Publikohet harta e rretheve të pambuluara me mjekë
Autori i Lajmit: Silvana BalliuNumri i personelit mjekësor në vendin tonë është i ulët dhe nuk ka një shpërndarje të drejtë të tyre, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila deklaron që paralelisht me reformat që po ndërmerren në sistemin shëndetësor, po rishikohet edhe shpërndarja e punonjësve të mjekësisë, veçanërisht mjekëve të familjes.
Sipas kësaj ministrie, rreth 10 komuna të Dibrës, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit dhe Shkodrës, janë të pambuluara me mjekë familjeje të posaçëm. Në këto zona ka shërbim shëndetësor, por një mjek që është në një zonë tjetër ka në ngarkim edhe zonën që rezulton e pambuluar me mjek të familjes. Të dhënat e ministrisë tregojnë se shpërndarja e drejtë e këtyre mjekëve do të mundësonte shërbim korrekt mjekësor, pasi duhet patur parasysh që mjekët, të cilët mbulojnë këto zona, kanë mbingarkesë pune, duke shërbyer edhe në zonat që nuk mbulohen nga shërbimi i mjekut të familjes. Pavarësisht se pagat e mjekëve të familjes janë mjaft të larta, deklaron MSH, përsëri nevojitet shtimi i numrit të mjekëve të familjes. Paga për një mjek të tillë që ka mbingarkesë në zonat e thella malore shkon afro 100 mijë lekë në muaj, ndërsa kur ngarkesa e shërbimit është mesatar, paga përllogaritet deri në 73.410 lekë në muaj. Mjekët e familjes kanë katër kategori: për fëmijë- norma 1.000 (norma max 1500); për të rritur- norma 2.000 (norma max 3000); për të gjithë grupmoshat në qytet - norma 2 mije (max 3 mijë); për të gjithë grupmoshat në fshat norma 1700 (2600 max).
Shpërndarja jo e rregullt
Duke qenë se zhvillimi i personelit në një vend matet me raportin mjek-infermierë, ministria vlerëson se, në vendin tonë ka mangësi të numrit të infermierëve, duke patur përafërsisht raportin 1 mjek me 2.5 infermiere për 100 mijë banorë. Numri i përgjithshëm i personelit mjekësor në Shqipëri në raport me vendet e tjera të Bashkimit Europian është i ulët dhe ka një mbipopullim të kategorive të personelit shëndetësor në zonat urbane. Shëndetësia shqiptare ka trashëguar mangësi të dukshme numerike të stafit profesional, ku për 100 mijë banorë, kemi rreth tre herë më pak mjekë, dy herë më pak infermiere, dy herë më pak farmacistë dhe një herë e gjysëm më pak dentistë. Sipas dikasterit të shëndetësisë, edhe raporti i mjekëve specialistë me mjekët e përgjithshëm nuk është korrekt, pasi numri i mjekëve pediatër, mjekëve të familjes dhe kirurgëve të përgjithshëm konsiderohet i vogël.
Trajnimi
Trajnimi dhe riciklimi i vazhdueshëm është një nga objektivat e politikave shëndetësore, e cila do të shoqërohet me investime në fuqinë punëtore të shëndetësisë, në përmirësimin e kushteve të punës, rigjenerimin e institucioneve trajnuese dhe parapritjen e sfidave të ardhëshme. Përkrah këtij synimi të Ministrisë së Shëndetësisë qëndron edhe mbështetja e Qeverisë dhe të partnerëve të huaj si Banka Botërore, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), USAID, Kooperacioni Zvicerian etj, të cilat janë angazhuar në një plan veprimi energjik për përmirësimin e situatës për burimet tona njerëzore me anë të masave konkrete. Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të ndërmarrjes së reformës për Shërbimin e Kujdesjeve Infermierore, ka filluar të realizojë përmirësimin e cilësisë së formimit të vazhduar profesional për kryeinfermirët dhe infermierët e qëndrave spitalore.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007