund të mendoja ishte ... ta falënderoja Zotin që nuk më kishte vënë në prova të tilla. I rikujtoj tashti ata shokët e mi që siç thonë u thyen, e jo që nuk mundem më t’i fajësoj, por edhe sinqerisht e vuaj bashkë me ta fatin e tyre. Njeri, ai shkodrani, ka ndërruar jetë. Për të i lutem Zotit ta ketë në mëshirën e Tij. Kurse për të dytin, gjirokastritin, gjithashtu i lutem Zotit ta falë për fajet që ka bërë: kishte qenë më e fortë dhuna çnjerëzore fizike ndaj tij sesa durimi i tij!

I ndodhur në këtë gjendje shpirtërore erdhi rasti dhe lexoj se si halla Martë i kishte treguar nipit të saj, Gjon Markagjonit të Ri, se si, mbasi e kishin lidhur e hedhur në mes të dimrit në një gropë të zezë në oborrin e burgut, e me shqelma i binin kokës të zhytej e gjitha n’atë llum e pisllëk ... ose se si halla Martë e kishte parë nga të çarat e dyshemesë të burgosurin Hekuran Zhiti, (të cilin e kam njohur personalisht në Lushnjë dhe ruaj respekt për të), të lidhur duarsh e këmbësh dhe të shtrirë me dhunë mbi dyshemé e tërhiqnin zvarrë si thes tek e çonin në hetuesi me kërcënime të egra, të cilëve ai u përgjigjej me stoicizëm: “... O të mjerë, shpirtit tim s’keni se ç’t’i bëni, e ka tjetërkush në dorë, Zoti që ma ka falë. Ai ësht’i fortë e nuk përkulet, ndërsa trupit tim kërmë bëjini ç’të doni, armik i përjetshëm i juaji do të mbetem!” E unë rri e mendohem se ata dy shokët e mi të shkollës apo halla Mart’e autorit të librit me kujtime, së bashku me qindra e mijëra të burgosur që kaluan mes asaj dhune e mizoríe të pashoqe sa qenë gjallë e ata që vazhdojnë të jenë akoma gjallë janë dëshmitarë se ndaj hetuesve, si dhe njëkohësisht edhe torturuesve të tyre asnjë masë nuk u mor. Te ne nuk u dënuan as ata q’e ngritën dhunën në sistem e jo më të dënoheshin ata që s’ishin veçse masha e tyre dhe e ushtronin torturën në vetë të parë!

Vij te faqja 149 e librit me kujtime dhe ndalem në një kalim shkruar nga Gjon Markagjoni i Ri tek e cilëson “Kampin e tmerrshëm të Tepelenës”, i cili e ka njollosur padrejtësisht gjithë krahinën nga veprimet e ulëta e çnjerëzore të përfaqësuesve të komunizmit. Pohimi i tij tingëllon tamam si një thirrje, e mbrujtur me filozofin’e tij, drejtuar brezave të ardhshëm tek thotë “... Po flas kështu dhe po i shkruej këta rreshta të dhimbshëm për t’u thanë breznive të ardhshme, se duhet të mbledhin mendt, t’i vënë gishtin kokës, se neve të gjithve na duhet punë madhore për t’ia la e shlye këto njolla turpi vendit tonë të dashtun ...!” E lexoj këtë thirrje të bërë nga një i pafajshëm, i cili në vetë të parë i vuajti mbi kurrizin e tij të stërmunduar fazat e zhdukjes thuajse totale të familjes së tij nga krahu mashkullor, e megjithatë flet në shumës tek i drejtohet brezit të ri, kur i fton t’ia shlyejnë Shqipërisë njollat e turpit që la nga pas diktatura komuniste! E lexoj këtë thirrje e shtati i Gjon Markagjonit të Ri fillon dora-dorës ngrihet nga turma e sa vjen e merr përmasa gjigante, se duke i lënë pas krahësh vuajtjet e tmerret e hequra nga ai, si edhe familja e tij, problem e ka çnjollosjen e Shqipërisë!

