E Diel, 1 Nëntor 2026

180 turistë francezë, 7 orë në pikat turistike të qytetit

Autori i Lajmit: Red.Krociera moderne franceze “Le belle Adriatique” solli të martën në mëngjes, në portin e Vlorës, 180 turistë ditorë francezë të moshave të ndryshme, të cilët pas një qëndrimi prej shtatë orësh në territorin shqiptar u larguan rreth orës 16:00 drejt brigjeve të Mesdheut. Burime zyrtare të kapitenerisë thanë "turistët francezë vizituan qytezën antike të Apolonisë (Fier) dhe objekte të tjera muzeale në qytetin e Vlorës". Në orën 16.00, mjeti lundrues turistik u shkëput nga kalatat e portit të Vlorës, për të vazhduar itinerarin e udhëtimit në Mesdhe. Sipas të njëjtit burim, ardhja e turistëve francezë u mundësua nga agjencia “Marina Lines”, që kishte përgatitur edhe programin e vizitave të tyre në Vlorë dhe në Fier. Krociera franceze “Le belle Adriatique” është mjeti më i madh lundrues turistik, i ankoruar ndonjëherë në portin e Vlorës. Burimet zyrtare të kapitenerisë saktësuan se ajo është prodhim i vitit 2007, mjaft luksoze dhe është realizuar mbi bazën e teknologjisë më të përparuar të ndërtimit të krocierave. “Le belle Adriatique”, me pronar francez, ka një gjatësi prej 112 metra dhe drejtohet nga një ekuipazh kroat, i përbërë nga 46 persona. Prej dy vjetësh, Vlora ka tërhequr vëmendjen e turistëve nga vende të ndryshme të botës, ndërkohë që porti i saj, është përfshirë në hartën turistike në Mesdheut.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›