E Diel, 1 Nëntor 2026

“Olldashi”, monopoli i internetit vazhdon edhe pas 40 vitesh

Kompania, që me firmën e ministrit të Transporteve ka marrë lejen për shfrytëzimin ekskluziv të rrugëve për shtrimin e kabllove optikë, do ta gëzojë këtë të drejtë edhe pas afatit rekord 40-vjeçar.

Gazeta "Panorama", zbulon se në shtojcën që shoqëron urdhrin për lidhjen e kontratës me firmën “Albanian Telecommunication Union”, ekziston një klauzolë, e cila mund ta shtyjë këtë afat sërish. Pra, Olldashi në urdhrin e tij 120 jo vetëm që ka krijuar monopol në këtë treg, por ka krijuar kushtet ligjore që ai të zgjatet më shumë se 40 vite, duke u bërë kështu unik në fushën e koncesioneve.

Neni 16 i shtojcës, që shoqëron urdhrin, ka edhe një tjetër paragraf të habitshëm. Firma, pas përdorimit ekskluziv të rrugëve për shtrimin e fibrave optike, mund edhe t’i shkatërrojë ato. Ndryshe nga të gjithë koncesionet, që pas përdorimit për një kohë të caktuar kalojnë në shërbim të shtetit, në këtë rast firmës i lind e drejta ta shkatërrojë investimin.

Neni i habitshëm

Në nenin 16, të shtojcës së urdhrit Nr. 120 të ministrit Olldashi, përcaktohet kohëzgjatja dhe pasojat e tjera të saj kontrate. “Kjo leje ka një afat vlefshmërie prej 20 vitesh duke filluar nga dita e nënshkrimit të saj, por për shkak të vlerës së lartë të investimit dhe kostos së vëtëshlyerjes së tij, ripërtërihet automatikisht sipas këtyre kushteve dhe këtij teksti edhe për një periudhë tjetër 20-vjeçare”. Pra, pika e parë e nenit 16 i krijon kushtet për një afat minimal 40-vjeçar. Leja është firmosur më 23.08.2010 dhe, sipas kësaj pike, vazhdon deri në 23.08.2050.

Pika e dytë e kësaj pike i jep të drejtë firmës që, pas 40 vitesh përdorimi të rrjetit, t’ia dhurojë atë shtetit, ose “të vijojë të disponojë 2 linjat e tij + 4 linjat e lira, kundrejt pagesës vjetore të parashikuar në këtë leje edhe për një afat tjetër, nëse tregu nuk ka ndryshuar dhe këto tarifa nuk janë mbi mesataren e tregut. Kur tregu ka ndryshuar në favor të përdoruesve dhe efektet e tij cenojnë pa të drejtë të ardhurat e shtetit, Ministria, sipas kësaj lejeje gëzon të drejtën të rrisë deri në 25% tarifat vjetore vetëm për dy linjat e lira, ndërsa me subjektin “Albanian Telecommunication Union” vijon të mbajë në të njëjtin nivel tarifën 4% të ardhura në vit. Përkthimi i kësaj pike është i qartë. Pas vitit 2050, firmës ATU i lind e drejta që ta zgjasë sërish edhe për një afat tjetër (të papërcaktuar) shfrytëzimin e rrugëve kombëtare. Me pak fjalë, pas vitit 2050, sërish fibrat optike do të jenë monopol i kësaj firme. Në rastin më të keq, ajo nuk do të paguajë 4 për qind të xhiros, por 5 për qind.

Gjatë vitit 2009, Drejtoria e Rrugëve kishte dhënë katër firmave të drejtën për të ndërtuar anës rrugëve kombëtare kanale për shtrimin e fibrave optike. Me katër vendime të një dite, ministri Olldashi vendosi të bëjë nul të katër kontratat, duke argumentuar vendimin e tij për mungesë konkurrence. Tetë muaj më vonë, i njëjti ministër vendos të japë vetëm për një firmë të drejtën e hapjes së të gjithë rrugëve kombëtare dhe shtrimit të fibrave optike për një afat 40-vjeçar e me të drejtë shtyrjeje. E drejta është ekskluzive, pra detyron qeverinë dhe të gjithë shtetin të mos japë të drejta të tjera të njëjta në rrugët kombëtare.

Interneti

Shtrimi i fibrave optike në të gjitha rrugët kombëtare bën të mundur që të arrihen të gjitha pikat kufitare të vendit. Duke ditur se lidhjet e internetit vijnë nga jashtë, atëherë vendimi i Olldashit bën që e gjithë e drejta e furnizimit me fibra optike të internetit në vend t’i jepet një firme. Lista e rrugëve që përdor firma e vetme, arrin në pikat kufitare me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë. Pas kësaj, firma mund të shesë e vetme të drejtën e shpërndarjes së internetit në vend. Duke qenë se teknologjia e informacionit po bëhet vazhdimisht më e domosdoshme për industrinë në vend, atëherë kjo kontratë merr vlera të mëdha financiare. /Start/

                                                                                             2011-09-08 14:19
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›