E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jepen 846 mijë USD për arsimimin e romëve

Autori i Lajmit: Red.Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta do të nënshkruajë sot marrëveshjen me përfaqësuesin e Programit për Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (PNUD) për realizimin e projektit "Fuqizimi i Komuniteteve Vulnerabel në Shqipëri-Mbështetje për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës për Komunitetin Rom". Ky projekt, i cili do të realizohet në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Romëve, do të shtrihet në 24 muaj dhe do të mbulohet nga një buxhet prej 846 438 dollarë, fond ku përfshihen 526 500 dollarë nga Zyra e Vullnetarëve e Kombeve të Bashkuara, 100 000 dollarë nga UNDP dhe 219 938 dollarë nga donatorë të tjerë. Strategjia Kombëtare e Romëve identifikon prioritetet e ndërhyrjes në fushën e arsimit, shëndetit, mbrojtjes sociale, sigurisë dhe zhvillimin e vlerave kulturore të komunitetit rom në Shqipëri. Përmirësimi i kushteve të jetesës, integrimi dhe përfshirja sociale e romëve në zhvillimet social-ekonomike të vendit, janë shpallur prioritetet e politikave të qeverisë aktuale shqiptare. Komuniteti rom, i cili jeton në Shqipëri për më tepër se 600 vjet, numëron 80 mijë deri në 100 mijë romë në 3.6 milion të popullsisë totale të vendit tonë dhe njihet zyrtarisht si minoritet linguistik.

Ky lajm është publikuar: 26/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›