E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqiponjat” fluturojnë drejt Afganistanit

Ceremonia e përcjelljes e  220 trupave u zhvillua sot në Aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, ku mori pjesë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami si dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Misioni paqeruajtës “EAGLE 4”, vepron në Afganistan në kuadër të ISAF.

Detyrat kryesore janë:Patrullim per sigurimin e rendit; Ruajtja dhe shoqërimi i personaliteteve; Sigurimi dhe ruajtja e konvojeve; Ruajtja e objekteve të rëndësisë së veçantë; Organizimi i pikave te kontrollit si dhe kontroll banesash. Kontingjenti ynë është në varësi të drejtpërdrejtë të kontingjentit  turk i cili është pjese përbërëse e brigadës multinacionale.

“Ne kemi sigurinë e plotë se ju do të arrini ta kryeni me sukses të plotë këtë detyrë. Qoftë për shkak të punës së palodhur që keni bërë, qoftë për shkak të atyre vlerave etike dhe patriotike që ju mbartni. Qoftë për shkak se ju mbështet i gjithë vendi, ju mbështet qeveria ju mbështet Shtabi i Përgjithshëm, ju mbështet Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ju mbështesin familjarët tuaj, në këtë detyrë të rëndësishme, të vështirë por edhe fisnike”, u shpreh ministri Imami.

“Sot nisim një grup të madh ushtarësh dhe punonjësish të policisë, në Afganistan. Është një grup i cili është kompleks në misione, detyra dhe në njësi. Është një nder dhe kënaqësi që përcjellim këtë mision, sepse në fakt ju jeni krenaria jonë”, iu drejtua ministri Imami trupave të kontingjentit paqeruajtës “Eagle 4”. Sipas ministrit të Mbrojtjes, “kontingjenti i nisur drejt Afganistanit dhe personeli i përfshirë në to është treguesi i dedikimit dhe përgjegjshmërisë që kemi ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në veçanti për aleatin tonë të madh, SHBA-në”.

“Niveli i përfaqësimit dhe kontributeve tona në ISAF, falë punës dhe përkushtimit tuaj është rritur progresivisht në këto vite, si për nga prezenca në numër, por edhe për nga cilësia e operacioneve që ne tashmë po kryejmë”, tha Imami. “Angazhimi ynë nuk kufizohet më në detyrat e mbështetjes, por edhe në detyra luftimi ashtu si edhe në detyra trajnimi dhe monitorimi të ushtrisë dhe policisë afgane”, nënvizoi ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-01-16 11:04
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›