Filiali universitar i Sarandës, sivjet 3-fishin e studentëve
Autori i Lajmit: Red.Filiali universitar i fakultetit ekonomik të Tiranës, në Sarandë, në vitin e dytë të aktivitetit të tij, këtë vit akademik do të ketë tre herë më shumë studentë se një vit më parë. Nga 64 studentët e parë që u ulën në auditoret e këtij filiali vitin e kaluar shkollor, këtë vit, numri i tyre arrin në 200, që përbën edhe limitin e kërkesave të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për Sarandën. Kancelari i këtij filiali, Bejdo Çela, tha se 170 studentë kanë preferuar të ndjekin studimet në degën e hoteleri-turizmit si degë të parë. Sipas tij, për preferencat e dyta, mbeten 30 vende të tjera. Në përgatitjet e fundit gjendet ky filial për të çelur sivjet edhe degën e gjuhëve të huaja, për të cilën janë hedhur të gjithë hapat ligjorë, janë siguruar programet nga fakulteti i gjuhëve të huaja në Tiranë, ndërkohë që baza logjistike është gati. Megjithë shtimin e numrit të studentëve sivjet, të cilët vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit, administrata në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, janë duke parë mundësinë e përfitimit të një bonusi strehimi dhe ushqimi për studentët, të cilët do të akomodohen në mjedise që qytetarë të Sarandës destinojnë për turizmin familjar gjatë verës dhe në hotele, që në periudhën e dimrit kanë një koeficient të ulët shfrytëzimi.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2007