E Diel, 1 Nëntor 2026

“Prokurori i mashtrimit” bie në prangat e policisë

Autori i Lajmit: Red.Denoncimet e familjarëve në policinë e Fierit për mashtrimin që ai bënte duke u premtuar lirimin nga burgu për të afërmit ka çuar në prangosjen e një prokurori të rremë. Agjentët e policisë kriminale të Fierit kanë arrestuar dje në Rrugën e Barrikadave në Tiranë 42- vjeçarin nga Vlora Çoban Hoxha. Hoxha është mbajtur për rreth 2 muaj në vëzhgim nga agjentët e policisë së Fierit pas depozitimit në polici të disa kallëzimeve penale ndaj tij për mashtrim.
Hetimi
Sipas burimeve policore, 42-vjeçari nga Vlora ndiqte me vëmendje në gazeta dhe televizione ngjarjet e ditës nga ku merrte adresat e sakta dhe thelbin e çështjes. Më pas ai paraqitej pranë familjeve si prokuror dhe në këmbim të një shume të caktuar lekësh premtonte zgjidhjen e çështjes. Sipas burimeve nga policia, “prokurori i mashtrimit” ka marrë shuma parash nga 300 euro në 500 mijë lekë të vjetra për fillimin e pseudopunës ligjore.
Kallëzime për të kanë ardhur nga familje të ndryshme, nga Marinza e Fierit, nga Rrogozhina etj. Gjetja e Hoxhës ka qenë e vështirë pasi mashtruesi nuk ka pasur një vendndodhje të saktë për vetë veprimtarinë që kryente. 42-vjeçari ka qenë edhe më parë i dënuar për vjedhje dhe mashtrime dhe mendohet se, të paktën, ka dy vjet që merret me këtë punë.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›