E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Bashkëpunimi me partitë e opozitës do vazhdojë

Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, shprehet se tryeza ishte nisja e një periudhe të re marrëdhëniesh

TIRANË- Partia Socialiste shprehet e hapur për të vijuar edhe më tej komunikimin e nisur dje me forcat opozitare, jo vetëm për të koordinuar veprimin politik në ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe garantimin e sigurisë në vend, por edhe për të realizuar një koalicion të ardhshëm zgjedhor. Pavarësisht interpretimeve të ndryshme në lidhje me rezultatet e kësaj tryeze, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj e vlerëson atë si nisjen e një periudhe të re marrëdhëniesh ndëropozitare, marrëdhënie të cilat sipas saj nuk do të mbeten kurrsesi në këtë nivel që kanë qenë deri tani, duke lënë të kuptohet qartë se pas kësaj faze do të synohet dhe koalicioni parazgjedhor. Prandaj, nisur edhe nga kjo klimë pozitive e krijuar, ajo thekson se çdo propozim që mund të vijë nga aleatët dhe që do të ketë si qëllim rritjen e performancës opozitare ndaj qeverisjes së djathtë nëpërmjet rrugëve demokratike, do të jetë e mirëpritur edhe nga socialistët. “Ne do të mbetemi të hapur për të vazhduar diskutimet, tryezat me të gjithë aleatët, ashtu siç i kemi ftuar edhe më parë”, - u shpreh Leskaj, duke mos përjashtuar as mundësinë e mbajtjes së një tryeze të radhës midis partive të majta. Duke përjashtuar në mënyrë kategorike çdo përpjekje për ta kanalizuar luftën opozitare vetëm tek largimi i Berishës, përfshi edhe rrugën e bojkotit të institucioneve, kryetarja e grupit socialist ka siguruar se PS nuk mund të bëhet pjesë e një politike të tillë, pasi është forca më e madhe opozitare dhe ka përgjegjësinë që të bëjë oponencën e saj për çdo çështje që ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve dhe këtë s’mund ta bëjë më mirë, veçse duke u ballafaquar me mazhorancën në institucione. Kështu, socialistët këmbëngulin se Kuvendi duhet të vazhdojë të jetë arena kryesore e debatit politik me qeverinë, dhe largimi i Berishës duhet të kërkohet pikërisht aty. Për këtë arsye, PS është e gatshme që të mbështesë edhe një nismë për mocion mosbesimi ndaj kreut të ekzekutivit, pavarësisht se votat për të pasur sukses duken të vështira për t’u realizuar. E pyetur nga gazetarët në lidhje me një opsion të tillë, kryetarja e deputetëve socialistë Valentina Leskaj u shpreh se, “të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe ne jemi të hapur për të diskutuar çfarëdolloj propozimi që mund të sjellin aleatët tanë. Do të thotë që procesi që filloi dje me tryezën nuk është një proces i mbyllur, ne jemi të hapur për çdo lloj propozimi dhe afrimi që ata mund të kenë”. Ndërkohë, duke u ndalur tek takimi i një dite më parë, ajo evidentoi faktin se tryeza e realizuar me këtë rast mund të jetë bërthama edhe e një koalicioni të ardhshëm elektoral, ku natyrisht mund të bëjnë pjesë edhe forca të tjera që sot janë në qeveri. “Natyrisht që çështjet e bashkëpunimit me gjithë frontin opozitar dhe jo vetëm me frontin që është sot opozitar, por dhe me të tjerë që mund të jenë aktualisht ndoshta në qeveri, nuk ka të bëjë me çështjen e koalicionit dhe diskutimi i djeshëm nuk ishte për çështjen e koalicionit por ka qenë për krijimin e një fronti të përbashkët për më shumë drejtësi e siguri në vend, për standarde demokratike në vend. Natyrisht, ne mbetemi të hapur dhe për koalicionet”, - tha Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›