Pak a shum’e njajta thirrje, por e hedhur në kohën mbas shkërmoqjes komunizmit nga drejtues të lëvizjes demokratike, që as në ëndërr nuk i kishin as menduar e parë, pale edhe hequr, tmerret e asgjësimet komuniste, duke i u drejtuar popullit thirrje-pohimin “Të gjithë bashkëfajtor’edhe bashkëvuajtës jemi”. Bëj krahasimet, e figura e Gjon Markagjonit të Ri akoma më shumë merr përmasa madhore para syve të mi! Kur ai merr drejtimin e “Caritas-it Mirdita”, direktiva kryesore e tij ishte kujdesi që duhej treguar në shpërndarjen e ndihmave duke dhënë porosinë: Asnjë diferencim në shpërndarjen e tyre! Në asnjë mënyrë mos të shikohen krahët politikë! E lexoj këtë urdhër të tij dhënë vartësve dhe si në një sekuencë kuadrosh filmike shikoj përbërësit tejet cilësorë q’e kanë brumosur karakterin e Gjon Markagjonit të Ri! Atij normat kanunore i ishin mëkuar që me qumështin e gjirit të nënës tij. Ai gjithashtu e dinte se si gjyshi e gjithashtu edhe i ati, si rojtarë besnikë të atyre normave, i vlerësonin skajshmërisht lart parimet e dala prej tyre lidhur me burrërinë, nderin, si edhe fjalën e dhënë që nuk bëheshin dy! Gjon Markagjoni i Ri e dinte mirëfilli se si në malësitë tona kreshnike nuk kishte privilegje. Barazia mes malësorëve i ishte ngulitur mirë në mendje pinjollit çamarrok të Derës Kapidanëve. Ai mirëfilli e dinte se punët e përgjithshme rriheshin e zgjidheshin ndër kuvende ku veç e drejta dhe barazia respektohej e nderohej! E këto norma kanunore ia mbajtën gjallë grat’e tej-vuajtura të familjes tij përgjatë viteve të mbushura me mynxyra, vuajtje si edhe krime ndaj familjes tij!

Disa konsiderata në përmbyllje: Vetë koncepti i termit privilegj nuk ka ekzistuar në mënyrën e të menduarit të malësorit shqiptar. Edhe Gjon Markagjoni i Ri, bashkë me nocionet e para që merrte, mëkohej dora-dorës me edukatën e të konsideruarit të vetes tij të barabartë me këdo tjetër. E dinte ai se pleqësía i zgjidhte dhe i ndante të drejtat dhe detyrimet. E dinte ai gjithashtu se Dera e Gjomarkut nuk u përzihesh pleqve në gjykimet e tyre, por ish ajo që i merrte vendimet dhe e ndante fjalën e fundit. E kështu ai mësoi se, kur duket sikur Dera e Gjomarkut ësht’ajo që e ka privilegjin e fjalës fundit, në qoftë se pleqtë nuk bien dakord me vendimin e Gjomarkut, ky i fundit e ka për detyrë të mbledhë popullin nga një burrë për çdo shtëpi dhe ata e kanë të drejtën e fjalës së fundit e Gjomarku u bindej vendimeve! Pikërisht këto parime e koncepte e udhëhiqnin Gjon Markagjoni e Ri, kur u vendos kryetar i Caritas-it të Mirditës. Dhe unë, nisur nga tmerret dhe vuajtjet e përjetuara nga Gjon Markagjoni i Ri si pasoj’e një padrejtësíe të pashembullt ushtruar nga terrori komunist, kur Gjonit i vjen radha të gjykoj’e të japë urdhra, e shoh se tek ai mbizotërojnë normat, si edhe parimet e Kanunit të Maleve, baza morale dhe etike e të cilit nuk i humbet kurrë vlerat e pra ndryshojnë rrënjësisht ato mësime, si edhe ndikimi i tyre në sjellje, krahasuar me sjelljet e bishave komuniste të mëkuara me normat e partisë së tyre, si edhe urrejtjen e trashëguar në gjene lidhur me terrorin e tyre ushtruar ndaj familjes së Gjomarkajve, familjes së Pervizajve, (derë dajash e Gjomarkajve), familjeve të Merlikajve, Kupve, Kaloshve, si edhe mijëra familjeve fisnike shqiptare që u masakruan nga terrori komunist, emrat e të cilave do qe nder për mua, por nuk i radhis dot përgjatë këtij shkrimi. Vijmë tashti te thelbi i çështjes, të cilit un’i shikoj disa probleme:

