E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bregdeti i Durrësit, i pastër brenda vjeshtës”

Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë një inspektimi të punimeve që po kryhen në zonën bregdetare pranë Malit të Robit, 6 kilometra në jug të Kavajës, u shpreh se çdo metër i urbanizuar i kësaj sipërfaqeje do të lidhet me magjistralin e ujërave të zeza, të cilat më pas do të përpunohen në impiantin e pastrimit pranë këtij qyteti.

Sipas Olldashit, punimet me vlerë 4.3 milionë euro, që parashikojnë ngritjen e një sërë stacionesh pompimi nga Përroi i Agait deri në plazhet e Malit të Robit, do të përfundojnë brenda muajit prill.

Ministri shtoi se ka përfunduar tenderimi i një financimi të qeverisë shqiptare me vlerë 4 milionë euro, që do të shërbejë për shtrimin e sistemit të kanalizimit sekondar dhe terciar të kësaj zone. Sipas Olldashit, nga ky projekt do të përfitojë edhe qyteza e Golemit, megjithëse ajo nuk bën pjesë në vijën bregdetare.

E njëjta procedurë zbatimi po kryhet edhe në pjesën veriore të bregdetit të Durrësit, nga Përroi i Agait deri në plazhin tradicional të qytetit turistik, ku vijojnë paralelisht punimet për shtrimin e sistemit të kanalizimeve si dhe për stacionet e pompimit.

Sipas Olldashit, gjithçka do të përfundojë në vjeshtën e këtij viti dhe bregdeti i gjirit të Durrësit nuk do të rrezikohet më nga ujërat e ndotura.

Plazhet e gjirit detar të Durrësit, me një gjatësi prej mbi 15 kilometrash, janë më të frekuentuarat e vendit tonë dhe mbipopullimi i tyre me ndërtime të shumta ka krijuar shqetësimin e ndotjes masive nga ujërat e kanalizimeve.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-03-31 15:18
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›