- A ka paradoks më të madh se sa përgjatë 47 viteve të pusht-shtetit komunist diktatorial Kanuni i Maleve, kjo perlë e bazës së edukatës shoqërore, u përdhos, u keqinterpretua dashakeqësisht dhe në vend që t’i jepej vendi i nderit në muzeun e relikteve të së kaluarës, u quajt veç turpi i kombit tonë shqiptar? Kur Evropa moderne i kish humbur ato norma të moralit, si edhe të etikës, ato ruheshin e gjendeshin akoma të zbatuara përgjatë pjesës parë të të XX shekull në Malësitë tona! Me mohimin e tyre, si edhe luftën pa princip të bërë nga komunistët që e ndershmja të quhej a pandershme, mbajtja e fjalës, si edhe besës së dhënë të dënoheshin dhe tradhtia e spiunimi të quheshin nderë e patriotizëm, mori fund shqiptari! Triumfoi njeriu i ri socialist, pjell’e ideologjisë Enver Hoxhës, i cili veç namin e keq ia ka shpërndarë an’e kënd botës shqiptarit!

- Me marrjen e pushtetit shtetëror nga ana e komunistëve, ajo llav’e zjarrtë e shkatërruese e mbrujtur dhe e farkëtuar si ideologji nga Lenini e Stalini në të largëtin vit 1917, bashkë me të tjerët shtete të asaj që u quajt në vijim Evropa Lindore, erdhi e dogji çdo virtyt e vyerje që kishte Shqipëria. Pikërisht kundër saj u organizua rezistenca kryengritëse e udhëhequr fillimisht nga Mark Gjomarkaj e me vrasjen e tij nga Llesh Gjomarkaj e në vazhdim dora-dorës nga komandantët e tjerë. E këto çeta e formacione luftarake luftuan në malet e Shqipërisë deri në vitin 1953, kur forca ushtarake shtetërore, e mbështetur nga besëshkelësit e ashtuquajtur Heronj të Heshtur e gjithashtu nga KGB ruse me informatat që u kalonte Kim Filby, me dhun’edhe terror i asgjësoi! Problemi që shtroj është ky: Lufta e formacioneve kundër-komuniste shqiptare, me dhunë të tejskajshme shkencore nga ana e qeverisë, është kaluar në heshtje, si nga shtypi e propaganda komuniste, pale edhe mbajtur në heshtje brenda rrethimit nga kloni vdekjeprurës. Përfundimi? Thuajse asnjeri jashtë Shqipërisë, e gjithashtu gati askush nga brezat e rinj, nuk e dinë se ka patur një lëvizje kryengritëse kundër-qeveritare dhe kundër-komuniste në Shqipëri që nga viti 1944 e deri në vitin 1953! E kjo, kur Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë i kishte sanksionuar me ligj lirin’e personit, të shtypit si edhe atë të fjalës! (?) Në kundërshtim me këtë fakt, kemi anën tjetër të medaljes. Është shkruar e vazhdon të përshkruhet si simbol i rezistencës së popullit hungarez Revolucioni Hungarez i vitit 1956. Dhe hallall u qoftë studentëve hungarezë në qytetin e Budapestit që dolën në një demonstratë kundër-qeveritare! E kur qeveria i shtypi me egërsí, në vazhdim rrëmbyen edhe armët e kryengritja u shtri edhe në qytetet e tjera kundër diktaturës Mátyás Rákosi-t! Unë nuk kam ndërmend të bëj historikun e asaj lëvizjeje e të analizoj, nëse qe revolucion apo jo. Por nuk kam se si mos ta vë në dukje dhe ta nënvizoj faktin se ajo lëvizje filloi më 23 tetor dhe u shtyp me 11 nëntor 1956! Me gjithë kohëzgjatjen e saj, sa të një xixëllonje, (pa dashur fare t’ia ul ose diskutoj vlerat e saj madhore), e përsëris se u quajt Revolucioni Hungarez i vitit 1956 dhe lista emërore e heronjve të saj ësht’e pafund. E me shumë të drejtë ësht’e nderuar dhe e respektuar. Kurse e gjith’ajo kryengritje e luft’e armatosur dhe e organizuar dhjetëvjeçare në Shqipëri kalohet në heshtje! Mark Gjomarkaj, si edhe Llesh Gjomarkaj, e në vazhdim Alush Leshanaku me gjithë Hamit Matjanin e me qindra e qindra heronj të rënë në luftën për përmbysjen e atij pusht-shtet-it gjakatar komunist, si edhe mijërat e familjarëve të tyre të kalbur e të vdekur në kampe përqendrimi përgjatë diktaturës komuniste për 47 vite me radhë, kalohen në heshtje!

- U shkrua e u rishkrua historia përgjatë 47 viteve të diktaturës nga historianët komunistë sipas mësimeve e direktivave të partisë. Faktet e paraqitura syresh u përshkruan me lulëzime letraro-artistike nga shkrimtarët e realizmit socialist. Çdo ribotim teksti mësimor u thoshte të rinjve shkollarë ... “Harrojini ata heronj që janë hequr nga teksti pararendës dhe mësoni ata t’i urreni si tradhtarë kurse heronjt’e rinj t’i nderoni.” Kështu u ngrys edhe ... u shkërmoq diktatura. Mirëpo tashti ndodhemi para një paradoksi, ku po ata historianë q’e shkruan historin’e 47 viteve të pusht-shtetit komunist, e duan sërishmi parësínë ta rishkruajnë historinë edhe sot! Ata nuk e kanë keq, jo. Së pari, sepse të mësuar me grada e tituj shkencorë nuk e pranojnë dot qëndrimin tashmë në hije e si të paemër. Por, nga ana tjetër, e kanë edhe një problem serioz: patjetër që duan ta rishkruajnë ata historinë që të tëra sa kanë pohuar ose shtrembëruar ... t’i fusin në njëfarë këllëfi, (e harrojnë thënien popullore se xhamia nuk futet në thes). Ata gjithashtu duke ulëritur me të madhe se historia shkruhet vetëm në bazë faktesh edhe dokumentesh arkivale, kujtojnë se populli ha bar edhe nuk e di se arkivat dhe faktet e dikurshme ata i kanë qethur e stërqethur e sërishmi duan t’i mbushin arkivat me përralla me mbret! Mirëpo janë Gjon Markagjonët e Rinj, të cilët kanë edhe me mijëra akoma gjallë dëshmitarë pamorë, të cilët si arkiva të gjalla i dëshmojnë faktet! Le të na thonë Ramiz Alia me gjithë Aranit Çelën me shokë, në bazë të çfarë ligji e fajësimi juridik u dënua Gjon Markagjoni i Ri të internohet që gjashtëvjeçar e të heqë shpirtërisht edhe fizikisht mynxyra si të Udhës Mundimeve të Krishtit? Asgjë mos të rikujtojë në këtë çast lexuesi i librit me kujtime të Gjon Markagjonit të Ri, por vetëm momentin kur ndërroi jetë stërgjyshja e tij. Vogëlushin nëntëvjeçar e udhëzoi e ëma e paralizuar se si t’ia mbyllte kapakët e syve kufomës, si ta vishte e pastaj të nesërmen ai camërdhok Mirdite e përcolli i vetëm arkën e të vdekurit me trupin e stërgjyshes brenda, ngarkuar mbi një karrocë dore, të prehej në varrezat e ushtarëve italianë!(?)

Për Nënën’e Kapidanit Mirditës me plot gojën mund të thuhet se i përfundoi ditët e saja tokësore:

Gjall’edhe vdekur ajo e internuar,

As varr për horr s’ia kanë lejuar! *

* (Perifrazim i vargjeve të Nolit përgjatë Elegjisë për Luigj Gurakuqin.)

FUND

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›